Kryeministri Kurti, dy aktet e (pa)mendësisë dhe politikat e theqafjes!? - Gazeta Express
string(67) "kryeministri-kurti-dy-aktet-e-pamendesise-dhe-politikat-e-theqafjes"

Kryeministri Kurti, dy aktet e (pa)mendësisë dhe politikat e theqafjes!?

Gazeta Express

23/03/2020 11:39

Kryeministër: Korrigjoji menjëherë veprimet paranojake e destabilizuese që ke ndërmarrë vetë ose me mendësinë e “strategëve” të ekstremit të majtë që ke akomoduar në kabinetit tënd – Ne s’kemi ndërtuar bashkë “Qeveri të Shpresës” që ta përzëmë SHBA-në nga Kosova, e t’i nxjerrim qytetarët në ballkone me tenxhere të zbrazëta, por që ta rrethojmë e mbrojmë “shtëpinë” e vendin me më shumë miq se që kishim dhe me tenxheret e qytetarëve plot!?

Ia hoqi “taksën” apo tarifat Serbisë, pa asnjë benefit për Kosovën, por për shumë benefite Serbisë…!!! Sanksione, ndërkaq, SHBA-së.

Lexo Edhe:

– Cilat janë pasojat e politikave të “mençura” të Albin Kurtit? Ç’është gjithë ky mobilizim, për theqafje kolektive!?

– Cilat janë shanset e rikuperimit e të rikthimit të “trenit të Qeverisë së Shpresës”, në binarët e ndërtuar nga votuesit?

– Një dramë në pesë akte!

Shkruan: Bardhyl Meta

Akti i parë:

Veprimi: S’hiqet tarifa ndaj mallrave të Serbisë – “krejtësisht dhe menjëherë” – ashtu siç e kërkonte SHBA-ja dhe ashtu siç i sugjeronte partneri i koalicionit LDK-ja, por, për arsye që “askush” s’i kupton, “KM Kurti, ia heq tarifat njëanshëm Serbisë”!

Krye në vete e me mend të majtistit ortodoks, këshilltarit të tij, Elvis Hoxha?

Pra, që ta themi shkurt e shqip: Ia heq “taksën” ose tarifat Serbisë, pa asnjë benefit, pa asnjë benefit për Kosovën, por për shumë benefite Serbisë…!!!

Pse po e themi se i bëri favor Serbisë, dhe asnjë benefit ndërkombëtar e kombëtar shtetit të Kosovës!?

Ngase i hoqi ashtu krye më vete, pa asnjë garancë e dakordësi të ndërmjetësve ndërkombëtarë që ne i kishim si Kosovë e shtet për këtë çështje – veçanërisht nga SHBA-ja, por i kishim edhe të binomit SHBA-BE, që në këtë pikë kishin konsens, kujtoni vendimet dhe sugjerimet e QUINT-it”!

Pasoja: Acarim marrëdhëniesh me SHBA-në! Mungesë dhe pezullim të mbështetjes politike, ekonomike, financiare dhe diplomatike të SHBA-së dhe, mbi të gjitha, edhe me kërcënime të Shtëpisë së Bardhë për tërheqjen e mbështetjes së fuqishme ushtarake të SHBA-së në Kosovë! Edhe sot e gjithherë, e vetmja garancë e qenësisë sonë si shtet i pavarur.  

Si pasojë qysh sot, jemi pa ndihma financiare nga SHBA-ja edhe në këtë kohë që po përballemi me “murtajën” e koronavirusit, kurse Shqipëria këto ditë mori injeksion të fuqishëm financiar nga SHBA-ja, ndërkaq Serbia pranoi ndihma të mëdha milionëshe nga Kina, Rusia dhe BE-ja.

Kryeministri ynë mendjendritur, Serbisë ia ktheu tregun kosovar, me arsyetimin më banal të mundshëm, që na e shpaloi ministrja e Qeverisë Kurti, Rozeta Hajdari: “Importi i lëndës së parë ishte esencial për prodhuesit vendorë”, theksoi ajo dhe tha pa i bërë syri vërr, tha se “ndonëse tarifën e mirëpritëm, ndikimi i saj në realitetin ekonomik në Kosovë nuk ka qenë siç ishte pritur”! Andaj e hoqët a?

