Kufizimet në Veri, Srpska thotë se e dëgjon vetëm Vuçiqin, MSH pohon se kryetarët atje vendosjen e masave e kërkuan në Prishtinë - Gazeta Express
string(124) "kufizimet-ne-veri-srpska-thote-se-degjon-vetem-vuciqin-msh-pohon-se-kryetaret-atje-vendosjen-e-masave-e-kerkuan-ne-prishtine"

Kufizimet në Veri, Srpska thotë se e dëgjon vetëm Vuçiqin, MSH pohon se kryetarët atje vendosjen e masave e kërkuan në Prishtinë

Arlena Krivenjeva

08/07/2020 12:36

Lista Srpska është kujdesur që nëpërmjet një njoftimi për media të thotë se masat e vendosura në Veri që lidhen me pandeminë janë vendime të Vuçiqit. Por, MSH-ja jep një version tjetër: kryetarët e komunave në Veri kanë kërkuar vetë në Prishtinë të vendosen kufizimet atje. Në Qeverinë që udhëhiqet nga Avdullah Hoti ndërkaq kanë bërë thirrje që kjo çështje të mos politizohet, ani pse kritika ka pasur nga partitë opozitare.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Goran Rakiq, mbrëmë bëri të ditur se Shtabi i Krizave në Veri të vendit ka marrë vendim për karantinimin e katër komunave dhe vendosjen e ndalimit të lëvizjes nga ora 21:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit.

Lexo Edhe:

Rakiq në këtë konferencë të jashtëzakonshme për media njoftoi gjithashtu se 53 persona janë konfirmuar të infektuar me koronavirus në këtë pjesë të Kosovës.

Kjo paraqitje e Rakiqit është kritikuar për faktin se nuk është bërë e ditur nëse një vendim të tillë, komunat në veri të vendit e kishin marrë në koordinim me autoritetet e Kosovës.

Nga Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për Gazetën Express kanë deklaruar sot gjatë ditës se ishin kryetarët e komunave veriore që e kanë bërë kërkesën në MSH për kufizim të lëvizjes dhe për karantinimin e tyre.

Kjo, sipas saj, ka ardhur pasi që në këtë pjesë ka pasur rritje të numrit të rasteve me koronavirus.

“Duke qenë që në komunat në veri të Kosovës është vërejtur një rritje e numrit të personave të infektuar nga Covid-19, kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës i kanë kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që të kufizojë lëvizjen e qytetarëve në këto komuna dhe të bëjë karantinimin e tyre”, thuhet në përgjigje.

Ministria që udhëhiqet nga Armend Zemaj ka bërë të ditur për Gazetën se bazuar në këto kërkesa MSH-ja përmes IKSHPK-së u ka kërkuar komunave në fjalë që të konfirmojnë nevojën e kufizimeve.

“Bazuar në këto kërkesa, MSh përmes IKSHPK u ka kërkuar zyrtarëve komunalë të këtyre komunave të dhëna epidemiologjike rreth Covid-19 për ta konfirmuar nevojën e kufizimeve, diçka që ata e kanë bërë.  Pra, bëhet fjalë për veprime të koordinuara në bazë të informacioneve zyrtare rreth situatës epidemiologjike në atë pjesë”, kanë bërë të ditur nga Ministria e Shëndetësisë.

Gazeta Express për këtë çështje ka kontaktuar edhe Qeverinë e Kosovës. Në këtë institucion kanë kërkuar që kjo temë të mos politizohet.

“Zëvendëskryeministri Rakiq është në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë, kërkojmë që të mos politizohet kjo çështje”, thanë nga zyra e kryeministrit.

Megjithatë, kritika për këtë temë kanë pasur nga partitë opozitare. Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë për Gazetën Express se kjo është tregues që qeveria Hoti varet nga votat e Listës Serbe.

“Zv.kryeministri Goran Rakiq ka vendosur përmes shtabit paralel në komunat e veriut që kjo zonë të futet në karantinë, ndërkaq Lista serbe deklaron që merr urdhra vetëm nga Vuçiq. Lejimi i kësaj mendësie qeverisëse e ka futur Kosovën në senduiç, në dy anët ka Serbinë, si shtet dhe si Listë serbe. Për këto pak ditë hoqën reciprocitetin, hoqën dorë nga angazhimi për anëtarësimet në organizmat ndërkombëtarë dhe pas hapjes totale karshi Serbisë natyrshëm vijnë këto vendime e deklarata nga leva tjetër e Beogradit dhe që cenojnë rëndë territorin dhe sovranitetin e vendit”, thotë Haxhiu, duke shtuar se sa më parë duhet që në vend të mbahen zgjedhje të reja.

Sipas PDK-së, ndërkaq, nënshtrim ndaj Serbisë, pos qeverisë Hoti kishte treguar edhe qeveria e kaluar në krye me Albin Kurtin.

“Nga dje “Krizni Shtab” i Veriut në koordinim me Beogradin ka caktuar orë policore në komunat veriore të Kosovës nga ora 21:00 deri në 05:00. Për këtë vendim fare nuk janë pyetur Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës, të cilat po nënshtrohen këtij vendim të Serbisë…I proklamuar koalicioni i shpresës po na del të jetë koalicion i mashtrimit dhe nënshtrimit ndaj Serbisë”, ka shkruar deputeti Bekim Haxhiu në Facebook.

Sipas njohësve të çështjeve politike dhe juridike Kosova duhet të ushtrojë mandatin e saj në tërë territorin e Kosovës.

Ehat Miftaraj nga IKD-ja ka thënë për Gazetën Express se secili vendim që merret duhet të jetë në plotëni me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

“Vendimet e njëanshme nga zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës që cenojnë rendin kushtetues dhe ligjor të Kosovës, duhet të anulohen dhe të ndërmerren masa politike të menjëhershme ndaj të njëjtit, duke mos përjashtuar edhe masa tjera që lejon ligji”, ka deklaruar ai.

Pak ditë më parë Qeveria e Kosovës në krye me Avdullah Hotin ka vendosur kufizime të reja për qytetarët.

Kjo përfshin kufizimin e lëvizjes në disa komuna ku ka më shumë raste me koronavirus, prej orës 21:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit. /GazetaExpress/