Kurora e Thanatit mbi kokën e Antropocenit - Gazeta Express
string(42) "kurora-e-thanatit-mbi-koken-e-antropocenit"

Xhemal Ahmeti

30/03/2020 18:13

Kurora e Thanatit mbi kokën e Antropocenit

Xhemal Ahmeti

30/03/2020 18:13

«Murtaja»-t si kjo janë pjesë e historisë së njeriut. Epidemiologë të besueshëm madje thonë se ato asnjëherë nuk zhduken. WHO dhe historia sjellin fakte kokëforta për këto. Është natyra kaq brutale dhe e egër, apo është njëra nga gjallesat e saja që nuk pranon sundimin e saj, burimi i këtyre tragjedive të mëdha? Kriminelë në esencë janë që të dy: natyra dhe njeriu!

Shkruan Xhemal AHMETI

Lexo Edhe:

Londër, vjeshtë e vitit 1664: Urdhëri ishte i qartë: kush hap derën e shtëpisë të ekzekutohet. Atij i dridheshin duart, këmbët, fryma i fshikullonte si erërat mbi malin Great Dun Fell. Parasysh e torturonte viktima e tij e parë: ai djaloshi tetëvjeçar, me një luan tekstili në dorë. Ushtari i Monarkut i lutej zotit që porta para tytës së tij të rri e mbyllur, tash, sot, përjetësisht. Sapo pëshpëriste ndërdhëmbë «zot mos e hap derën», trupin ia përlante një mori flakësh, kokën e ndiente si një thes me dinamit para shpërthimit. «Zot?» Ishte ky kod që e tmerronte, e bënte ta hedh pushkën dhe veten në Themse. Temperatura niste tatëpjetën nga çasti kur lotët i preknin buzët. Lotët i pështynte tokës bashkë me shkëlbazën e përgjaktë të tij.

Kjo skenë e dramatizuar ka për bazë reportazhin «A Journal of the Plague Year» të shkruar në vitin 1665 nga shkrimtari Daniel Defoe. Po, ai i njëjti i robinsonadave të njohura është. Aty raporton anglezi për murtajën e shekullit 17, pandemi e cila zhduku miliona europian e që zgjati gati një shekull. Corona e asaj kohe quhej Yersinia pestis dhe për armik kishte, kështu si sot, mushkëritë e njeriut. Me një dallim: trupi i njeriut gungohej gjithandej. Sot bakteri ka ndryshuar strategjinë: mashtron radarët dhe aparatet ultramoderne të mjekësisë duke u bërë i padukshëm. Virusi vjen e s’shkon incognito. Ai, me kohën ka ndryshuar siç kam ndryshuar unë antropoceni i shekullit 21 strategjinë e veprimit: që mos të humb kohë bibliotekës duke kërkuar librin e Defoe-s e shkarkova atë për milisekonda me 5G internet nga biblioteka ime digjitale, e cila gjendet në një server – ku ta di se ku.

Kur shpërthejnë dramat dhe njeriu tenton t’i kuptojë ato, atëherë kap esencën e floskës «historia magistra vitae (est)» të Ciceronit tek «De Oratore», [II, 36] Duke gjurmuar kohëve përballemi me një sistem, mesazhi i të cilit të duket kristalin i qartë: Njeriu le të bëjë ç’të mundet, natyrën nuk e gjunjëzon dot! Çka maksimalisht ai sajon është imitimi infantil i proceseve të qena natyrore: prodhon edhe vetë pandemi artificiale, pavarësisht në i quan ato armë mikrobiologjike apo bomba atomike. Tarifat dhe rezultati mbeten përherë të njëjta.

Është vërtet kjo sintezë e llojit siç e bëjmë këtu, apo s’është hiçgjë tjetër përpos një halucinacion antropoceni, të cilit frika të mos gjendet papritmas para një exitus letalis-i ia ka denigruar arsyen?

