Kryediplomati sllovak ndërmjetës i BE'së për bisedimet Kosovë -Serbi? - Gazeta Express
string(66) "kryediplomati-sllovak-ndermjetes-i-bese-per-bisedimet-kosove-serbi"

Kryediplomati sllovak ndërmjetës i BE’së për bisedimet Kosovë -Serbi?

Gazeta Express

12/12/2019 17:22

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, ka paralajmëruar se shefi i ri i diplomacisë evropiane, Josep Borell, do të emërojë kryediplomatin sllovak, Mirsolav Lajcak, në pozitën e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, raporton Gazeta Express.

Selimi thotë se për një mundësi të tillë emërimi ka dëgjuar nga burime të ndryshme diplomatike, ndërkohë potencon se nuk i duket zgjedhje e mirë që një përfaqësues i një shteti që nuk e ka njohur Kosovën si shtet, të jetë emisar i BE-së për bisedimet për normalizim të raporteve në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Lexo Edhe:

“Kam dëgjuar nga tri burime të ndryshme që Josep Borell është duke e konsideruar seriozisht emërimin e Miroslav Lajcak si emisar për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ministri Lajcak është i pëlqyeshëm, por nuk mendoj që një i dërguar special duhet të vijë nga një shtet jo-njohës”, ka shkruar Selimi në profilin e tij në twitter, raporton Gazeta Express.

Se BE-ja duhet të emërojë një Përfaqësues Special për dialogun Prishtinë-Beograd e kishte thënë edhe deputeti i CDU-së, Peter Beyer, gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë nga selia e LDK’së.

“Me z.Palmer kemi kontakte të vazhdueshme. Jemi takuar disa herë në Washington, madje një herë rastësisht edhe në Prishtinë. Palmer e njeh rajonin, dhe është vërtetë një lajm i ri që ai është emëruar si përfaqësues special për rajonin. Mirëpo nuk e di çfarë të mira do të na sjellë ky emërim. Por pavarësish kësaj mendoj që edhe Bashkimi Evropian duhet ta emërojë një përfaqësues të veçantë sa i përket dialogut Serbi-Kosovë, i cili me një ekip të veçantë do të kontribuonte në mënyrë të sinqertë dhe në aspektin konstruktiv që të vazhdohet dialogu”, kishte thënë Beyer në konferencën për media pas takimit me zyrtarë të lartë të LDK’së në Prishtinë më 3 shtator.

Deri tash Përfaqësues Special për dialogun kanë emëruar Shtete te Bashkuara të Amerikës. Departamenti i Shtetit ka emëruar Matthew Palmer, ndërkohë presidenti Donald Trump ka zgjedhur ambasadorin Richard Grenell, në pozitën e emisarit për dialogun Kosovë Serbi.

Të gjitha palët që janë të interesuara për vazhdimin e dialogut, Franca, Gjermania, SHBA e Bashkimi Evropian, janë duke pritur krijimin e institucioneve të reja në Kosovë, në mënyrë që të fillojnë përpjekjet për kthimin e palëve në tavolinë.

Ndërkohë në rast se do të emërohej Lajcak si Përfaqësues Special i BE’së për dialogun, do të ishte hera e parë kur dy figura kyçe të BE’së për dialogun do të vinin nga dy vende të cilat vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës. Josep Borell nga Spanja dhe Miroslav Lajcak nga Sllovakia./GazetaExpress/