IZRAELI SI ARGUMENT I RREJSHËM PËR ZGJEDHJE TË REJA NË KOSOVË - Gazeta Express
string(61) "izraeli-si-argument-i-rrejshem-per-zgjedhje-te-reja-ne-kosove"

IZRAELI SI ARGUMENT I RREJSHËM PËR ZGJEDHJE TË REJA NË KOSOVË

Gazeta Express

31/05/2020 16:48

Në fund, mbasi ansjëri nga blloqet fituese në Izrael nuk ia doli të siguronte 61 vota për të formuar Qeverinë mbas tri palë zgjedhjeve, ato bënë Qeveri të unitetit kombëtar me një marrëveshje të çuditshme me kryeministra që do të ndërrohen me rotacion.

Shkruan: Muhamet Hamiti

Lexo Edhe:

Avokatët e zgjedhjeve të reja në Kosovë, kundërshtues të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që i jep të drejtën shumicës parlamentare të bëjë Qeveri mbas dështimit të fituesit të zgjedhjeve (VV-së, që përbën pakicën parlamentare me më pak se një të katërtën e ulëseve në Kuvend), flasin për ‘shkelje të vullnetit të popullit’ (sic) dhe përmendin Izraelin si vend që ka bërë tri palë zgjedhje në vitin e fundit (prill 2019 – mars 2020) para se të formonte Qeverinë.

Në fund, mbasi ansjëri nga blloqet fituese në Izrael nuk ia doli të siguronte 61 vota për të formuar Qeverinë mbas tri palë zgjedhjeve, ato bënë Qeveri të unitetit kombëtar me një marrëveshje të çuditshme me kryeministra që do të ndërrohen me rotacion.

Ndonëse Kosova dhe Izraeli kanë ngjashmëri sa u përket sistemeve zgjedhore (të dyjat kanë parlamente 120-anëtarëshe të zgjedhur me sistem proporcional, me një njësi zgjedhore në gjithë vendin), krahasimet që bëjnë avokatët e sipëpërmendur nuk qëndrojnë. Pse? Izraeli u detyrua të bënte zgjedhje të reja mbasi thjesht asnjëra palë nuk mundi të siguronte shumicë parlamentare prej 61 deputetësh për ta formuar Qeverinë. Po të mund ta siguronte, cilado palë do ta bënte Qeverinë që pas zgjedhjeve të prillit të vitit 2019 në Izrael.

Ja si ka shkuar lakorja e rezultateve dhe si ka rrjedhur puna në Izrael në vitin e fundit elektoral.

Në zgjedhjet e prillit të vitit 2019, të dy partitë/koalicionet fituese (Likud dhe Kaltër e Bardh) dolën me numrin e njëjtë të ulëseve në Parlament (nga 35 në Parlamentin 120 anëtarësh), ndonëse Likudi i Benjamin Netanjahut kishte një epërsi të lehtë në përqindje (26.46% kundrejt 26.13 të koalicionit të Beni Gancit).

9 prill 2019

Likud Benjamin Netanyahu 26.46% 35

Blue and White Benny Gantz 26.13% 35

Mbasi asnjëra palë nuk mundi të siguronte numrat (61 deputetë) për formim të Qeverisë, u vendos të mbaheshin zgjedhje të jashtëzakonshme në shtator të vitit 2019. Parlamenti e shpërndau veten, për herë të parë në histori, para se të formohej Qeveria, dhe vendosi për zgjedhje të reja në shtator.

Në këto zgjedhje, lideri i opozitës Beni Ganx (i koalicionit Kaltër dhe Bardh) doli përpara, fitoi një ulëse më shumë se Likudi i Kryeministrit në detyrë Bejnamin Netanjahut.

17 shtator 2019

Blue and White Benny Gantz 25.95% 33

Likud Benjamin Netanyahu 25.10% 32

Mbasi as pas këtyre zgjedhjeva asnjëra palë nuk ia doli të siguronte shumicën prej 61 deputetësh për formim të Qeverisë, zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme u bënë të paevitueshem.

Në zgjedhjet e marsit të këtij viti, Likudi i Netanjahut doli i pari, me tre përqind më shumë dhe 3 deputetë më shumë se rivalët Kaltër e Bardh të Beni Gancit.

2 mars 2020

Likud Benjamin Netanyahu 29.46% 36

Blue and White Benny Gantz 26.59% 33

Mbasi edhe pas këtyre zgjedhjeve parlamentare, të tretave brenda në viti, as Kryeministri Benjamin Netanjahu as lideri i opozitës Beni Ganc nuk mundën të siguronin shumicën në koalicione me parti më të vogla, vendosën ta zhbllokojnë situatën politike dhe të bëjnë Qeveri të Unitetit Kombëtar ndërmjet vete.

Simbas marrëveshjes për Qeveri të Unitetit Kombëtar, Kryeministria do të mbahet me rotacion. Kryeministri në detyrë dhe fituesi i zgjedhjeve u bë Kryeministër ndërsa Beni Ganci mori detyrën e Kryeministrit Alternativ deri në nëntor të vitit 2021. Në atë kohë, Ganci do të bëhet Kryeministër ndërsa Netanjahu Kryeministër Alternativ.

Parlamenti izraelit (Knesset) prej 120 deputetësh zgjedhet nëpërmjet sistemi zgjedhor proporcional me lista të mbyllura. Pragu zgjedhor në Izrael është 3.25%. Izraeli ka vetëm një njësi (zonë) zgjedhore.

Në Izrael janë organizuar tri palë zgjedhje për një vit mbasi asnjëra palë nuk ia ka dalë të krijojë shumicë parlamentare me 61 deputetë. Edhe Kosova do të detyrohej të organizonte zgjedhje po qe se askush nuk do t’ia dilte të krijonte shumicë parlamentare prej së paku 61 deputetësh për të formuar Qeveri.