Dhimbja e shpinës është një nga ankesat më të zakonshme shëndetësore dhe një nga shkaqet kryesore të kufizimit të përditshëm. Por ekspertët paralajmërojnë se, në disa raste, ajo mund të mos vijë fare nga shpina.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, dhimbja e shpinës është shkaku kryesor i aftësisë së kufizuar në botë. Megjithatë, studime të reja sugjerojnë se ajo mund të lidhet edhe me probleme të tjera shëndetësore, përfshirë çrregullime të tretjes, sëmundje të zemrës dhe, në raste më të rralla, kancer.
Ekspertët theksojnë se trajtimi i dhimbjes kronike të shpinës nuk duhet të kufizohet vetëm te shtylla kurrizore. Sipas tyre, është e rëndësishme të shihet edhe gjendja e përgjithshme e organizmit, pasi dhimbja mund të jetë sinjal i një problemi më të thellë.
Një nga lidhjet që po studiohet gjithnjë e më shumë është ajo mes zorrëve dhe shpinës. Çrregullimet e florës bakteriale në zorrë, dieta e varfër, stresi apo përdorimi i antibiotikëve mund të nxisin inflamacion në organizëm. Ky inflamacion mund të ndikojë në nervat e shtyllës kurrizore dhe në nyje, duke kontribuar në dhimbje.
Probleme si sindroma e zorrës së irrituar, kapsllëku apo çrregullime të tjera të tretjes mund të shoqërohen gjithashtu me dhimbje shpine. Një studim i vitit 2023 me gati 7 mijë të rritur gjeti se personat që ndiqnin një dietë inflamatore kishin 32 për qind më shumë gjasa të raportonin dhimbje shpine. Në të kundërt, dieta mesdhetare, e pasur me vitaminë D, kalcium dhe magnez, mund të ndihmojë në uljen e inflamacionit dhe ruajtjen e masës muskulore.
Në disa raste, dhimbja e vazhdueshme e shpinës mund të jetë edhe shenjë paralajmëruese e kancerit të pankreasit. Për shkak se pankreasi ndodhet thellë pas stomakut, dhimbja mund të përhapet drejt shpinës dhe shpesh ngatërrohet me një problem muskulor. Mjekët këshillojnë që dhimbja e pashpjegueshme, e vazhdueshme dhe që nuk përmirësohet, të kontrollohet.
Dhimbja e shpinës mund të lidhet edhe me zemrën. Tek disa persona, veçanërisht gratë, të moshuarit dhe pacientët me diabet, angina apo problemet e arterieve koronare mund të shfaqen me dhimbje në shpinë, me pak ose aspak dhimbje në gjoks. Nëse dhimbja shfaqet gjatë sforcimit, shoqërohet me djersitje, të përziera, vështirësi në frymëmarrje ose përhapet drejt krahut apo nofullës, kërkohet vlerësim urgjent mjekësor.
Një tjetër gjendje serioze që mund të japë dhimbje të fortë në shpinë është aneurizma e aortës. Kjo ndodh kur një pjesë e dobësuar e murit të aortës zgjerohet dhe mund të shkaktojë dhimbje të papritur, të fortë dhe therëse. Edhe pse shumica e dhimbjeve të shpinës janë muskulore, simptomat e tilla nuk duhen neglizhuar.
Tek gratë, dhimbja e pjesës së poshtme të shpinës mund të lidhet edhe me mosfunksionimin e muskujve të dyshemesë pelvike. Këta muskuj mbështesin fshikëzën, mitrën dhe zorrët, dhe kur nuk funksionojnë siç duhet mund të shkaktojnë inkontinencë, kapsllëk, dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale dhe dhimbje mesi.
Ekspertët thonë se duhet kërkuar këshillë mjekësore nëse dhimbja e shpinës është e vazhdueshme, nuk lidhet me ndonjë lëndim të qartë, nuk përmirësohet me pushim, shoqërohet me humbje peshe, temperaturë, probleme me frymëmarrjen, dhimbje gjoksi, mpirje, dobësi, ose çrregullime të urinimit dhe jashtëqitjes.
Në shumicën e rasteve, dhimbja e shpinës nuk është shenjë e një sëmundjeje të rëndë, por kur ajo është e pazakontë, e fortë apo e zgjatur, kontrolli mjekësor është mënyra më e sigurt për të përjashtuar probleme serioze. /GazetaExpress/