Kulmi i hipokrizisë: Ministri i Asadit akuzon ShBA-në se po ua zë frymën sirianëve si George Floydit - Gazeta Express
string(99) "kulmi-i-hipokrizise-ministri-i-asadit-akuzon-shba-ne-se-po-ua-ze-frymen-sirianeve-si-george-floydit"

Kulmi i hipokrizisë: Ministri i Asadit akuzon ShBA-në se po ua zë frymën sirianëve si George Floydit

Gazeta Express

27/09/2020 9:09

Ministri i Jashtëm i Sirisë, Walid al-Moualem, e akuzoi të shtunën administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, se po përpiqet t’u zë frymën sirianëve me sanksione si afrikano-amerikanit George Floyd.

Sanksionet e reja amerikane, të cilat hynë në fuqi në qershor sipas të ashtuquajturit Akti i Cezarit, e kanë goditur edhe më shumë ekonominë edhe ashtu të brishtë të vendit të rrënuar nga lufta për shkak se kompanive të huaja u është ndaluar tregtia me Damaskun.

Lexo Edhe:

Deklarata e kryediplomatit sirian, i cili i lidhi këto sanksione me vdekjen e amerikanit me ngjyrë, George Floyd, në duart e policisë në maj të këtij viti, u bë gjatë një fjalimi të incizuar për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Qëllimi i vërtetë i aktit është që të bëhet trysni mbi sirianët, jetesën e tyre dhe jetën e tyre të përditshme. Është çnjerëzore të përpiqesh t’ua zësh frymën sirianëve, sikur iu zu fryma mizorisht George Floydit dhe të tjerë në Shtetet e Bashkuara”, tha ministri Al-Moualem.

Uashingtoni thotë se këto sanksione e kanë për qëllim zvogëlimin e të hyrave për qeverinë e presidentit Bashar al-Assad dhe kthimin e tij në bisedimet me OKB-në për t’i dhënë fund luftës që ka filluar para më shumë se tetë vjetësh, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Shtypja e protestuesve që kërkonin demokraci në vitin 2011 nga qeveria e Asadit solli një luftë civile, në të silën qeveria po përkrahet nga Rusia, ndërsa opozita nga Shtetet e Bashkuara. Që nga fillimi i konfliktit janë vrarë së paku 400,000 persona, prej të cilëve një pjesë e madhe ishin civilë të paarmatosur, gra, fëmijë e të burgosur.

Sipas Rrjetit Sirian për të Drejtat e Njeriut, nga marsi i vitit 2011 deri në korrik të vitit 2020, në konfliktin e Sirisë janë vrarë 223,546 civilë. Prej tyre, forcat qeveritare të Asadit janë përgjegjëse për vrasjen e 199,901 civilëve, prej të cilëve 22,858 fëmijë dhe 11,660 gra.