Po pse moj Fisnike, s’ia bëtë pra këtë favor SHBA-së që po na luste ndër muaj, po ja bëtë Serbisë njëanshëm?

Pse pra, meqë paska qenë edhe nevojë e madhe e prodhuesve vendorë, pse s’vepruat njëkohësisht dhe me kohë edhe në favor të ruajtjes së miqësisë me SHBA-në si mirënjohje për mbështetjen e pakursyer e qenësore të SHBA-së tash e sa dekada, e të bënit edhe favorin prodhuesve me faktin se “importi i lëndës së parë nga Serbia paska qenë esencial për prodhuesit vendorë”!?

S’do të konvertohet më asnjëherë në favor të Kosovës ky argat që ia bëtë Serbisë dhe ky ahmakllëk e karshillëk dhe masa reciprociteti në anën tjetër, që i shpallët SHBA-së!?

Sikur t’i dëgjonte Qeveria ynë Kurti SHBA-në dhe Berlinin e BE-në, dhe ta dëgjonte partnerin qeverisës LDK-në dhe Avdullah Hotin – si rrjedhojë, Kosova do ta hiqte tarifën menjëherë, që në mbledhjen e parë, dhe do ta kishte pastaj si ngaherë mbështetjen e fuqishme të SHBA-së (dhe edhe të BE-së) në bisedime e dialog me Serbinë – dhe mbi të gjitha – i gjithë presioni ndërkombëtar pas heqjes së tarifës në bashkëveprim e dakordim me SHBA-në – do të drejtohej kundrejt Serbisë dhe politikës së saj destruktive dhe fushatës për çnjohje të Kosovës!?

Kështu si bëri e veproi kryeministri Kurti, ndërkaq, përfitoi vetëm Serbia – dhe në anën tjetër u penalizua Kosova me acarim të panevojshëm e justifikueshëm nga SHBA-ja.

As në ëndërr, s’ka arritur ta imagjinojë asnjëherë Serbia se do të vijë një kohë dhe ndonjë establishment kosovar, që do ta përmbyste relacionin aq të fuqishëm të SHBA-së me Kosovën, në favor të saj (Serbisë), siç bëri për pak ditë qeverisje e pa asnjë arsye, kryeministri Kurti!

Akti i dytë:

Veprimi: Kryetari i LDK-së, z. Isa Mustafa, i ishte drejtuar kryeministrit Kurti, me një letër më 16 mars të këtij viti. Katër ditë pasi që në zyrën e tij, së bashku me z. Vjosa Osmani dhe z. Avdullah Hoti, zv. kryeministër kishte pasur edhe një bashkëbisedim.

Takimi kishte dy çështje urgjente: t’ia bëjnë me dije KM Kurti e partnerit të koalicionit VV-së, se mosheqja e tarifës dhe ashpërsimi i marrëdhënieve me SHBA-në do ta sillte në pikëpyetje koalicionin. Në vijim adresimi që i kishte dërguar me shkrim:

“I nderuari Kryeministër, Kurti

Si partner i koalicionit, unë dhe drejtuesit tjerë të LDK-së ndajmë bindjen se nuk duhet të rrezikojmë partneritetin me SHBA-të. Se duhet ta heqim tarifën dhe Qeveria ta merr përgjegjësinë që i takon në dialog. LDK ka mbështetur Rezolutën në Kuvend për dialogun dhe nuk do të mbështes në asnjë rast një marrëveshje që prek kufijtë dhe organizimin e brendshëm.

Ne nuk mund të rrezikojmë partneritetin me SHBA-të, për shkak të tarifës.

Prezenca e fuqishme e SHBA-së në Kosovë është jetike për vendin tonë.

Kemi probleme të mëdha me virusin Covid-19. Këtë betejë duhet ta fitojmë bashkërisht.

Nuk e kemi bërë koalicionin për ta prishur, por për të bërë ndryshime.

Prandaj të lutem për mirëkuptim që tarifa të hiqet gjatë kësaj jave. Mos e kupto këtë si kërkesë të njëanshme por si interes të përbashkët.