HISTORIA

Pandemia e parë masive, e dokumentuar, konsiderohet «Murtaja e Thukydides»-it. Në Historinë e tij [Vëllimi II, Kapitulli 49] autori antik flet për pandeminë që shpërthen krahas «Luftës së Peloponezit» (430 para e.s.). Aty Thukydides vizaton gjendjen e tjerëve dhe të vetes si i infektuar. Për shkak të saktësisë së përshkrimit, historian të medicinës, dhe filologë të shekullit 19 i mveshën autorit të jetë Etiologu (përshkruan shkaqet, shpërthimin dhe efektet e një sëmundjeje) i parë i historisë. Simptomat e studiuara shumë shekuj më pas u identifikuan të jenë enterobakterie të tipit Yersinia pestis -murtajë e mushkërive.

Murtaja e dytë pas kësaj diskutohet edhe sot. Ajo, e dyta «Murtaja justiniane», e vitit 541 pas e.s. zgjati në formë valësh deri ne fillim të shekullit 8. Ishte poashtu një Yersinia pestis? Epidemia shpërtheu në Egjipt, kaloi kryqetërthor Europën dhe zbrazi gjithë mllefin e saj në fund në Iranin e sotëm. Pavarësisht emërimit e karakterizimit virusi «justinian», sipas shkrimeve të Prokopit, Evagrios nga Antiokia, Retorit Zakaria, kronistit Gregor nga Tours-i ua «merrte frymën viktimën, njejtë sikur ishin duke u mbytur në ujë». Po në këtë mënyrë i paska vdekur pacienti një infermiereje të Lombardisë, e cila nën lot u flet masave nëpërmjet një videoje aprofesionale të lansuar në Youtube.  

Për «Murtajën e tretë» dimë shumë më shumë se sa për dy të parat:  Kronisti italian Andrea Dandolo shkruan se në vitin 1347 Venedikun e përlau uria. Si pasojë qyteti mbushet me divizione të pastrehësh. Sapo tek këto grupe konstatohet murtaja, paria venedikase vendos që të gjithë, të gjallë e të vdekur t’i hedh në një gropë të madhe ku më parë digjte qentë endacakë. As pas këtij veprimi, të cilin që ne sot pa bërë një e dy do ta plumbosnim si patocid, murtaja nuk ndalet. Përkundrazi, brenda vetëm ca ditëve murtaja fshinë nga faqja e dheut edhe «el terzo deli habitadori» [Dandolo]. I hedh po në të njëjtën gropë kadavrash edhe ata që urdhëruan ekzekutimin e të parëve. Kjo që rrëfen Dandolo është vetëm njëra nga mijëra sekuencat e mega-epidemisë historike të mbiquajtur si «Murtaja e zezë». Shkenca e ka kualifikuar si më të madhen epidemi të kujtesës humane, ngase për këtë di më shumë statistika se sa për të parat dhe ato që ndodhin tjetërkund: «Murtaja e zezë» vrau 25 milionë europianë, një të tretën e popullatës së atëhershme të kontinentit. Kryespecialisti i ditëve të sotme i epidemiologjisë historike, profesori i emerituar për Histori dhe Etikë të Medicinës në Universitetin e Köln-it, Klaus Bergdolt, në librat e tij «Ndërgjegjja e mjekësisë» [2004] dhe «Murtaja e madhe dhe fundi i mesjetës» [2011] vjen tek i njejti përfundim si Thukydides, Prokopi, Zakaria dhe Donaldo: pavarësisht se në ç ‘mënyre deformonte virusi nga shekulli në shekull trupin e njeriut demoni mbetej përherë i njejtë; ai herë shfaqet si pesticid që shkakton gunga, herë zverdhëte homonidin deri në limonim, herë e njolloste atë me plagë, por në esencë i mbyste të gjithë njëjte: duke ua djegur mushkëritë, duke i mbytur si nën ujë – ashtu siç di të mbysë, qe sa dimë të dokumentojmë, virusi me emrin Yersinia pestis – epidemia e mushkërive!

