Karroca e Lichtenberg-ut - Gazeta Express
string(24) "karroca-e-lichtenberg-ut"

Karroca e Lichtenberg-ut

Arben Idrizi

22/01/2020 17:09

Vetëvendosje dhe LDK-ja, opozitë, kanë pshurrur mbi karrocën e PDK-së dhe AAK-së, pushtetit, gjatë gjithë qeverisjes së tyre. E natyrshme. Tash që është larguar karroca dhe nuk po gjejnë një pëlqim për formimin e qeverisë, të dyja palët herë pas here hedhin akuza, bukur të rënda dhe mosduruese, ndaj njëra-tjetrës

Mund të ndodhë – edhe pse kundërshtarët politikë do të ishin të lumtur, në prapaskenën e errët të heshtjes së tyre, të mos ndodhte fare – që Vetëvendosja dhe LDK-ja ta formojnë qeverinë e re në ditët e mbetura të afatit. Do të ishte një lehtësim i madh për të gjithë ata që kanë votuar për ta parë të jetësohet dhe për të gjithë ata që ndoshta nuk kanë votuar, por në fund të fundit do të donin një qeveri për vendin e tyre, edhe nëse as për së afërmi jo të atë idealen.

Lexo Edhe:

Ndërkohë, kanë kaluar mbi tre muaj dhe subjektet politike fituese të zgjedhjeve, pikërisht ato që pritej dhe trumbetohej se më së lehti do të merreshin vesh mes vetes, ende nuk kanë arritur të vijnë deri te një marrëveshje.

Gjendja e krijuar ta kujton atë aforizmin e Lichtenberg-ut: «Katër deputetë pshurrin një karrocë; kur ajo largohet, atëherë ata pshurrin njëri-tjetrin».

Vetëvendosje dhe LDK-ja, opozitë, kanë pshurrur mbi karrocën e PDK-së dhe AAK-së, pushtetit, gjatë gjithë qeverisjes së tyre. E natyrshme. Për shumë çka, madje me shumë të drejtë. Por, kanë bërë çmos, pa zgjedhur argumente e skrupuj, të pshurrin mbi të sidomos gjatë fushatës zgjedhore dhe kjo në njëfarë mënyre i ka bërë edhe të fitojnë në zgjedhje. Ishte shkurtpamësi e tyre apo indiferencë ndaj asaj që do të vinte ashtu siç e dinin se do të vinte, largimit të karrocës? Besoj, më shumë e dyta.

Tash që është larguar karroca dhe nuk po gjejnë një pëlqim për formimin e qeverisë, të dyja palët, si fillim, herë pas here hedhin akuza, bukur të rënda dhe mosduruese, ndaj njëra-tjetrës. Sigurisht, nga eksponentët kryesorë ende ka përmbajtje nga akuzat dhe fyerjet, me shpresë të arritjes së një marrëveshjeje, jo pse parimisht janë kundër sulmeve të tilla. Gjithçka do të harrohej nëse përfundon mirë. Mirëpo, ditën që do të kalojë afati pa gjetur një zgjidhje, duke qenë se ajo karroca e mëparshme nuk është më aty, atëherë pshurrja kundër njëri-tjetrit do të bëhet e pashmangshme. Liderët e të dy partive do të jenë garuesit kryesorë cili po e hedh më larg. Nuk do të jetë aspak kohë e mirë, as për ata që gëzohen të ndodhë kjo gjë. Stërkalat, as në breg, kurrë nuk kanë qenë lehtësim.

Ndërkohë, humbësit e zgjedhjeve do të ndihen fitues si do që të jetë. Nëse formohet qeveria, do ta kenë një karrocë ndaj së cilës do t’i shfrynin ca nevoja. Nëse jo, do të kërkojnë të jenë përsëri në karrocë, pavarësisht se dikush do të mbështetet për saj për t’i shfryrë ato nevoja.