«Shteti i ri i Kosovës do të jetë i ekspanziv dhe jo i qetë.»
Shkruan: Islam Spahiu
Njëzet e pesë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, shoqëria kosovare duket se e merr të mirëqenë mbështetjen politike dhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit në përgjithësi. Natyrisht, rrethanat, gjeneratat,aktorët politikë dhe temat e mbijetesës kanë ndryshuar. Por ende nuk ka ndryshuar raporti armiqësor me Serbinë dhe varësia ekzistenciale e shtetit të Kosovës nga mbështetja e NATO-s dhe BE-së, si alternativë dhe shtëpi e vetme për një të ardhme të përbashkët.
Një çerek shekulli pas luftës në Kosovë, për shkak të invazionit rus kundër rendit dhe sigurisë evropiane, fryma e luftës ka kapluar kontinentin dhe pasojat janë ende të paparashikueshme edhe për sigurinë e Kosovës rajonit të Ballkanit Përëndimor në përgjithësi. Në një situatë të tillë edhe të luftës diplomatike për dhe kundër aleancave të reja, rileximi i teksteve të ish-sekretarit amerikan të shtetit dhe fituesit të çmimit Nobel për Paqe, Henry Kissinger për periudhën kohore 1998-1999, në prag të ndërhyrjes së NATO-s, është një rinjohje me veten, si rezultat mësimeve që mund të nxjerrën nga analizat me vlerësime kritike të një vizionari drejtuar qeverisë së atëhershme amerikane, e cila përkundër shumë dilemave, arriti në përfundimin se nuk ka dilemë, kur bëhet fjalë për ndërhyrjen e NATO-s kundër forcave serbe. Megjithatë, një sfidë, e cila mbeti e paqartë, sipas Kisingerit, ishte mungesa e një busulle të qartë – koncepti për nevojën e pashmangshme të lindjes së shtetit të Kosovës, si rezultat i luftës dhe çështja se çfarë do të jetë balanca e fuqive në Ballkan me djaljen në skenë të këtij shteti të ri.
Lufta e Kosovës si luftë për territor
Si përkrahës i diplomacisë së balancës së fuqive, si adhurues i Bismarkut dhe i shkollës prusiane të Realpolitikës dhe përfaqësues i elitës së shkollës konservatore të politikës së jashtme amerikane, H. Kissingeri e shikonte luftën e Kosovës si një luftë klasike territoriale. Ky qëndrim duket se zvogëlon përgjegjësinë e Millosheviqit dhe krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë.
Millosheviqi mban përgjegjësi të madhe për brutalitetet në Bosnje, por ndryshe nga Bosnja, Kosova është një luftë për territorin që serbët e konsiderojnë të shenjtë kombëtarisht, shkroi Kissinger në artikullin ” Insulting History”, botuar në Newsweek më 5 mars 1999. Sipas tij, presidenti Sllobodan Millosheviq është përgjegjës për shumë gjëra, veçanërisht në Bosnje, por në rastin e konfliktit të Kosovës, ai nuk është aq shkaktar i konfliktit të Kosovës, se sa shprehja e tij. Kissinger tha se shumica e udhëheqësve në Kosovë – si shqiptarët etnikë ashtu edhe serbët – e mbështetën konfliktin.
Vullnetin per luftë dhe jo tolerancë, ai e sheh edhe te kultura dhe mentaliteti politik ballkanik. Ai thotë se me shekuj, këto konflikte u shoqëruan me brutalitet të paparë, sepse asnjë nga këta popuj nuk kishte përvojë me tolerancën perëndimore – dhe në thelb nuk besonin në kompromis. Kompromisi, si mënyrët për zgjidhjen e problemeve nuk ka gjetur kurrë shumë jehonë në Ballkan.
Në prag të intervenimit të NATO-s Kissinger shkroi disa artikuj embematikë në mediat amerikane dhe përëndimore, si në Newsweek në vitin 1999 dhe në gazetën gjermane Welt am Sonntag,ku ish-kryediplomati amerikan ia përkujton administratës së Clintonit rëndësinë e rolit të Serbisë në historinë amerikane, sic është rasti kur Serbia luftoi në anën amerikanëve dhe aleatëve tjerë në dy luftëra botërore, madje, këtë e bëri duke iu kundërvu Stalinit në kulmin e fuqisë së tij.
Natyrisht se nuk mund të injorohet brutaliteti i Millosheviçit, por sipas Kissinger zhdukja e Serbisë nga ekuilibri në Ballkan mund të çojë në destabilizim në vendet e tjera fqinje ku ka pakica etnike.
Lidhur me shkaqet e luftës, Kissinger shkruan: “Lufta në Kosovë është rezultat i një konflikti shekullor. Ajo po ndodh në vijën ndarëse midis perandorisë osmane dhe perandorisë austriake, midis islamit dhe krishtenizmit dhe midis nacionalizmit serb dhe shqiptar. Grupet etnike kanë mundur të jetonin së bashku në paqe vetëm kur kjo bashkëjetesë ishte nën sundim të perandorie të huaja apo në diktaturën e Titos.»
Roli i SHBA-ve ne mes prioriteteve konkurruese.
Më shumë përkushtim H.Kissinger është marrë me Marrëveshjen e Rambujes. Ai shpreh bindjen se ajo ishte një pretekst për t’i dhënë Beorgadit një ultimatum ushtarak. “Rambuje nuk ishte një negociatë – siç pretendohet shpesh – por një ultimatum. Ishte refuzimi i parashikueshëm i serbëve për të justifikuar fillimin e bombardimeve.”
Si ithtar i realpolitikës, ai bazohet në pikënisjen e parimit të njohjes së fakteve të kryera. Ndërhyrja e NATO-s,sipas tij, automatikisht nënkuptonte krijimin e shtetit të Kosovës, të cilin strukturat ndërkombëtare nuk donin ta pranonin në atë kohë për shkak të nevojës që në formë të ruhet kontrolli mbi Rusinë dhe Serbinë,mundësisht brenda një afati kohor të caktuar.
Kissingeri shprehu mëdyshje dhe kritika ndaj planit të paqes të pasluftës për Kosovën, i cili nuk shkonte përtej autonomisë substanciale dhe gjithmonë rikonfirmonte sovranitetin jugosllav dhe e sillte Amerikën në pozitë frustruese. Rusia dhe Jugosllavia bënin gjithçka për të rivendosur sovranitetin jugosllav, ndërsa Amerika dhe NATO nuk mund të qëndronin përgjithmonë në rrugën e pengimit të realizimit të së drejtës së shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje.Kjo prodhonte sprova të konflikteve të programuara.
Këtë situtatë kontradiktore, Kissinger pëshkroi në Newsweek më 5 prill 1990: “UÇK-ja luftoi dhe vuajti për pavarësi, jo për autonomi. Pas asaj që pësuan anëtarët e tyre dhe populli i Kosovës gjatë fushatës së spastrimit etnik, do të jetë e pamendueshme që ata të qëndrojnë nën Serbi. Është edhe më e vështirë të imagjinohet “çmilitarizimi i UÇK-së” nga NATO.»
Siç, dihet, detyra prioritare e NATO-s ishte konfirmimi i tërheqjes së trupave serbe, çarmatosja e UÇK-së dhe mbrojtja e kufijve të Kosovës. Insistimi për të zbatuar rezolutën e OKB-së për një periudhë më të gjatë kohore, i bënte trupat e NATO-s si palë e përhershme në konfliktet e hidhura në Ballkan.
SHBA gjindeshin para një momentumi ku prioritetet ishin në konkurencë gjithnjë më të ashpër.Në njërën anë linja politike e OKB-së synonte ruajtjen e status cuo-së, ndersa në anën tjetër ishte vullneti i popullatës për pavarësi.Në një udhëkryq të këtillë,Kisisinger kishte një rekomandim shumë të qartë : “Do të ishte shumë më e mençur të ndërpritet Nyja Gordiane dhe t’i jepet Kosovës pavarësia, si pjesë e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse ballkanike – ndoshta me vetëvendosje për secilin nga tre grupet etnike të Bosnjës.”
Shteti i ri i Kosovës do të jetë i ekspanziv dhe jo i qetë.
Një vit para ndërhyrjes së NATO-s, Henry Kissinger, tha se ai mbështet ndërhyrjen ndërkombëtare për t’i dhënë fund gjakderdhjes në Kosovë. Ai e bëri këtë prononcim në Pragë në vitin 1998 në konferencën ndërkombëtare në Pragë, në Forumin 2000, të organizuar nga presidenti çek Vaclav Havel, duke paralajmëruar se Perëndimi po shkon drejt ndërhyrjes ushtarake në Kosovë. Kissinger tha se ai mbështet fuqishëm masat për të ndaluar menjëherë vrasjet e shqiptarëve të Kosovës.Ai poashtu tërhoqi vërejtjen nga rreziku se një zgjidhje e përkohshme e problemit të Kosovës, do te kishte për efekt vetëm ndezjen e konflikteve të reja etnike.
Në artikullin “Çfarë lidhje ka Vietnami me Kosovën”, i cili u botua më 21 shkurt 1999 në gazetën gjermane Welt am Sonntag, ish-sekretari amerikan i Shtetit Henry Kissinger analizon situatën në dy pikat më nevralgjike rajonale, sic janë Bosnja dhe Kosova .Në në rastin e Bosnjës, roli amerikan është të unifikojë kroatët, myslimanët dhe serbët në një shtet të vetëm. Edhe pse serbët dhe kroatët përpiqen për të drejtën e tyre për vetëvendosje, kjo dëshirë mbetet t’i nënshtrohet argumentimit gjeopolitik. Problemi është se nese serbeve dhe kroateve u njihet e drejta e vetëvendosjes, shteti i vogël mysliman i Bosnjës do të mbetej një burim i vazhdueshëm trazirash.
Nderkaq, lidhur me angazhimin amerikan në Kosovë, Kissingjer thote se roli amerikan mbetet në mbeshtetjen të parimit të vetëvendosjes kombëtare, që do të prodhojë një shtet të vogël, por që sigurisht se do të jetë ekspanziv dhe jo i qetë.
