Java e ardhshme do të nisë rinumërimi i votave për qarkun e Tiranës dhe Fierit. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, gjatë një komunikimi me gazetarët sqaroi se stafi i KQZ do të numërojë në total 610 mijë vota dhe procesi do të zhvillohet në ambientet e Pallatit të Sportit “Farie Hoti”.
“Për çdo tavolinë numërimi do të ketë transmetim online në kohë reale të procesit. Ambientet e Pallatit të Sportit ‘Farie Hoti’ do të jenë të monitoruara nga kamerat 24/7, dhe do të ketë transmetim në kohë reale të këtij monitorimi. Parashikohet që për qarkun e Tiranës dhe të Fierit ky proces të zgjasë 18-20 ditë”, tha Celibashi.
Duke marrë parasysh kohën që kërkon procesi i rinumërimit si dhe procesin e ankimimit në Kolegj Zgjedhor, Celibashi parashikon se rezultati përfundimtar i zgjedhjeve mund të dalë rreth mesit të muajit gusht.
“Do vazhdojmë pa ndërprerje, gjithë administrata do jetë në punë, kemi anuluar dhe lejet vjetore për gjithë stafin, për të qenë në punë edhe gjatë korrikut edhe gushtit. Me siguri që, sikurse e thashë, vetëm për këto dy qarqe do duhen 18-20 ditë për të përfunduar procesin e rinumërimit, shto edhe ditët që do mund të duhen për ankimet në Kolegj. Edhe gjysma e parë e muajit gusht do na gjejë të angazhuar me procesin zgjedhor të 11 majit”, deklaroi Celibashi.