Kombetarja e Kosovës ka zhvilluar sot stërvitjen e fundit para ndeshjes miqësore ndaj Andorrës, që luhet nesër në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Dardanët hyjnë në këtë test me disa mungesa në skuadër, pasi tre futbollistë nuk do të jenë të gatshëm për këtë përballje.
Aro Muric është liruar nga grumbullimi, ndërsa Amir Saipi dhe Rilind Nivokazi janë larguar për arsye personale.
Në anën tjetër, Kosova vjen në këtë sfidë pas ndeshjes miqësore të së dielës së kaluar, ku u mposht 2:1 nga Republika Çeke, në një duel ku “dardanet” treguan momente të mira, por nuk arritën te shmangin humbjen.
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka theksuar rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe nevojën që skuadra të reagojë pas humbjes së fundit.
Ai është shprehur se ekipi duhet të fokusohet maksimalisht për të marrë fitoren ndaj Andorrës, duke kërkuar paraqitje me intensitet të lartë nga minuta e parë dhe duke paralajmëruar se nuk do të ketë nënvlerësim të kundërshtarit, i cili vlerësohet si një skuadër e organizuar taktikisht.
Kjo përballje ndaj Andorrës vlerësohet si testi i fundit para fillimit të ndeshjeve të Ligës së Kombeve, të cilat nisin në muajin shtator, dhe pritet të shërbejë si mundësi për përzgjedhësin Franco Foda për të testuar formën e lojtarëve dhe disa ide të reja taktike.
Kosova do të përballet me Andorren nesër nga ora 20:00, në një ndeshje ku synohet një paraqitje bindëse dhe rikthim te rezultatet pozitive para sfidave zyrtare që vijnë në vjeshtë.