Kosova e pavarur shqiptare do të vijë, por ky shtet do të pretendojë që Kosoves ti bashkangjiten edhe pakicat fqinje shqiptar, para se të gjithësh ajo në Maqedoni. Dhe në fund,ndoshta edhe vetë mëmëdheu Shqipëria.
Pavarësia e Kosovës rrezik për Maqedoninë?
Me realizimin e pavarësisë së Kosovës ka mundësi reale që Maqedonia të destabilizohet dhe zhbëhet,mendon Kissnger. Sipas tij, zhvillimi i Kosovës do të ketë ndikim tek fqinjët e saj. Sidomos, ndikimi i menjëhershëm ka të ngjarë të prekë shqiptarët në Maqedoni, të cilët përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë. Ata do të mund të kërkojnë të njëjtin status që marrin kosovarët. Por,një konflikt rreth Maqedonisë do të ti vendoste SHBA-të në të njëjtën situatë si gjatë Luftërave Ballkanike në fillim të shekullit të kaluar.Sipas këtij skenari, Kosova do ti ngjanë një paraloje për një shtytje të NATO-s në Maqedoni.
Në vijim të analizës së tij, duke shtruar pyetje testuese, Kissinger demistifkon relacionin e shqiptarëve të Kosovës me Amerikën dhe NATO-n.Pra, qysh para hyrjes së trupave amerikane në Kosovë,ai diskutonte edhe mundësinë e perplasjes së interesave mes amerikanëve dhe kosovarëve.
Ai pyet : Si do te reagojmë ne dhe NATO ndaj sulmeve dhe tentativave shqiptare për bashkim?
A jemi të përgatitur për një luftë në të dy frontet dhe për sa kohë?
Si mund të shmangemi një rreshqitje të nderhyrjes të NATO-s nga një konflikt etnik në tjetrin në Ballkan?
A duhet NATO të bëhet artileri për konflikte etnike?
Kissinger:Jo status të veçantë për serbët, por ndalje të spastrimit etnik
Në disa shkrime që paraqesin një lloj koncepti për zgjidhjen afatgjate të krizës së Kosovës, Kinssiger nuk ka paraparë asnjë status të vecantë për minoritetin serb në Kosovë. Ai parashikoi rrezikun e mundësisë së një ikjes së serbëve nga Kosova, e cila mund të ndalohej vetëm nga prania afatgjatë ushtarake e NATO-s në Kosovë. Ai paralajmëron SHBA-të : “Nëse nuk jemi të përgatitur të mbajmë një prani gati të përhershme ushtarake, mund të ndodhë spastrim etnik i popullatës serbe. Dhe meqenëse kemi hyrë në luftë për të mbrojtur popullin shqiptar nga spastrimi etnik i Serbisë, tani jemi të detyruar ta mbrojmë popullin serb nga zemërimi i fqinjëve shqiptarë. ».
Kjo prezencë ushtarake në Kosovë, po e vendos Amerikën në mënyrë të padukshme në rrugën e zëvendësimit të perandorisë osmane dhe asaj austrohungareze në Ballkan dhe me kalimin e kohës mund të përballet edhe me armiqësi me popullsinë vendore, njejtë,sic u ka ndodhur edhe perandorive të mëparshme.
Kosova si simbol i poshtnimit të Rusisë
Kosova është bërë një simbol i zhgënjimit rus pas Luftës së Ftohtë.Rusia ndihet thellësisht e poshtëruar. Kosova është bërë simbol publik i ndikimit rus dhe poshtërimit publik nga ana e Perëndimit.
Moska ka të ngjarë të kërkojë mundësi për ta penguar Perendimin ose për të kundërshtuar diku tjetër atë që ajo i percepton si tendenca hegjemoniste të Amerikës. Nga këndvështrimi i SHBA-së, sa më shpejt që çështja e Kosovës të hiqet nga agjenda ruso-amerikane, aq më mirë për marrëdhëniet afatgjata. Imazhi i Rusisë si një lojtar historik në skenën e futbollit duhet marrë seriozisht. Prandaj më pak sociologji dhe më shumë politikë e jashtme, vlerëson Kissinger.
Lufta e Kosovës dhe ardhmeria e NATO-s
Aleanca atlantike nuk do të jetë më e njëjta pas Kosovës. Prandaj është i pashmangshëm debati për të ardhmen e aleancës atlantike. Transformimi i aleancës nga një grupim ushtarak mbrojtës në një institucion i gatshëm për të përdorur forcën për të zbatuar vlerat e saj në një provincë jashtë zonës së NATO-s, ndodhi në të njëjtët muaj që tri ish-shtete satelite sovjetikë iu bashkuan NATO-s.
Si rezultat i luftës së Kosovës, Shtetet e Bashkuara mund të krenohen që arritën ti bëjnë të drejtat e njeriut pjesë integrale të politikës së jashtme.
Pse të presësh, kur mundesh me hy direkt me Fast Lane? Si Sponsor Gjeneral i Sunny Hill Festival, Banka...