Instagram heq privatësinë e plotë në mesazhe - Gazeta Express
string(44) "instagram-heq-privatesine-e-plote-ne-mesazhe"

AutoTech

Gazeta Express

11/05/2026 18:57

Instagram heq privatësinë e plotë në mesazhe

AutoTech

Gazeta Express

11/05/2026 18:57

Meta ka hequr në heshtje një veçori që dikur e kishte promovuar si hap të rëndësishëm për privatësinë.

Nëse përdorni Instagramin për të dërguar mesazhe direkte te miqtë apo familjarët, platforma nuk ofron më enkriptim nga skaji në skaj për këto biseda. Që prej 8 majit, Instagram ka hequr opsionin e enkriptimit end-to-end për mesazhet direkte, duke kthyer mbrapsht një vendim që kompania mëmë Meta e kishte shpallur që në vitin 2019.

Ky lloj enkriptimi garantonte që mesazhet e dërguara në Instagram të lexoheshin vetëm nga dërguesi dhe marrësi. E njëjta teknologji përdoret si standard në WhatsApp, ndërsa në Facebook Messenger është e disponueshme për mesazhet personale.

Megjithatë, në Instagram ky funksion nuk kishte qenë kurrë i aktivizuar automatikisht. Ai ekzistonte si një opsion i fshehur, që përdoruesit duhej ta zgjidhnin vetë. Një model të ngjashëm përdor edhe Telegrami.

Instagram ka njoftuar në faqen e tij të mbështetjes se përdoruesit që preken nga ky ndryshim do të shohin udhëzime se si mund të shkarkojnë mediat ose mesazhet që duan të ruajnë.

Një zëdhënës i Metës tha për PCMag se vendimi për ta hequr këtë opsion u mor sepse shumë pak njerëz e përdornin enkriptimin nga skaji në skaj në mesazhet direkte të Instagramit. Sipas kompanisë, ata që duan të vazhdojnë të komunikojnë me këtë nivel mbrojtjeje mund ta bëjnë lehtësisht përmes WhatsApp-it.

Por ekspertë të privatësisë e shohin ndryshe këtë vendim. Matthew Hodgson, bashkëthemelues dhe drejtor ekzekutiv i platformës së sigurt të komunikimit Element, e quajti justifikimin për “përdorim të ulët” një shpërqendrim tipik të kompanive të mëdha teknologjike.

Sipas tij, nëse e ardhmja do të ishte vërtet private, privatësia do të ishte standard, jo një opsion i fshehur që kompania mund ta heqë kur i leverdis. Ai shtoi se ky ndryshim tregon se, nëse përdoruesi nuk i kontrollon vetë çelësat e enkriptimit, ai nuk e kontrollon realisht as të dhënat e veta.

Mark Zuckerberg kishte njoftuar në vitin 2019 planet që Meta, atëherë ende e quajtur Facebook, të sillte enkriptimin nga skaji në skaj në produktet e saj, duke deklaruar se “e ardhmja është private”. Teknologjia u fut më pas në Facebook Messenger dhe Instagram, por me heqjen e saj nga Instagrami, situata ndryshon ndjeshëm.

Në praktikë, pa enkriptim end-to-end, Meta ka mundësi teknike të aksesojë përmbajtjen e komunikimeve në mesazhet direkte të Instagramit. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se kompania i lexon aktivisht të gjitha bisedat, por niveli i mbrojtjes nuk është më i njëjtë.

Hodgson e cilësoi këtë si një tërheqje të madhe nga premtimi për privatësi. Sipas tij, çaktivizimi i enkriptimit është një dorëzim ndaj mbikëqyrjes dhe një dhuratë për sistemet e trajnimit të inteligjencës artificiale. Ai argumenton se Meta po vendos se të dhënat e nxjerra nga mesazhet dhe shënimet zanore vlejnë më shumë se e drejta themelore për një bisedë private.

Produkte të tjera të njohura, si Gmail i Google, gjithashtu nuk janë të enkriptuara nga skaji në skaj. Kjo u mundëson kompanive të përdorin të dhënat për reklama të targetuara dhe për shërbime gjithnjë e më të personalizuara të inteligjencës artificiale. Google ka argumentuar se, pa qasje në përmbajtjen e email-eve, nuk mund të ofrojë shërbime të përshtatura me përdoruesin.

Nga ana tjetër, WhatsApp i Metës, iMessage i Apple dhe aplikacioni Signal vazhdojnë të ofrojnë komunikim të enkriptuar nga skaji në skaj. Për përdoruesit që e kanë privatësinë prioritet, këto mbeten alternativa më të sigurta se mesazhet direkte në Instagram. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement