Pas një superkampionati të ProCredit Superligës dhe çerekfinaleve të “Play-off”-it është koha e gjysmëfinaleve apo Final 4.
Katër skuadra e duan titullin e kampionit dhe do të jetë një betejë e gjatë mes katër më të mirave për trofeun më të rëndësishëm të vitit.
Sonte do të ndeshen Bashkimi me Borën, në një duel shumë interesant.

Në garat e rregullta, prizrenasit u renditën të dytit, kurse prishtinasit të tretit. Në çerekfinale Bora e eliminoi Sigal Prishtinën.
Portokallezinjtë e kanë fituar vetëm një herë titullin, më 2018, derisa ky edicion është historik për Borën, që për herë të parë është në garat shtesë.
Ndeshje shumë interesante pritet ndërmjet rivalëve të vjetër të basketbollit të Kosovës, Trepçës dhe Pejës.
Mitrovicasit ishin liderë të elitës, derisa janë kampionë aktual dhe fitues të Kupës, kurse Verdhezinjtë duan të rikthehen te trofetë e rëndësishëm.
‘Xehetarët’ i kishin 25 fitore e tri humbje, kurse Peja ishte e pesta në Superligë, por në çerekfinale pas tri ndeshjeve e eliminoi Golden Eagle Yllin.
Trepça e ka fituar gjashtë herë titullin, duke i përfshirë në dy vitet e fundit, ndërsa Peja pesë herë titullin, për herë të fundit më 2023. /Gazeta Express