Atlético Madridi po monitoron situatën e Victor Osimhenit si një alternativë në rast se largohet Julián Álvarezi.
Raportimet thonë se ka pasur tensione të dukshme mes Atlético Madridit dhe Barcelonës, të shkaktuara nga lajmet se katalanasit po përpiqen të sigurojnë shërbimet e sulmuesit argjentinas dhe madje janë afër një marrëveshjeje.
Reagimi i klubit madrilen ka qenë i ashpër, duke theksuar se Álvarezi është një “shtyllë kryesore e projektit” dhe se nuk kanë ndërmend ta shesin.
Megjithatë, sipas “Mundo Deportivo”, Barcelona ka dërguar një ofertë fillestare prej 100 milionë eurosh për sulmuesin.
Përveç Barcelonës, interes për Álvarezin kanë shfaqur edhe kampionët e Paris Saint-Germaini dhe Arsenali.
Në këtë situatë, Atlético po shikon alternativa të mundshme dhe një nga emrat kryesorë është Victor Osimheni.
Sulmuesi nigerian, i cili u transferua përfundimisht te Galatasaray pas huazimit, ka qenë vendimtar në sukseset e fundit të klubit turk dhe ka kontratë deri në vitin 2029.
Çdo klub që dëshiron ta transferojë do të duhet të paguajë një shumë që varion nga 70 deri në 100 milionë euro.
Ndërkohë, ai është gjithashtu në listën e dëshirave të Manchester Unitedit.
Situata për sulmin e Atlético Madridit bëhet edhe më urgjente duke marrë parasysh largimin e Antoine Griezmannit, i cili ka qenë një nga lojtarët më produktivë të klubit në vitet e fundit./GazetaExpress/