Avokati kosovar Arbër Jashari ka reaguar ndaj raportimeve të fundit për, siç i ka quajtur ai, përndjekje, shkarkime nga puna dhe forma të ndryshme të presionit ndaj qytetarëve serbë të Kosovës, të cilët mbështesin subjekte të tjera politike serbe përveç Lista Serbe, e cila mbështetet drejtpërdrejt nga Beogradi.
Jashari tha se këto zhvillime janë “thellësisht shqetësuese dhe të papranueshme”, duke kërkuar nga institucionet e Republika e Kosovës që të ndërmarrin masa konkrete për t’u garantuar qytetarëve serbë të drejtën për ta shprehur lirshëm vullnetin e tyre politik, pa frikë dhe pa presion.
Sipas tij, integriteti i zgjedhjeve duhet të mbrohet në çdo rrethanë, ndërsa ndikimi në përcaktimin e lirë të votuesve përbën vepër penale dhe ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi.
“Shantazhuesit, manipuluesit dhe mbjellësit e frikës duhet të mbajnë përgjegjësi para ligjit”, ka theksuar Jashari.
Ai ka vlerësuar se nuk mund të ketë demokraci të plotë pa demokratizimin e çdo komuniteti në Kosovë, duke shtuar se pluralizmi politik brenda komuniteteve është i domosdoshëm dhe duhet të mbrohet.
Ditëve të fundit janë publikuar disa raportime dhe dëshmi nga qytetarë serbë të Kosovës, sipas të cilave pjesëtarë të policisë në kufirin me Serbia i kanë ndaluar dhe i kanë pyetur se për kë do të votojnë në zgjedhje. Po ashtu, një ditë më parë, Beogradi zyrtar u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të votojnë për Lista Serbe.