Ku e gjete, Albin? - Gazeta Express
string(16) "ku-e-gjete-albin"

OP/ED

Gazeta Express

27/05/2022 14:40

Ku e gjete, Albin?

OP/ED

Gazeta Express

27/05/2022 14:40

Rifat Latifi mund të jetë profesionist i madh dhe mjek shembullor, por po shfaqet një ministër i dobët, pa plan e pa vizion. Nëse Albin Kurti mendon që do ta përmirësojë gjendjen në shëndetësi me profesorin nga Amerika, atëherë kjo është një huqje e madhe e tij. Latifi bën më së miri të kthehet nga ka ardhur. Kështu i ndihmon vetes dhe qytetarëve.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

“Mungesa e hulumtimeve shkencore”. Ky duket të jetë problemi dhe preokupimi më i madh i ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, nga gjysma e nëntorit të vitit të kaluar, kur ai u emërua në këtë pozitë. Profesori që ka jetuar e punuar në SHBA erdhi në Prishtinëe për të menaxhuar sektorin më problematik. Por për gjashtë muaj në këtë pozitë të rëndësishme, ai duket të jetë më i preokupuar me vizita jashtë vendit dhe deklarata e premtime boshe, sesa për punë konkrete.

Vizita të vazhdueshme në SHBA, pastaj në Turqi, Shqipëri e Norvegji e kanë karakterizuar këtë periudhë të ministrimit të tij. Ndërkaq, dhjetëra takime të tjera koti i ka realizuar në Prishrtinë, shumë nga to me bashkatdhetarë që jetojnë jashtë vendit.

Jo më larg se të enjten, para ministrisë së drejtuar nga Latifi protestuan specializantët e QKUK’së. Një ditë më herët protestuan infermierët. Por, Latifi nuk ka një përgjigje për ta. Siç nuk ka përgjigje edhe për plot probleme e sfida të tjera, kur pyetet na gazetarët.

Një pjesë e vizitave dhe takimeve të ministrit nuk kanë fare fokus, madje plot nga to mund të kryhen edhe online. Në Turqi, Norvegji e SHBA ai është takuar me shqiptarë që jetojnë atje, si dhe ka vizituar institute e institucione shkencore. Natyrisht, foksusi ka qenë te nevoja për hulumtime shkencore, thua se ky është problemi kryesor i shëndetësisë kosovare.

Ministri Latifi duhet të merret me çështje shumë më prioritare në shëndetësi, e jo të endet kot pa prodhuar kurrfarë efekti praktik në përmirësimin e kushteve. Që nga ardhja e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, në sistemin shëndetësor nuk ka ndryshuar asgjë, përkundër kritikave që kjo parti ka pasur sa ka qenë në opozitë. Por, edhe po që se ka vullnet për të përmirësuar diçka, me ministrin Latifi një gjë e tillë duket e pamundur. Ai, thjesht, është një huqje e madhe e Albin Kurtit. Ai është personi i gabuar në vendin e gabuar.

* * *

Kosova vazhdimisht ka pasur probleme me shëndetësinë dhe njerëzit që kanë udhëhequr këtë sektor. Për vite me radhë shëndetësia iu është lënë në menaxhim partive të vogla ose atyre të pakicave, ndërkaq herë të tjera në krye të ministrisë janë emëruar njerëz koti, bash si ministri tash. Dhe çuditërisht, të gjithë ministrat e Shëndetësisë kanë qenë mjekë. Përjashtim bën Uran Ismaili, gjatë kohës së të cilit megjithatë janë bërë punë të mira.

E shumta që do të mund të kontribuonte Rifat Latifi në shëndetësinë kosovare, do të ishte farë këshilltari i ministrit, sa për të sjellë e diskutuar përvoja nga Amerika. Një pozitë të ngjashme ai e kishte marrë në vitin 2009, kur ishte emëruar këshilltar për shëndetësi i kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi.

Në pozitën e ministrit, ai nuk e ka haberin e menaxhimit. Kosovës i duhet një menaxher a menaxhere e mirë në krye të Shëndetësisë, e jo dikush shkencëtar si Latifi që jeton mes Kosovës e Amerikës dhe në fokus i ka hulumtimet shkencore e jo gjendjen shumë të rëndë në shëndetësi.

Albin Kurti do të duhej ta merrete shumë më me seriozitet sektorin e shëndetësisë, duke vënë në krye të tij një person që është menaxher i mirë, dinamik e vizionar. Por, duket se ai nuk është mërzitur fort – si dhe për sektorë të tjerë – që të bëjë ndryshimet e premtuara dhe për të cilat ka marrë besimin e qytetarëve. Mbase është tunduar nga titujt dhe puna shkencore e profesorit nga Amerika dhe ka vendosur t’ia besojë atij pozitën ndër më të rëndësishmet në qeveri.

Megjithatë, me Rifat Latifin nuk bëhet ndryshimi. Sa më herët që ta kuptojë Kurti një gjë të tillë, aq më mirë. Sa më herët ta kuptojë vetë ministri se nuk është për këtë punë, aq më shumë i ndihmon vetes dhe qytetarëve.

* * *

Po të ishte Vetëvendosja në opozitë, me siguri do të ishte shumë kritike ndaj Latifit dhe kolegëve të tij ministra. Më siguri do t’i kritikonte ata edhe për vizitat e gjata e pak produktive jashtë vendit. Me siguri do të gjente epitete nënçmuese e denigruese për ta.

Kur sheh kabinetin e Kurtit dhe, më pas, punën që është bërë nëpër ministri që nga fillimi i mandatit, pyetja e parë që të vjen ndërmend për ministrat është: ku i gjete, Albin? Por pyetja bëhet më serioze dhe merr më shumë peshë kur bëhet fjalë për Rifat Latifin. Seriozisht, ku e gjete këtë tip, Albin?