Nëse vazhdohet kështu, posa ta kapërcejmë këtë situatë emergjente me Virusin, si LDK do të detyrohemi të dalim nga koalicioni, sepse nuk duam të jemi bashkëpërgjegjës të prishjes së marrëdhënieve me aleatin tonë kryesor.

Për këtë do ta njoftoj edhe Ambasadorin Grenell.”

Me respekt,

Isa Mustafa

Akti i tretë:

Përgjigjen që e mori LDK-ja dhe Isa Mustafa nga kryeministri Kurti, më 18 mars, ishte shkarkimi në kundërshtim me Marrëveshjen për koalicion, të nënkryetarit të parë të LDK-së, z. Agim Veliu, nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike dhe shpallja e tij, hiç më pak se, tradhtar të dyfishtë (si u tha) në adresimin e tij qytetarëve në mbrëmjen e asaj dite.

Pas këtij akti, kryetari LDK-së e zbardhi letrën si më sipër dhe shtroi dy pyetje publike dhe një udhëzim partnerit të koalicionit:

Ju pyes juve qytetarë të nderuar… dhe, edhe nja dy tre deputetë të LDK-së:

  1. A është ky veprim i drejtë i Kryeministrit tonë?
  2. A flet ky veprim se Kryeministri Kurti është i përkushtuar ta ruajë koalicionin dhe ta luftojmë bashkërisht virusin korona?

Rekomandimi: Pres edhe sot që zoti Kurti ta heqë tarifën dhe ta anulojë vendimin për shkarkimin e z. Veliu!

Pasojat: Ajo çfarë dua të them, është se Kosova s’e ka luksin që të eksperimentohet me qenësinë e saj nga kryeministri Kurti!? Qoftë si shtet (Akti parë… me SHBA-të), apo qoftë me akte destabizuese të rrënimit e zhbërjes së koalicionit dhe partneritetit të koalicionit me LDK-në përmes shkarkimit të nënkryetarit të LDK-së, z Agim Veliu (Akti dytë), me arsyetime nga më banalet “se paska përhapur panik”, por që përkthyer i bie shkurt e shqip, rrëzimin e qëllimshëm të Qeverisë sonë VV-LDK, në një kohë kaq të pakohë, në një kohë të një pandemie globale ku edhe shtete si Italia, përkundër aleancave historike e globale që Italia ka ndër shekuj (plus të qenit anëtare e BE-së dhe NATO-s) si dhe partnere e ngushtë e SHBA-së, por megjithatë, po ndihet e vetmuar dhe po kërkon ndihmë…?!

Pyetje:

  1. A veprohet kështu me partnerin tonë historik, SHBA-në? Të cilës s’gjen një qytetar Kosove që s’ia njeh falënderimin e përjetshëm për faktin e qenësisë sonë si të lirë, me shtet të pavarur e sovran, të rindërtuar e mbrojtur në arenën ndërkombëtare?
  2. A veprohet kështu me partnerin me të cilin ke dy vjet të përbashkëta opozitarizmi, dhe ke koalicion e program të përbashkët qeverisës e program masash emergjente, qoftë për sfidën kundrejt Serbisë, qoftë për masa po aq emergjente kundër krimit e korrupsionit endemik, e qoftë për masa edhe më emergjente kundër sfidës së pandemisë globale të coronavirusit vdekjeprurës, po aq vdekjeprurës, sa edhe kohërat e gjenocidit serb në vitin 1999, e të kohës kur në Itali, po vdesin rreth 700 të infektuar në ditë?!

Akti i katërt (me vetëm dy skenarë):

Në vend se të mblidhemi e mobilizohemi bashkë, shpinë-për-shpine e krah për krahu, e të ftojmë edhe çdo mendje tjetër të ndritur e të mençur dhe çdo resurs të këtij vendi, edhe përtej kartelës së librezave partiake, përballë sfidave të shumta që ka vendi, Kryeministri ynë rrënon çdo urë përbashkimi me çdokënd që s’i nënshtrohet (pa)mendësisë së tij, brenda dhe jashtë vendit!

