IKMT ka shembur sot me tritol një godinë 12-katëshe në Durrës. Në njoftimin e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit thuhet se është përdorur 88 kg tritol, ndërsa procedura e ndjekur aplikohet për herë të parë.
Pallati ka qenë i banuar, por si pasojë e tërmetit ka pasur anim ne njërin krah.
“Duke përdorur 88 kilogramë lëndë plasëse në 1200 furnela (vrima) specialistët e IKMT, kanë kryer shpërthime në të gjitha katet e brendshme të godinës. Sipas specialistëve, kjo procedurë është përdorur pasi muret e objektit kanë qenë beton arme me dy zgara hekuri nga themelet deri në kat të fundit, me 40 cm trashësi dhe ishte e pamundur që objekti të shembej me mënyrat e zakonshme. Kjo ishte faza e dytë e punës në këtë ndërtese. Pallati 12 katesh, i cili ka qene i banuar, ka pësuar anim në njërin krah pas tërmetit te 26 nëntorit te vitit të kaluar”, thuhet në njoftim.
Deri tani në Durrës, IKMT ka shembur mbi 100 objekte të lartë.