MURTAJA SI PJESË E JETËS

Gjersa shumica e kronologëve flasin për ikje e shfaqje të epidemive (-430+541+1347+2020 = distanca ndërstacione 8-9 shekuj), Klaus Bergoldt flet për prezence permanente të tyre. Me të drejtë. Ato shpërthejnë vazhdimisht dhe në të gjitha vendet e botës. WHO për epidemitë: «ato ende nuk janë mundur»! Së paku që nga shfaqja e influencas (parastadi i Yersinia pestis-it që kategorizohet si grip) në dimrin 1889/1990 në Egjipt e këndej kronika e WHO është pothuaj e plotë. Përdhosja e virusit ndodh përherë në kombinim me proteinë e bakterie të kafshëve. Qysh para eksperimentit kinez të vitit 2015 të virusit me proteina të lakuriqëve (Chiroptera-ve) dhe pas epidemisë që shpërtheu në Tibet në vitin 2009 (Kina vuri në kuarantenë gjithë qytetin Ziketan) dihej se kombinimi i virusit me elemente organike të kafshëve është vrasës. Në shtetet jugperëndimore të Amerikës eksplodon shpesh epidemia e mushkërive, raste, të cilat u mveshen cynomysëve (qenve të prérisë) që bartin virusin tek njerëzit. Në vitin 2019 vdiq një çift mongoles menjëherë pas ngrënies së një kafshe të tillë. Në Madagaskar nga viti 2010 e deri më 2019 kanë vdekur 600 persona nga sulmi i mushkërive, pas kontaktit ose ushqimit me kafshë të llojit. Jo rastësisht epidemia SARS dhe kjo tash e pagëzuar si «Corona» shpërthyen në një treg ku gjitha kafshët e mundshme shiten për ushqim: në Wuhan të Kinës.

«IT’S CORONA TIMES»

Bernë, pranverë 2020. Bota duket në standby modus. Fëmijët mezi presin lejen për të ikur jashtë. Rreth ndërtesave sillen vazhdimisht patrulla të policisë. Para dyerve të shtëpive nuk janë stacionuar ushtarë si në Londrën e shekullit 17. Herë pas here kalon vrapthi ndonjë plak duke hequr qenin zvarrë pas veti. Edhe veturat aq të rralla duket sikur ushtrojnë «distancing». Në vend të zhurmës së londinezëve dritareve e ballkoneve duke sharë mbretin dhe ushtarin pse nuk i lë jashtë as të shëndoshët (ose të ikin nga të infektuarit), rrallë ballkoneve të Bernës ta zë syri ndonjë grua duke shkundur batanijet shpejt e shpejt për t’i ikur sa më shpejtë ajrit jashtë. Përndryshe gjithçka duket e vdekur. Para supermarketeve s’ka kolona, por vetëm ca të moshuar që presin numrin për tu afruar edhe dy metra më afër domateve, bananeve dhe letrës së tualetit. Deri në këto çaste kanë vdekur 330 njerëz. Mosha mesatare e tyre (Burimi: BAG 29.03.2020, Ora, 8:00 ) 83 vjeçe. Spitalet nuk i shpëtojnë më dot nga gripi ata të moshuar e të sëmurë, siç bëri Gjermania në dimrin 2017/2018, atoraste kur spitaleve u shfaqën 334.000 të infektuar. «Corona» thonë ekspertët është kameleon. Sa më shumë të analizohen viktimat aq më shumë enigmatizohet «fiziologjia dhe efektet» e vërteta të vrasësit masiv. Gjersa shkencëtarët luftojnë laborëve si në garë për të siguruar sa më shumë miliona nga shteti e farmakoncernet, njerëzit presin para televizorit në panik ndonjë lajm pozitiv, ndonjë kumt që do t’i shpëtonte nga bllokada që ndiejnë në gjoks, ata ndiejnë nevojë të bërtasin, të ulërijnë, të shajnë, të mallkojnë, të kritikojnë. Secili prej tyre, sa të kalojë ky izolim i tmerrshëm do ta huazojë njërin nga rrëfimet e shumta që frekuentojnë që tash për ta ekzekutuar qoftë edhe vetëm mentalisht fajtorin e tragjedive që nuk lënë në mirëqenie e hare homo erectus-in e «pafajshëm».