Z. Agim Veliu, nëse s’e keni egon tuaj mbi interesat dhe emergjencën e vendit, duhet të kthehet në postin e ministrit, aty ku ishte me marrëveshjen e koalicionit!

Arsyetimet zyrtare që u dhanë se Agim Veliu ka përhapur panik, janë për tinejxherë që lëngojnë nga virusi marramendës i “brainwash-it”!

Sikur të udhëhiqej Gjermania me egon dhe (pa)mendësinë Tuaj, atëherë Bundestagu Gjerman – jo vetëm se do ta shkarkonte kancelaren Merkel, kur deklaroi në adresimin e saj kombit, se kabineti i saj parashihte rrezikun që rreth 70% e 82 milionë gjermanëve rrezikojnë të infektohen nga koronavirusi për pak javë, por edhe do ta burgoste menjëherë për destabilizim të vendit e siguri kombëtare, kancelaren Merkel!?

Edhe kryeminstri i Shqipërisë, Edi Rama, që donte të shkarkonte Ilir Metën, sikurse edhe Ilir Meta që donte të shkarkonte Edi Ramën, janë bërë aktualisht krah për krah, e janë bërë komplementarë dhe mbështesin njëri-tjetrin në këto rrethana…!

LDK, tash e 30 vjet, njihet përgjithësisht dhe mbahet mend nga çdo aleat ndërkombëtar e kombëtar, se është partner serioz në të cilin mund të llogaritet gjithëherë! S’ka pabesi, as dominime. Ndjek rrugën dhe vizionin e saj. Kjo është kultura dhe mendësia jonë.

Akti i pestë:

Neve bashkë, – pra Ju, VV-në, dhe Ne, LDK-në – qytetarët na kanë autorizuar të udhëheqim bashkë karshi sfidave që përmendëm më lart.

S’kemi vota as ne dhe as Ju, që ta luftojmë apo nënshtrojmë e ofendojmë njëri-tjetrin, dhe bashkërisht ta nënshtrojmë edhe vendin!

Zoti Kurti, nëse s’e riktheni gjendjen aty ku ishte kur u lidhëm bashkë, atëherë, në theqafjen tuaj, të përzgjedhur e vetëdëshiruar, s’na keni aleat.

Aq më pak të jemi bashkë në theqafjen e shtetit.

Në këtë të fundit, po e them krejt hapur, na keni përballë! Dhe do të afrojmë në këtë mision çdo mendje e frymë progresive brenda dhe jashtë vendit, të gjithë që s’e konsiderojnë veten monarkë e pronarë, por e duan këtë vend si të lirë, demokratik e të pavarur! Që e duan Kosovën si një vend me shumë miq e aleat, e mbi të gjitha në marrëdhënie miqësore me ShBA-në!

Paranoja, teoritë konspirative, rrahagjoksja fëmijërore karshi SHBA-së, axhamillëku karshi Serbisë, e tutje ndërtimi i kultit të “prijësit e profetit” të madh që na çon kah theqafja me teoritë “do të hamë edhe bari por s’e lëshojmë rrugën e Albinit”! – janë subjekt i mirë për Kadarenë e shkrimtarë tjerë të rinj për romane e letërsi mbi rikthimin e komunizmit dhe regjimeve të njëmendësisë e autoritarizmit – por s’mund të jenë udhërrëfyes i një kombi dhe shteti kaq të brishtë, që sapo ka kaluar fruthin, kollin e keq e teket e pubertetit!

LDK-ja as s’e zgjat dorën e s’lidhet lehtë bashkë dhe as s’largohet lehtë. Reflektojmë, kundërshtohemi, replikojmë dhe e bëjmë zëshëm, pra edhe publikisht mes nesh në parti. Edhe me partnerët! Por mbajmë fjalën.

Në rrethanën e krijuar, kemi konsensus optimal brenda partisë dhe vetëdije se fryma eksperimentuese që po etabloni dhe aktet e njëanshme, na ftojnë për urgjencë dhe veprime.

Dera është ende hapur dhe fjala është tash e Juaja, e sidomos veprimi!

Urojë për mirë…, por, sidoqoftë, shëndet z. Kurti!

Prishtinë, 23.03.2020