Ardon Jashari ishte një nga investimet më të rëndësishme të Milanit nën drejtimin e Giorgio Furlanit dhe Igli Tares.
Mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane ka qenë dhe vazhdon të jetë një futbollist te i cili klubi kuqezi beson shumë.
Megjithatë, paraqitjet e tij deri më tani nuk i kanë përmbushur plotësisht pritshmëritë dhe premtimet që e shoqëruan në momentin e transferimit, shkruan “Tuttomercatoweb”, përcjell “Gazeta Express”.
Mesfushori i lindur në vitin 2002 i kushtoi Milanit rreth 39 milionë euro, një investim i konsiderueshëm që bëri që drejtuesit e klubit, përfshirë Gerry Cardinalen, ta prisnin një ndikim të menjëhershëm në skuadër.
Megjithatë, te Milani janë të vetëdijshëm se shuma e paguar nuk duhet të ushtrojë presion shtesë mbi lojtarin.
Klubi vlerëson se Jasharit i nevojitet koha e duhur dhe kushtet e përshtatshme për t’u integruar plotësisht në mekanizmat e ekipit dhe për ta shfaqur potencialin e tij të plotë.
Besimi ndaj tij mbetet i paprekur dhe ai konsiderohet një aset i rëndësishëm për të ardhmen, veçanërisht në një moment kur mund të ketë ndryshime në repartin e mesfushës.
Luka Modrić mund të largohet, Adrien Rabiot mund ta ndjekë Massimiliano Allegrin në aventurën e tij të ardhshme, ndërsa edhe e ardhmja e Samuele Riccit mbetet e paqartë.
Për këtë arsye, Milani kërkon siguri në mesfushë dhe vazhdon të ketë besim te cilësitë e Jasharit, të cilat ende nuk janë shfaqur plotësisht në Milano.
Megjithatë, pas sezonit të fundit dhe interesimit të klubeve të ndryshme, ekzistojnë disa pikëpyetje për të ardhmen e tij.
Jashari po monitorohet nga skuadra në Gjermani, ndërsa edhe në Itali nuk mungojnë klubet e interesuara.
Mes tyre është edhe Como, i cili raportohet se ka kërkuar informacione për situatën e mesfushorit.
Pavarësisht interesimit nga klubet e tjera, Milani vazhdon ta konsiderojë Ardon Jasharin pjesë të rëndësishme të projektit dhe beson se ai ende nuk e ka treguar potencialin e tij të vërtetë me fanellën kuqezi. /Gazeta Express