Kurti ua bën të ditura ndërkombëtarëve kushtet për Asociacionin - Gazeta Express
string(63) "kurti-ua-ben-te-ditura-nderkombetareve-kushtet-per-asociacionin"

Lajme

Gazeta Express

02/02/2023 15:37

Kurti ua bën të ditura ndërkombëtarëve kushtet për Asociacionin

Lajme

Gazeta Express

02/02/2023 15:37

Kryeministri Albin Kurti është kujdesur që kushtet e tij për Asociacionin, që i shpalosi në Kuvend, t’i prezantojë edhe për audiencën ndërkombëtare.

Këshilltarja e tij Fëllanza Podrimaj e ka shpërndarë fjalimin e tij të përkthyer në gjuhën angleze.

Lexo Edhe:

Deri më tash s’ka pasë ndonjë reagim ndërkombëtar rreth kushteve të Kurtit. Pozicioni aktual i amerikanëve është që Kosova ta themelojë pa vonesa Asociacionin. Po e njëjta thirrje është bërë edhe nga Bashkimi Europian.

Në seancën e sotme të Kuvendit, Kurti tha se ka hartuar gjashtë pika që janë kushte për themelimin e Asociacionit. Ai tha se një mekanizëm i tillë, i dalë nga marrëveshja e Brukselit, mund të konsiderohet nga Republika e Kosovës me këto gjashtë kushte, njëri ndër të cilit ishte që zbatimi i tij të nisë pas njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, që do të nënkuptonte pas një marrëveshje finale.

Kushtet e vendosura nga Kurti:

1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.

2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5).

3. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe, në ndërlidhje me këtë të fundit, vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.

4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri të Kosovës shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.

5. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.

6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë (dhe tek të tjera) shtetet anëtare të BE-së për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE (që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013)./Express/