Kosova 2023: Kërkojmë punëtorë! - Gazeta Express
string(29) "kosova-2023-kerkojme-punetore"

Kosova 2023: Kërkojmë punëtorë!

OP/ED

Gazeta Express

27/11/2023 12:59

Shkruan: Bernard Nikaj

1.

Lexo Edhe:

Fluturimi nga Vjena për në Prishtinë vazhdon të mbetet njëri ndër fluturimet më të larmishme drejt Prishtinës. Aty gjithmonë mblidhet një kombinim interesant i udhëtareve të ardhur nga vende të ndryshme qe ia mësyjnë Kosovës për arsye të ndryshme. Mërgimtarë qe vijnë për pushime, ndërkombëtarë që po fillojnë misionet e tyre në njërën nga organizatat e shumta në Kosovë, por në të njëjtën kohë edhe shumë ndërmarrës, zyrtarë qeveritarë e qytetarë që kthehen në Kosovë nga udhëtimet nëpër Evropë për arsye të ndryshme.

Në një fluturim të tillë, javën e kaluar, e takova një mik telë kamotshëm, ndërmarrës te suksesshëm te cilin nuk e kisha parë për një kohe te gjate. Dhjetë vite më parë, kur ishim ne vazhdën e shumë projekteve në Ministrinë e Tregtisë e Industrisë, takoheshim shumë shpesh për të diskutuar nevojat dhe kërkesat e sektorit privat.

“Qysh po shkon puna?” e pyeta për kordialitet. “Vështirë u bo, shumë” ma ktheu ai. “ Jemi mbetë pa punëtorë. Nuk po mundemi me nisë e as me u zotu për asnjë projekt te madh, sepse s’po ka punëtorë. Nuk e kam asnjë punëtor qe e ka pagën më të ulët se 400 euro edhe prapë s’po gjejmë mjaftueshëm. Posaçërisht në ndërtimtari është bërë shumë vështirë. Aty as me 1000 euro nuk ka punëtorë.”

Biseduam për një kohë për ambientin e të berit biznes në Kosovë. Ai si gjithmonë, ishte plot ide, plot iniciativa, por edhe plot brenga e ankesa për zhvillimin ekonomik në Kosovë. Përderisa çështja e fuqisë punëtore ishte në qendër të brengave te tij, biseduam edhe për shumë çështje tjera nga politikat zhvillimore të qeverisë, vizioni për një tranzicion të gjelbër të ekonomisë e shumë çështje tjera.

Duke qenë që kam kaluar një kohe të konsiderueshme vitet e fundit duke biseduar për çështje te politikës së jashtme, dialogut dhe çështje tjera politike, u kënaqa duke biseduar për ekonominë.

Sikur u ktheva në një kohë e në një atmosferë, kur ekonomia zinte një vend të rëndësishëm në diskursin publik në Kosovë.

Mu kujtua që ka kohë që ekonomia është shtyrë në rend të dytë. Diskursi publik, por edhe unë, seç jemi habitur pas çështjeve politike, duke harruar atë shprehjen që i atribuohet Presidentit Bill Clinton: It is the economy, stupid (është ekonomia, i marrë).

2.

Vite më parë, në kohën kur punoja në Ministrinë e Tregtisë e Industrisë, patëm ndërmarrë një fushate telë gjerë e cila kishte për qellim promovimin e potencialit për investime në Kosovë para investitorëve te huaj. Së bashku edhe me përfaqësitë diplomatike të Kosovës në vende të ndryshme të botës, patëm organizuar një seri forumesh të cilat grumbullonin investitorë të huaj, investitorë tanë qe ishin të suksesshëm në vendet ku jetonin, por edhe grupe të interesuara rreth Kosovës dhe potencialeve që ofrohen.

Narrativi i prezantimeve, pak a shumë, fokusohej në këto pika: Kosova është një vend me pozitë të volitshme gjeografike, me stabilitet politik, legjislacion të përafruar me Bashkimin Evropian, ka Euro-n në përdorim, resurse të bollshme natyrore dhe mbi të gjitha kosto të ulët të operimit.

