Hovenier përmend kritikat që u bëhen prokurorëve, përfshirë edhe nga Qeveria: Është fruestruese, nganjëherë edhe ofenduese - Gazeta Express
string(119) "hovenier-permend-kritikat-qe-u-behen-prokuroreve-perfshire-edhe-nga-qeveria-eshte-fruestruese-nganjehere-edhe-ofenduese"

Hovenier përmend kritikat që u bëhen prokurorëve, përfshirë edhe nga Qeveria: Është fruestruese, nganjëherë edhe ofenduese

Lajme

Gazeta Express

02/03/2024 12:21

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se puna e prokurorëve është jetike për sistemin e drejtësisë, shoqërinë në përgjithësi por edhe të ardhmen e Kosovës.

Duke folur në konferencën vjetore të Prokurorit të Shtetit, Hovenier përmendi kritikat që bëhen ndaj prokurorëve për punën e tyre, përfshirë edhe nga Qeveria, ku tha se është i bindur që për prokurorët është fruestruese e edhe ofenduese që të përballen me kritika për punën e tyre, raporton Express.

Lexo Edhe:

“Prandaj edhe pse mund të shiheni si figura të fuqishme në sistemin e drejtësisë penale të Kosovës, është e pritshme që të kritikoheni për punën tuaj, veçanarisht nga ata që nuk janë të familjarizuar me procedurat, praktikat ligjore, që janë hartuar për të siguruar trajtim të barabartë sipas ligjit, dëshmive dhe standardeve tjera ligjore. Jam i bindur që është fruestruese, nganjëherë është edhe ofenduese që të përballeni me kritika për shkak të punës që e beni, që e bëni punën mirë, jo vetëm nga publiku por edhe nga udhëheqësit e degëve tjera të qeverisë, që poashtu kanë përgjegjësi për të mbrojtur sundimin e ligjit në Kosovë dhe qeverisjen e mirë”, tha Hovenier.

Hovenier tha se puna e prokurorëve nuk është e lehtë.

“E di se puna e një prokurori nuk është e lehtë. Të gjithë kanë mendimet e tyre se çka, qysh po bëni dhe shumica e tyre pak kuptojnë se cka kërkon ligji, procedurat dhe pothuajse cdo kush ka një mendim se si duhet të duket një rast dhe do të duhej që të përfundojë ai, por ju duhet që t’i përmbaheni rregullave, procesit, rregulloreve dhe kjo jo gjithmonë ndodhë siç dëshiron publiku apo dikush nga qeveria.”

Ai u bëri thirrje prokurorëve që ta ruajnë pavarësinë dhe ta vazhdojnë mandatin me profesionalizëm e integritet.

“Dëshiroj të theksoj se durimi i këtyre kritikave dhe që këto kritika të mos ju pengojnë për të kryer punën tuaj, betimin tuaj për ligj, është shumë i rëndësishëm, të ruani pavarësinë tuaj të vazhdoni mandatin tuaj me profesionalizëm, me integritet si dhe me vëmendje”, tha Hovenier.

Në fund të fjalës, Hovenier përmendi edhe çështjen e Kryeprokurorit të Shtetit, ku tha se KPK duhet të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të vepruar në përputhje me standardet e qeverisjes së mirë dhe për të kthyer besimin e publikut dhe parterëve ndërkombëtarë në KPK si institucion publik.

“Më duket se para dy vitesh, kam qenë po në këtë podium, në këtë konferencë dhe kam kërkuar nga Këshilli Prokurorial që të sigurojë një process të drejtë, transparent, meritor për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të ardhshëm të shtetit. Do ta bëj të njëjtën kërkesë dhe më vjen keq që po e bëj dy vjet më vonë, por qeveria ime beson se KPK duhet të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të vepruar në përputhje me standardet e qeverisjes së mirë dhe për të kthyer besimin e publikut dhe parterëve ndërkombëtarë në KPK si institucion publik. Nuk ma merr mendja që kam nevojë të them më shumë për këtë, por ju inkurajoj që të punoni shumë për të krijuar një kulturë të llogaridhënies dhe profesionalizimit në cdo zyre tuaj”, ka deklaruar ambasadori amerikan. /Gazeta Express