Presidenti amerikan Donald Trump tha se SHBA-ja po e anulon një sulm të planifikuar ndaj Iranit, me kusht që një marrëveshje të arrihet “shpejt”, duke përmendur përparimin në bisedime.
Përparimi i fundit i madh diplomatik erdhi në qershor, kur të dyja palët nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për pezullimin e luftimeve, ndërsa negocionin për t’i dhënë fund luftës në mënyrë të qëndrueshme. Ky menorandum u shemb pas përplasjeve të përqendruara rreth Ngushticës së Hormuzit, duke çuar në rikthimin e bllokadës amerikane dhe në një konflikt rajonal të rinovuar dhe të zgjeruar.
CNN shkruan se si rifilluan fillimisht luftimet:
1 korrik: Negociatorët amerikanë dhe iranianë udhëtojnë në Doha të Katarit për bisedime indirekte. Delegacionet bëjnë “përparim pozitiv”, thotë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari.
7 korrik: Irani qëllon ndaj tre anijeve tregtare në ujërat territoriale të Omanit pranë Ngushticës së Hormuzit, sipas një zyrtari amerikan. Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) thotë se ka ndërmarrë sulme ndaj Iranit si “ndëshkim”.
8 korrik: Irani paralajmëron se do t’i japë SHBA-së një “përgjigje shkatërruese” për sulmet, ndërsa Garda Revolucionare Islamike (IRGC) thotë se ka nisur sulme ndaj 85 objektivave ushtarake amerikane në Bahrein dhe Kuvajt. Trump e cilëson Iranin si “njerëz të këqij dhe të sëmurë” gjatë samitit të NATO-s në Turqi, duke deklaruar se memorandumi i mirëkuptimit “ka marrë fund”. Disa orë më vonë, SHBA-ja nis sulme të tjera ndaj Iranit.
9 korrik: Teherani thotë se ushtria amerikane ka goditur një urë hekurudhore në veri të Iranit. CENTCOM njofton se SHBA-ja ka goditur rreth 90 objektiva ushtarake në një valë tjetër sulmesh. Një zyrtar amerikan i thotë CNN-it se të dy vendet po vazhdojnë negociatat teknike për çështjet bërthamore.
10 korrik: Trump thotë se SHBA-ja ka rënë dakord të vazhdojë bisedimet me Iranin, por gjithashtu se Washingtoni e ka njoftuar Teheranin se armëpushimi nuk është më në fuqi. Kryenegociatori iranian Mohammad Bagher Ghalibaf thotë se Teherani është i përgatitur për “mbrojtje totale” nëse SHBA-ja e shkel marrëveshjen. Administrata Trump vendos sanksione të reja ndaj Teheranit.
11 korrik: Ministri i Jashtëm i Iranit akuzon SHBA-në për shkeljen e një klauzole të marrëveshjes që lidhet me programin bërthamor të Teheranit.
12 korrik: Garda Revolucionare Islamike njofton se ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit pasi ka qëlluar me një të shtënë paralajmëruese ndaj një anijeje që po përpiqej të përdorte një rrugë të paautorizuar për të kaluar nëpër këtë rrugë ujore. Ushtria amerikane nis sulme të tjera ndaj Iranit dhe këmbëngul se ngushtica mbetet e hapur.
13 korrik: Sulmet amerikane në mbarë Iranin vazhdojnë deri pasdite, duke vrarë të paktën dy persona, raportojnë mediat iraniane. Trump thotë se do të rivendosë bllokadën ndaj anijeve iraniane në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa SHBA-ja kryen sulme të tjera ndaj Iranit gjatë natës.