Lideri i ardhshëm i Hungarisë, Péter Magyar pritet të betohet si kryeministër më 9 maj, pasi presidenti Tamas Sulyok njoftoi se parlamenti i ri do të mblidhet për seancën e tij inauguruese në atë datë.
Sulyok e bëri të ditur dje vendimin përmes një postimi në “Facebook”.
Partia “Tisza”e Magyar, siguroi 52% të votave në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në fillim të këtij muaji, duke i dhënë fund 16 viteve në pushtet të kryeministrit Viktor Orbán.
Sipas sistemit zgjedhor hungarez, ky rezultat përkthehet në një shumicë prej dy të tretash në parlament, e mjaftueshme për të ndryshuar kushtetutën.
Pas propozimit nga presidenti, parlamenti mund të zgjedhë kryeministrin me mbështetjen e të paktën 50% të deputetëve.
Zgjedhja e Magyar në postin e kryeministrit konsiderohet një formalitet.
Sulyok u zgjodh president nga parlamenti në vitin 2024 me mbështetjen e partisë populiste “Fidesz” të Orbán.
Magyar ka deklaruar se e konsideron Sulyok “jo legjitim” dhe ka kërkuar dorëheqjen e tij pas formimit të qeverisë së re.
Ai ka paralajmëruar se nëse kjo nuk ndodh, grupi parlamentar i “Tisza-s” do të paraqesë ndryshime kushtetuese që do të mundësonin shkarkimin e tij nga detyra.