Kosova e pret sot Moldavinë, me synim për ta shmangur rënien në Ligën D - Gazeta Express
string(70) "kosova-e-pret-sot-moldavine-me-synim-per-ta-shmangur-renien-ne-ligen-d"

Kosova e pret sot Moldavinë, me synim për ta shmangur rënien në Ligën D

Gazeta Express

18/11/2020 9:35

Kosova do ta presë sot Moldavinë në Prishtinë, në një duel të drejtpërdrejt për qëndrim në Ligën C – nivelin e parafundit të futbollit në Ligën e Kombeve. Kjo do të jetë ndeshja e fundit për Kosovën këtë vit.

Kombëtarja e Kosovës vjen në këtë takim – cili zhvillohet në stadiumin Fadil Vokrri në orën 20:45 – në formën më të keqe të mundshme, sepse nuk ka fituar në 10 ndeshjet e fundit në të gjitha garat, prej të cilave i ka humbur tetë, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Kosova është në vendin e tretë në Grupin 3 më një pikë më shumë se Moldavia që renditet e fundit dhe një barazim do t’ia siguronte qëndrimin në Ligën C dardanëve.

Verdhekaltrit janë në formë dëshpëruese dhe tejet të dobët, pasi përveç se nuk e kanë asnjë fitore në këtë edicion të Ligës së Kombeve, nuk dinë për fitore që prej tetorit të vitit të kaluar.

Mungesat e shumta mund të jenë problem për Kosovën sërish, pasi përvec Milot Rashicës dhe Leart Paqaradës që munguan në të gjitha ndeshjet e këtij muaji, Bernard Berisha që tregoi formë të lartë në humbjen 2:1 kundër Sllovenisë në fundjavë, do të mungojë shkaku i kartonëve, njëlloj si edhe Benjamin Kololli.

Arbër Zeneli, Florent Muslija dhe Idriz Voca mbesin jashtë shkaku i lëndimeve. Betim Fazliji ka probleme me dokumente dhe nuk do të mundë të paraqitet.

Ndërkohë, në kombëtare është rikthyer Bersant Celina pas një shqetësimi që kishte dhe është ftuar Armend Thaci i Ballkanit nga Superliga, për shkak të mungesave në mbrojtje.

Trajneri Bernard Challandes mbetet pozitiv me koronavirus, prandaj edhe në ndeshjen e fundit të këtij viti, verdhekaltrit do të udhëhiqen nga ndihmëstrajneri Muharrem Sahiti.

Duke folur në një konferencë për media para ndeshjes, Sahiti tha se Kosova është favorite ndaj Moldavisë dhe këtë duhet ta dëshmojë në fushë.

“Moldavia nuk është kundërshtar i lehtë por ne jemi favorit dhe duhet ta dëshmojmë këtë në fushë. Ne hyjmë vetëm për fitore”, tha Sahiti.

Kjo do të jetë ndeshja e fundit për Kosovën më 2020.

Në fund të këtij muaji, Kosova do t’i mësojë kundërshtarët për kualifikime në Kupën e Botës 2022 – në të cilën do të marrë pjesë për herë të dytë – në mars të vitit 2021./Gazeta Express/