Kompany flet para ndeshjes së madhe me Realin: Po përgatitemi për versionin e tyre më të mirë - Gazeta Express
string(92) "kompany-flet-para-ndeshjes-se-madhe-me-realin-po-pergatitemi-per-versionin-e-tyre-me-te-mire"

Futboll

Gazeta Express

14/04/2026 17:14

Kompany flet para ndeshjes së madhe me Realin: Po përgatitemi për versionin e tyre më të mirë

Futboll

Gazeta Express

14/04/2026 17:14

Mbrëmja e mërkurës së 15 prillit do të sjellë një nga ndeshjet më të mëdha të këtij edicioni në Ligën e Kampionëve.

Në “Allianz Arena”, Bayern Munichu do t’i bëjë konak Real Madridit, për ndeshjen e kthimit të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve.

Ndeshja e parë, e luajtur në “Bernabeu”, përfundoi 2-1 në të mirë të “Bavarezëve”.

Për këtë takim dhe për ndeshjen e nesërme ka folur trajneri i Bayernit, Vincent Kompany, në një konferencë për shtyp.

“Mendoj se ishte një rezultat i mirë. Kaq. Ndoshta mund të kishim shënuar edhe një gol më shumë, por gjithashtu mund të kishim pësuar më shumë. Kemi një avantazh të vogël, asgjë më shumë. Ishte një ndeshje e nivelit të lartë, e vështirë dhe ende nuk ka përfunduar. Jam shumë i kënaqur me rezultatin. Dhe gjithçka që mund të përmirësojmë, do të përpiqemi ta përmirësojmë”, ka thënë fillimisht trajneri belg.

Kompany më tutje thotë se po përgatiten për versionin më të mirë të Realit në ndeshjen e nesërme.

“Një nga gjërat kryesore, pa dyshim, është se kemi shumë respekt për Real Madridin. Kështu kemi ndjerë edhe para ndeshjes në ‘Bernabéu’ dhe ende ndihemi njësoj. Po përgatitemi për versionin më të mirë të Realit, që është ai që pamë kundër Manchester Cityt. Rezultatet e fundit të tyre nuk e pasqyrojnë talentin që kanë. Ata janë ende një nga ekipet më të mira në Evropë. Por çfarë ndodh me historinë e Barcelonës, Atlético Madridit, Liverpoolit, Bayern Munichut, Arsenalit? Të gjithë mund të tregojnë një histori kur kanë bërë diçka të jashtëzakonshme. Edhe ne mundemi! Kur humbëm ndaj Interit dhe udhëtuam në Milano, ishim 100% të bindur se mund të fitonim. Reali ndjen të njëjtën gjë tani. Por ne gjithashtu e dimë si t’i dëmtojmë. Besoj fort se mund të fitojmë. Mund të flasim për gjithçka tjetër më pas, por nuk po i lë vend asgjëje tjetër para kësaj”, shtoi Kompany.

Kompany më tutje foli edhe për atmosferën në “Allianz Arena”, duke bërë me dije se do të jetë vështirë për Realin, dhe për çdo kundërshtar tjetër.

“Kam luajtur në Allianz Arena si kundërshtar dhe e kam ndjerë. Stadiumi mund ta shtypë kundërshtarin. Dhe shpresoj që nesër të mos ketë tifozë që kanë ardhur si neutralë. Pini çaj me mjaltë paraprakisht dhe përdorni gjithë zërin tuaj”, tha trajneri i Bayernit.

Si pret Kompany që do të shkojë ndeshja nesër dhe çka do ta vendosë këtë përballje?

“Do të varet nga shumë gjëra. Fillon me cilësinë individuale. Pastaj është intensiteti kolektiv dhe gatishmëria për të kaluar kufijtë e dhimbjes. Ndonjëherë edhe gjyqtari mund ta vendosë ndeshjen. Shpresoj që jo [qesh]. Por dua të them se çdo detaj ka rëndësi. Jemi të përgatitur mirë mendërisht dhe fizikisht. Dhe jemi të emocionuar për këtë ndeshje. Duhet t’i kesh këto emocione pozitive”, bëri me dije ai.

Për fund, Kompany foli edhe për tashmë kolegen e tij tek Union Berlini, Marie-Louise Eta. Kjo e fundit është gruaja e parë që është emëruar në krye të një klubi në top pesë ligat evropiane të meshkujve. Ajo do ta udhëheqë skuadrën e Union Berlinit në pesë ndeshjet e fundit të kampionatit, me synimin që ta sigurojë mbijetesën në Bundesliga.

“Jam shumë i lumtur për të. Është shumë e lehtë të nënvlerësohen këto momente dhe të thuhet se ajo është thjesht një trajnere si të gjithë të tjerët. Por në fund të fundit, është diçka e veçantë. Hap mundësi për vajzat e reja që ndiejnë se edhe ato mund të bëhen trajnere. Hap dyer. I uroj më të mirat. E vetmja gjë për të cilën shpresoj të mos trajtohet si meshkujt, është që njerëzit të tregojnë më shumë durim me të sesa me trajnerët meshkuj. Trajnimi është një profesion ku vërtet do të doje më shumë durim”, përfundoi ai./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement