Java e 18-të në Superligën e Kosovës në basketboll nis sot me dy ndeshje që pritet të jenë mjaft interesante.
Derbi i kësaj xhiroje do të zhvillohet nga ora 17:00, në palestrën sportive “13 Qershori”, mes Golden Eagle Yllit dhe Pejës, shkruan Gazeta Express.
Të dy skuadrat hyjnë në këtë ndeshje pas humbjeve në javën e kaluar. Ylli u mposht nga Sigal Prishtina, kurse Peja pësoi ndaj Trepçës.
Therandasit janë në vendin e katërt me dhjetë fitore e shtatë humbje, derisa pejanët në vendin e dytë me 12 fitore e pesë humbje.
Ndeshja e dytë në program për sot do të zhvillohet nga ora 19:00, në palestrën sportive “Sezai Surroi”, mes rivalëve lokal, Bashkimit dhe Proton Cable Prizrenit.
Bashkimi hyn në ndeshje me forkë më të mirë, pas dy fitoreve rresht në xhirot paraprake – ndërsa, Prizreni nuk di për fitore tash e tri ndeshje rresht.
Bashkimi është në vendin e gjashtë me gjashtë fitore e 11 humbje, kurse Prizreni në vendin e shtatë me pesë fitore e 12 humbje. /Gazeta Express/