Apropo, interpretimeve, megjithatë njëherë faktet:

FAKTET

Në vend të ligjërimit mbi burimin dhe fajtorët eventual të shpërthimit të pandemisë le t‘i themi në sintezë ato që i dimë saktësisht deri tash:

  • Të gjitha pandemitë e mëdha, deri tash të regjistruara të historisë shkaktohen nga virusi që zhbën mushkëritë e njeriut. Pulmo siç quhet mushkëria në latinishten e fahut është organi që lidh botën e jashtme me të brendshmen. Është organi për këmbimin e gazit ndërmjet ajrit dhe gjakut të njeriut. Kur ndërpritet kjo lidhje shuhet jeta.
  • Në ditët e sotme Yersinia pestis, i cili virus dikur vriste ushtarët e Peloponezit, pastaj të nënshtruarit e Justinianit, më vonë banorët e Londrës dhe pasardhësit e faraonit e sot gjithë së bashku, quhet ndryshe: «Corona», që shqip donë të thotë kurorë. Për nga historia etimologjike, para politizimit të saj në kurorë të monarkut, ajo përshkruan kurorën e luleve, therrave (si ato mbi kokën e Jezusit). Për nga aspekti metaforik, simbolik fjala shënon edhe kulmin e diçkaje, finalen, kapakun.
  • Që nga influenca e Egjiptit [Franz Engel Bey 1889/90] dihej me spekulime e që nga viti 2009 [Rasti i Ziketanit në Tibet] dihet saktësisht se viruset gripal shndërrohen në armë vrasëse kur njerëzit ushqehen me kafshë të caktuara, siç bëhet në disa vende aziatike.
  • Shkenca që nga Hipokrati nga Kos-i, më vonë Ibn Sina e deri sot nuk ia doli që të krijojë një antitoksikë që to da shpëtonte të infektuarin nga pandemia Yersinia pestis alias Corona. Humanët shëtisin planetëve tjera, të shpëtojnë veten mirëpo nuk ia dalin dot. Nuk duan?
  • Politikat qofshin me një pulmo dexter apo me një pulmo sinister nuk ia dalin ta emancipojnë njeriun që ky mos ta sulmojë për çdo ditë nga një damar të natyrës. Mos të toksikojë natyrën, mos të zhdukë e haj kafshë që nuk janë kandidatë të natyrshëm të zinxhirit të tij ushqimor, mos […]

E për ato qeveri me pulmo sinister, me mushkërinë e majtë thonë se e bëjnë madje me qëllim gjithë këtë.

INTERPRETIMET

Kush nuk është historian mjafton t’i ketë lexuar romanet historike të Peter Pranges [sidomos ‘Die Gottessucherin‘, 2009] sa për t’i dalë të gjalla skenat parasysh se ç’ virusesh postepidemikë pastaj vrisnin masa njerëzish. Kisha katolike e Spanjës, Portugalisë mblidhte gjithë marranët e vendit (hebrenjtë) shesheve dhe i digjte në turma drush. Papatët me verdikte shpallnin gjenocidin e gjithë hebrenjve si shkaktarë të tragjedive mbi ta. Kjo nuk ndodhte vetëm tek epidemitë, por edhe tek tërmetet (Tërmeti i Lisabonës: 1755) së cilës dramë i vajton edhe Volteri, por për 100 mijë tjerët e jo për hebrenjtë. E njëjta praktikohet edhe në Baselin, Solothurnin zviceran, në Itali e deri në kohën kur Hitleri u vuri kurorën këtyre gjenocideve shekullore me holokaustin.

Aktualisht kastat ekstrafetare radikale- edhe ato shqiptare – Yersinia pestisin alias Coronan e quajnë «ushtar të zotit» të tyre, herë që i dënon duke i vrarë ata e herë duke i mbushur me fuqi për t’i vrarë tjerët. Mentaliteti si në gjithë mesjetën e modernen as në postmodernë nuk ka ndryshuar, ka mbetur i njëjte, në bazamentin e asaj gropës venedikase ku digjnin kadavrat e qenve dhe kufomat e të pastrehëve. Nëse interpretojmë sipas kësaj logjike detyrimisht Yersinian dhe Coronan i shohim si vajzat e A(i)brahamit. Vetëm edhe një defekt duhet ta tejkalojnë fetarët e gjitha dominioneve që rrëfimi t’iu dal më pak injorant: Le t’i pagëzojnë viruset si «ushtare të Allahut», ngase nga kundërshtarët e tyre, darvinistët  pagëzohen çuditërisht femërisht.