Ndër pikat kryesore të kësaj kostoje të ulët të operimit, ishin ngarkesa e ulët tatimore por gjithashtu edhe fuqia punëtore e bollshme dhe konkurruese edhe me çmim edhe me kualifikime me vendet tjera të regjionit por edhe me vende që tanimë ishin pjesë e Bashkimit Evropian (si p.sh. Rumania e Bullgaria).

Duke i përsëritur shpesh, kishim filluar edhe vet t’i besojmë këto përparësi te shkëlqyeshme te Kosovës ne raport me vendet tjera.

Edhe shumë vite më vone, edhe në Bruksel edhe në Luksemburg, jam takuar me shumë ndërmarrës dhe përherë ju kam shpjeguar për këtë ambient te shkëlqyeshëm biznesi të Kosovës.

Disa nga ata që kishim takuar nder vite, edhe kishin investuar në Kosovë. Disa nga ta ishin zgjedhur edhe Kryetarë Komunash. Jam i bindur që edhe sot zyrtarë të institucioneve të vendit tonë vazhdojnë të takojnë investitorë, t’ju prezantojnë mundësitë dhe të shpresojnë që disa nga ata edhe do të vinjë në Kosovë.

Mirëpo, realiteti dhe narrativi janë shpesh ne kundërshti njëra me tjetrën.

3.

Javën e kaluar isha ne Gjakovë. Viteve te fundit Gjakova ka pësuar ndryshime të dukshme. Si për nga investimet ne infrastrukture, po ashtu edhe për nga zhvillimi i kapaciteteve prodhuese. Duke ndërtuar mbi traditën prodhuese, kapacitetet e industrive te mëhershme si dhe nga investimet e konsiderueshme private vendore, sot Gjakova ka një numër të kompanive të suksesshme të cilat jo vetëm qe prodhojnë, por shumicën e prodhimit të vet e eksportojnë në vende të ndryshme të botës.

Mirëpo, ky zhvillim i hovshëm i viteve te fundit po ngadalësohet edhe për shkak te mungesës se fuqisë punëtore. Për ta zëvendësuar këtë mungesë, një numër i kompanive kanë filluar të sjellin punëtorë nga jashtë.

“Çka ka të re?” e pyeta babën, javën e kaluar. “ Krejt me të vjetra. Përveç që në mëhallë kanë ardhë një numër i njerëzve nga Bangladeshi. Po punojnë në njërën nga fabrikat e po jetojnë këtu afër nesh.”

“Ani mirë shumë” i thashë unë. “Tani mund të kuptoni se si ndihen gjermanët kur pranojnë emigrantë nga e gjithë bota.”

Përtej shakasë sime familjare, shume shpejt, nëse vazhdon trendi i tanishëm i largimit të të rinjve nga Kosova e së bashku me të edhe mungesa e punëtorëve në tregun vendor, zhvillimi ekonomik i vendit tonë do të varet nga punëtoret që do të mund të sigurojmë nga vendet e ndryshme të botës.

Kosova tanimë nuk mund te konkurrojë me fuqi punëtore. Ajo as nuk është e mjaftueshme, as e lire e as e kualifikuar si duhet.

Sot, Kosova po e humb aftësinë e vet për të konkurruar me ekonomitë tjera me shpejtësi. Jo vetëm qe nuk kemi fuqi punëtore te mjaftueshme, por edhe produktiviteti dhe përgatitja e fuqisë punëtore nuk është ne përputhje me kërkesat e tregut vendor apo atij ndërkombëtar. Mbi te gjitha, kostoja e fuqisë punëtore në Kosovë nuk është ne përputhje me produktivitetin e saj.

Qëndrimet në këtë tekst janë te autorit dhe nuk përfaqësojnë qëndrimet e asnjërit nga institucionet me të cilat është i asocuar autori.