Më në fund Milani e bëri zgjedhjen e tij. Sipas asaj që raporton Corriere della Sera, Igli Tare do të jetë drejtori i ri sportiv i kuqezinjve.
Kujtojmë që zgjedhja e drejtorit të ri sportiv të Milanit zgjati disa muaj pasi drejtuesit kishin disa emra në listë mes të cilëve Andrea Berta, Fabio Paratici, Tony D’Amico etj.
Siç duket, ish-sulmuesi i Shqipërisë, Igli Tare arriti të mposhtë konkurrencën në një kohë kur ishte edhe i preferuari i Zlatan Ibrahimoviç.
Media italiane shkruan se, firma nuk është hedhur ende, por akordi mes palëve është arritur me një marrëveshje dyvjeçare me opsionin për t’u zgjatur edhe një vit tjetër.
Igli Tare do të ketë për detyrë të bëjë kompetitive një skuadër që këtë vit zhgënjeu në të gjitha kompeticionet.
Së pari vjen zgjedhja e trajnerit dhe më pas përgatitja e ekipit të ri. Sfida që i shtohet edhe mungesa e parave nga Champions League ku kuqezinjtë do të mungojnë vitin e ardhshëm.
Më herët, Tare është shprehur se është nder i madh nëse do të punonte në një klub të madh siç është Milani, përcjell Klan.
“Milani është synim për të gjithë. Të punosh për një klub historik dhe prestigjioz do të ishte një nder i madh”, është shprehur Tare për një intervistë në La Stampa.