Përveç njerëzve të zotit edhe këta të botës i kanë interpretimet e llojit: ata me mushkërinë e djathtë thonë se pandemitë janë mekanizëm i natyrës për rregullimin e domosdoshëm të demografisë globale, ata me mushkërinë e majtë janë të bindur se sapo ta shuajnë kapitalizmin, respektivisht imperializmin natyra do t’u ndihmojë ta instalojnë edhe njëherë sistemin e Xha Staluas mbi tokë.

Pandemitë, ndërkaq vrasin që nga atëherë kur njeriu ende s’dinte të flasë e të papagajojë manifestin komunist apo maksimat e utilitaristëve dhe fordianëve. Mbi të gjitha edhe një fakt është historik: njeriu vetëm mund të ndihmojë vrasjen e qenieve, kur tenton t’i shpëtojë ato ose s’ka fuqi ose shton tragjedinë edhe më shumë.

Deri sa i dola në fund këtij teksti numri i të vdekurve të regjistruar në worldometer shkoi në 35,337, rreth 6 mijë dallim nga mëngjesi. Ai i Zvicrës u bë 330. Po kaq luftojnë me vdekjen spitaleve. Rreth 80 prej tyre mbahen gjallë artificialisht. Në krahasim me shekujt e shkuar kjo dramë e radhës as që krahasohet. Por kjo nuk është pyetja kryesore e këtij reflektimi. Pyetja që për asht e lëkurë ka ky tekst është: a ishte e nevojshme gjithë kjo dramë që shtetet, qeveritë, njerëzit të mësojnë të sillen me natyrën pa e luftuar atë? Do ta mësojnë kësaj radhe mesazhin e Albert Camus për tu sjellë ndryshe me veten, me njeriun, do ta rilexojnë Daniel Defoen për të parë se ç’ ndodhe kur nuk bëjnë siç kërkonte Camus apo as vdekja kaq masive nuk e bind dot ndryshe antropocenin mendjemadh, arrogant që të dorëzohet dhe mos të hajë gjithçka që lëviz para tij dhe mos të vrasë çdo gjë që nuk ia mbush xhepat?

SËRISH NË LONDËR

Ushtari i Mbretit mezi qëndron në këmbë, sytë i erren kohë pas kohe aq rëndë saqë nuk sheh as errësirën vetë. Përballë i behet sikur hapet një derë, aq ngadalë sikur në milimetra. «Mos Z…» dhe perdja i lëshohet para jetës, bie në tokë i vdekur. Nga dera dalin fëmijë: s’ka më epidemi. Ushtarin e vdekur mbi pushkën e tij as që e vërejnë. Ata kërcejnë mbi të. Sikur ai të ishte pacienti zero, sikur me vdekjen e tij të kishte ikur edhe murtaja, njëherë e përgjithmonë. Vetëm dy pleq të ulur mbi majat e Pennine-ve tundnin kokën. «Jo, jo, s’mësojnë kurrë» tha njëri «kështu duket absurdi në skenë», ia ktheu tjetri. Sikur të ishin ringjallur Defoe e Camus për të parë edhe njëherë botën në skenë. Pas gjithë kësaj rifillon jeta: Boris Johnson përlahet me njerëz të London Stock Exchange rreth numrit të të vdekurve.

Kush nuk i beson tezës së Nietzshes rreth kthimit të përhershëm të së njëjtës le ta bëjë kësaj radhe. Ose le të mbetet injorant deri në epideminë e radhës.

©Legjenda: Triumfi i Vdekjes, Pieter Bruegel i Vjetri (1562): Piktura tregon efektet e pandemisë.