Kush për çka / Arendt: Totalitarizmi - Gazeta Express
string(33) "kush-per-cka-arendt-totalitarizmi"

Kush për çka / Arendt: Totalitarizmi

Arte

Gazeta Express

24/03/2023 17:10

Udhëheqësit e masave në pushtet kanë një shqetësim që i hedh poshtë të gjitha konsideratat utilitare: t’i bëjnë parashikimet e tyre të vërtetohen

Hannah Arendt

Lexo Edhe:

Asgjë nuk është më karakteristike për lëvizjet totalitare, në përgjithësi, dhe për cilësinë e famës së udhëheqësve të tyre, në veçanti, se sa shpejtësia tronditëse me të cilën ato harrohen dhe lehtësia marramendëse me të cilën ato mund të zëvendësohen. Atë që Stalini e kreu ngadalë, për shumë vjet, përmes luftërave të hidhura fraksioniste dhe lëshimeve të mëdha, të paktën në emrin e paraardhësit të tij – dhe pikërisht për të legjitimuar veten si trashëgimtar i Leninit – pasuesit e Stalinit u orvatën ta bëjnë pa lëshime në emër të paraardhësit të tyre, ndonëse Stalini kishte kohë tridhjetë vjet dhe mundi të manipulojë një aparat propagande, të panjohur në kohën e Leninit, për të përjetësuar emrin e tij. E njëjta gjë është e vërtetë për Hitlerin, që gjatë jetës së tij ushtroi një joshje nga e cila, gjoja, askush nuk mund të mbrohej dhe që pas mundjes dhe vdekjes së tij sot harrohet plotësisht, saqë ai rrallë los ndonjë rol të mëtejshëm, madje edhe ndërmjet grupeve neofashiste dhe neonaziste të Gjermanisë së pasluftës.

Propaganda e lëvizjeve totalitare që paraprin dhe shoqëron regjimet totalitare është pandryshueshëm aq e sinqertë sa edhe e rreme dhe sundimtarët e quajtur totalitarë e nisin zakonisht karrierën e tyre duke lavdëruar krimet e tyre të shkuara dhe duke nënvizuar me kujdes ato të ardhmet. Nazistët “ishin të bindur se keqbërja në kohën tonë ka një forcë tërheqëse të sëmur”. (…)Tërheqja ndaj së keqes dhe krimit për mentalitetin e turmës nuk është asgjë e re. Ka qenë gjithnjë e vërtetë se turma do të përshëndes “veprimet e dhunës me një vërejtje të admirueshme: ai mund të jetë një mjet por ajo është shumë e zgjuar”. Faktori turbullues në suksesin e totalitarizmit është më tepër vetëmohimi i vërtetë i pasuesve të tij: mund të jetë e kuptueshme  që një nazist apo bolshevik nuk do të tronditet në bindjen e tij nga krimet kundër njerëzve që nuk i përkasin lëvizjes ose që janë, madje armiqësorë me lëvizjen; por fakti tronditës është se ai ka të ngjarë të mos lëvizë vendi kur përbindëshi fillon t’i përlajë fëmijët e tij dhe madje, edhe nëse ai bëhet vetë një viktimë e persekucionit, nëse ai gjykohet dhe dënohet, nëse ai nxitet nga partia dhe dërgohet në kampin e punës së detyruar apo të përqëndrimit. Në të kundërtën, për çudinë e tërë botës së civilizuar, ai madje mund të ndihmojë në persekutimin e tij dhe të gjykojë edhe dënimin e tij me vdekje, vetëm që statusi i tij si një pjesëtar i lëvizjes të mos preket.

Lëvizjet totalitare janë të mundshme kudo ku ekzistojnë masa që, për një arsye apo një tjetër, kanë në vetvete oreks për organizimin politik. Masat nuk mbahen të bashkuara nga një vetëdije e interesit të përbashkët dhe atyre u mungon ai argumentim specifik klasor që shprehet në qëllimet e caktuara, të kufizuara dhe të arritshme. Termi masa zabatohet vetëm aty ku ne kemi të bëjmë me njerëz, cilido prej të cilëve, për shkak të numrit të vogël, të indiferencës apo kombinimit të të dyjave, nuk mund të integrohen në ndonjë organizim të bazuar në interes të përbashkët, në partitë politike, në qeveri lokale, në organizata profesionale ose në sindikata. Potencialisht, ato ekzistojnë në çdo vend dhe formojnë shumicën e atij numri të madh të njerëzve neutralë, politikisht indiferentë, që kurrë nuk hyjnë në ndonjë parti dhe vështirë se shkojnë ndonjëherë tek kutitë e votimit.

Vetëm turma dhe elita mund të tërhiqen nga vrulli i vetë totalitarizmit; masat duhen fituar me propagandë. Në kushtet e qeverisë kushtetuese dhe lirisë së opinionit, lëvizjet totalitare, që luftojnë për pushtet, mund të përdorin terrorin në një shkallë të caktuar dhe ndajnë me partitë tjera nevojën e përfitimit të pasuesve dhe të shfaqjes së mundshme tek një publik, i cili ende nuk izolohet tërësisht nga të gjitha burimet tjera të informacionit.

Propaganda është në fakt pjesë e pandarë e ‘luftës psikologjike”; por terrori është më tepër. Terrori vazhdon të përdoret nga regjimet totalitare edhe kur synimet e tij psikologjike  janë arritur: tmerri i tij i vërtetë është se ai sundon mbi një popullsi plotësisht të nënshtruar. Aty ku sundimi i terrorit sillet në përkryerje, si në kampet e përqëndrimit, propaganda zhduket tërësisht; ajo madje u ndalua shprehimisht në Gjermaninë naziste. Propaganda me fjalë të tjera, është një instrument dhe ndoshta më i rëndësishmi i totalitarizmit, për t’u lidhur me botën jototalitare; terrori, përkundrazi, është vet thelbi i formës së tij të qeverisjes.

Lëvizjet totalitare e përdorin socializmin dhe racizmin duke i zbrazur ata prej përmbajtjes së tyre utilitare, interesave të një klase apo të një kombi. Forma e predikimit të pagabueshëm në të cilin këto koncepte u paraqitën është bërë më e rëndësishme se përmbajtja e tyre. Cilësia kryesore e një udhëheqësi të masave bëhet pagabueshmëria e pafundme; ai s’mund të pranojë kurrë një gabim. Presupozimi i pagabueshmërisë, për më tepër, bazohet jo aq shumë në intelegjencën superiore sesa në interpretimin korrekt të forcave thelbësisht përgjegjëse në histori apo natyrë, forca të cilat as dështimi as rrënimi nuk mund t’i vërtetojë si të gabuara, sepse ato do të pohojnë veten në afate të gjata. Udhëheqësit e masave në pushtet kanë një shqetësim që i hedh poshtë të gjitha konsideratat utilitare: t’i bëjnë parashikimet e tyre të vërtetohen.  

/Marrë nga Hannah Arendt ‘Origjinat e Totalitarizmit’, me përkthim të Myftar Gjana, “DIJA”, Prishtinë, 2002

/Gazeta Express