Kombëtarja e Kosovës do të grumbullohet në gusht, Rugova zbulon detajet - Gazeta Express
string(70) "kombetarja-e-kosoves-do-te-grumbullohet-ne-gusht-rugova-zbulon-detajet"

Kombëtarja e Kosovës do të grumbullohet në gusht, Rugova zbulon detajet

Gazeta Express

09/06/2020 10:35

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll do të grumbullohet në pjesën e dytë të muajit gusht.

Përgatitjet do të udhëhiqen nga përzgjedhësi i Kosovës, Christos Marmarinos, i cili do të shohë nga afër formën e basketbollistëve. Forma e tyre fizike është shumë e rëndësishme, sidomos në këtë kohë kur janë pezulluar aktivitetet sportive për shkak të pandemisë Covid-19.

Lexo Edhe:

Drejtori i Përfaqësueseve të Kosovës, Granit Rugova ka dhënë më shumë detaje për këtë grumbullim.

“Grumbullimi është shumë i nevojshëm, sidomos për lojtarët që të jenë sa më shumë aktiv, në këtë kohë kur janë pezulluar aktivitetet sportive për shkak të pandemisë Covid-19”, është shprehur Rugova për faqen zyrtare të FBK-së.

“Në këtë grumbullim do të shihet edhe forma e tyre fizike, që është shumë e rëndësishme, sepse në muajin nëntor do të jemi mysafirë të Sllovakisë dhe Islandës, në para-kualifikimet evropiane për Botërorin 2023”.

“Marmarinos e ka përkrahur idenë e grumbullimit dhe në vazhdimësi është duke e përcjellë formën e lojtarëve të Kosovës. Grumbullimi do të jetë një javor, i ngjashëm me përgatitjet e muajit shkurt dhe nëntor, ku do të ketë stërvitje përgatitore fizike dhe taktike, si dhe do të shikohet mundësia e angazhimit të një ndeshje miqësore”.

“Grumbullimi do të mbahet në Prishtinë. Ne kemi filluar kampanjën për Botërorin 2023 me dy fitore dhe shpresojmë se, do të vazhdojmë me rezultate pozitive edhe në muajin nëntor dhe në shkurt të vitit të ardhshëm, kur do të kemi dy ndeshjet e fundit para-kualifikuese”.

Grumbullimi do të mbahet nëse situata me pandeminë Covid-19 do të përmirësohet në Kosovë.

Kosova në para-kualifikimet evropiane për Botërorin 2023, ka mundur në shtëpi Islandën 80:78 dhe Luksemburgun në udhëtim 80:84.