Ish-kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe gjykatësi i Gjykatës Supreme, Albert Zogaj tha se Kosova ka ndërtuar dhe konsoliduar institucionet e drejtësisë në një kohë relativisht të shkurtër, por sipas tij, zhvillimi nuk ka ndjekur të njëjtin ritëm me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve.
“Kemi ndërtu institucione, madje edhe i kemi konsolidu me thënë të drejtën dhe kur shikohet duke e krahasu me vende tjera e kemi ba në kohë rekord sepse veç 25 vite janë realisht të këtij gjyqësori. Mirëpo, mosecja me kohë nënkupton që në mënyrë të kujdesshme dhe të mbështetur nga shteti, nuk është zhvillu drejtësia. Ne, nuk e kemi përcjellë sa është kërkesa e qytetarit që kërkon shërbim në gjyqësor dhe sa është ky potencial”, tha ai.
Sipas tij, në një farë forme institucionet janë mjaftuar me ekzistencën e tyre, pa e analizuar mjaftueshëm përmbajtjen dhe cilësinë e shërbimeve që ofrohen.
“Pra, në njëfarë forme ndoshta jemi mjaftu me ekzistencën e institucionit pa e shiku çfarë përmbajtje të shërbimeve po jep. Ato duhet të jenë të thjeshta, cilësore, të besueshme, shumë lehtë të qasshme dhe duhet të jenë të sigurta që është shumë me rëndësi”, tha Zogaj për ”Betimi për Drejtësi”.
Rrjedhimisht, Zogaj tha se në këtë kontekst, janë ndërtuar, hartuar dhe miratuar strategji, plane e veprime, por sipas tij në fazën e zbatimit ka pasur dobësi në ndërveprim. Tha se përveç efikasitetit sa i përket numrit të rasteve të kryera, problem tjetër mbetet edhe cilësia.
“Mungesa e potencialit që realisht e ka pas gjyqësori në njerëz në radhë të parë dhe në dije. Të dyja janë; nuk duhet me e mohu asnjëherë. Janë dy problematika; edhe në mungesë të potencialit pra burimeve njerëzore dhe tash teknologjike. Si dhe njëkohësisht edhe mungesës së kapacitetit në dije për shkak se e dimë këtë procesin e ping-pongut që është edhe ndonjëherë brenda gjyqësorit, kanë kriju situata që gjyqtari edhe zyrtari edhe vetë gjykata e po ashtu struktura gjyqësore në përgjithësi është përballur me pamundësinë e adresimit të gjërave edhe në kohë edhe në cilësi”, tha Zogaj.
Për këto dhe më shumë, ndiqeni podcastin me gjyqtarin e Gjykatës Supreme, njëherësh ish-kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj.