Homazh për qenin e lirë kosovar - Gazeta Express

OP/ED

Gazeta Express

21/01/2021 20:47

Homazh për qenin e lirë kosovar

OP/ED

Gazeta Express

21/01/2021 20:47

Kushtuar qenit që e shkeli ithtari i një partie të njohur kosovare, gjersa postonte live videopropagandë për liderin e tij. (Ngjarja këtu)

Shkruan Xhemal Ahmeti.

I.

Religjiozët janë më afinët për mitologji (Fürst: 2014). Të ushtruar me besimin absolut në atë që nuk ua zë dritën dhe bllokon udhën, ata për nga natyra preferojnë një autostradë pa qenie të lëvizshme, pa njerëz, pa kafshë, pa gjë të gjallë që mund t’ua prishte çastet kur thellohen transit të tyre shamanik. Nëse gjatë kësaj liturgjie asketike me shpirtrat e Përtejësisë i del ndonjë qen përpara – ai e shkel! Ose e rreh brutalisht para ndonjë banke – në trans.

Avokati me një diagnozë psikiatri do të kërkojë pastaj rrethana lehtësuese për të, ngase mandanti i tij kur vrau qenin, nuk ishte vetë aty. Respektivisht ishte aty, mirëpo trurin e kishte në sfera tjera. Pra mbyti qenien pa qëllim, pa paramendim. Dhe avokatin nuk do ta kundërshtonte dot kush kur pledoajenë e tij do ta mbyllte me: «Ju betohem se edhe më të dashurin e tij, edhe vetë kryeshamanin apo lugatin, të cilit i lutet, po t’i dilte para si ai qeni i braktisur kosovar do ta mbyste pa e vërejtur». Madje as që do të frenonte kur do t’i dilte në horizont (shih në video habinë e tij para aksidentit). As do të ndalej menjëherë pasi ta shkelte dhe piskamat e qenit t’i dëgjonte edhe brenda ndonjë veture hermetikisht të izoluar të kohës sonë.

Skena kthjelluese për natyrën e transeve të llojit sjell autorja gjermane Barbara Goldstein (Lara Myles) në romanin historik «Perandori i qiellit» (2006). Në plotë skena Xhingis Khani kërcënon jetën e birit të tij Temur dhe ansjelltas, gjatë procesioneve tele-interserfike të tyre me shpirtrat e qenve të ngrënë nga princët e Kinës apo gjatë këshillimit me manutë e vdekur të tyre shkëmbinjve të Kaukazit.

Ndoshta komedianti antik Filemoni këto qenie fluturake ndërmjet realitetit dhe imagjinatës donte t’i bind kur shkruante: «beso dhe idhujo Zotin, mirëpo mos e hulumto kërko atë se do përballesh me hiç-in». Po e kërkove dhe u përhumbe vrimave të zeza të kozmosit do të zhgënjehesh dhe në sekondën e parë të kthimit në realitet do të vrasësh qenin, pastaj mitin e në fund veten. Ose kthjellesh e shpëton. Dhe deri tash, duke filluar që nga Mesopotamia e deri në Amerikën e sotme, historia alarmon si Filemoni dhe më-implikon rreshtat pas citatit të tij. Fanatizmi mitologjik vret. Këtë e di antropoceni hiperdigjital, i cili duket si cyborg për shkak të aparateve të mençura që heq zhag me vete edhe në tualet. Nëse e di pse atëherë bëhet sërish viktimë?

Si bëhet fanatik njeriu? Si bëhet fanatik i fashizmit, i një ideologjie që po e pyete edhe vetë të thotë se është e pështyrë?

II. NË FILLIM ÇARJA NË DYSH

Popullata kryesore e çdo fashizmi janë religjiozët. Jo vetëm religjiozët e féve klasike qofshin ato mono – apo polyteiste. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe manistët, sakralo-institucionalistët, itharët e shoqërive antipluraliste, ekologët e Gaia-s – gjithë ata pra që idealet e tyre i konsiderojnë hyjnore, udhën dhe të vërtetën absolute mbi këtë botë. Këtë tip religjiozi e ka ushtar fashizmi. Jo vetëm për shkak të intensitetit instiktiv siç e përjeton botën ai, por më shumë se brenda vetes ofron gropën ku parkohet miti, ideologjia, primati, lideri, të cilët veprojnë si një shtab koordinues i tij në raport me trupin, frymën dhe botën jashtë tij.

Prandaj shkruhet me të drejtë se individin e çarë në dysh konform mendësisë karteziane mund ta sundosh më lehtë se atë që vepron si Subjekt kompakt – atë që trupin e vetë nuk e konsideron pleh për arrat e historisë e frymën si energji për yjet e kozmosit, por si Një që cofë edhe si dy po i hoqe njërin nga kryemotorët e habitusit të tij – zemrën ose trurin!

Pushteti përherë është gjeneruar kështu: Njëshi ka ardhur me idenë, karizmin dhe synimet duke besuar (apor vepruar sikur) se zbuloi botën prej fillimi dhe turma – si bashkësi njëshash në kërkim të kanaleve për vetërealizim – nuk ia kap vetëm idenë, por edhe atë vetë, me synimin që nëpërmjet tij dhe idesë që nxori në treg ta marrë primatin mbi botën, konkretisht mbi veten e humbur.

Kështu Njëshi bëhet turmë dhe turma Njëshi.

II. PASTAJ VJEN LIDERI

Shkrirja e kolektivit në Njëshin dhe anasjelltas është derivati dhe kallëzuesi kryesor i arsyes se pse  nuk kemi parti kantiste (aty ku mund të gjesh ide për 1 milion parti) por kemi parti marksiste (aty ku gjen mega-idenë për pushtetin e Njëshit me turmën e njëshave mbi botën), pse kemi parti bujqish e nuk kemi parti kardiologësh. Nga opusi i intelektualit që në sy për ndryshim ka botën për të mirë (më mirë një të mirë relative se sa një të keqe absolute) nuk shkoq dot një aparat instrumentesh për ta marrë pushtetin për vete ngase kushtëzohet me parime tjera mbi lirinë dhe shoqërinë, parime që i shkaktojnë lemzën çdo Njëshi me synime liderizmi, pasi çdo mendjemprehtë e demaskon si kontradiktor.

Kjo është kryediskrepanca, ajo që çdo njeri të shkolluar dhe me sens të drejtësisë dhe me ndonjërën nga etikat e drejtimit «tjetri jam unë dhe anasjelltas» në frymë e mbron nga çdo lloj Populizmi, fashizmi dhe monizmi. Po kur do të bëhen shumicë njëherë këta që detektojnë kryediskrepancën sapo shfaqet në horizont?

Vetëm demokracitë me popullatë të shkolluar en masse dhe mirëqenie të lartë duket se janë më të mbrojtura karshi përdhosjes së njëshoturmave të llojit. Ato me analfabetizëm (dhe alfabetizim funksional) të lartë jetojnë me kërcënimin e rënies së shpeshtë nën rrotat e izmave që përmendëm lartë. Themi edhe demokracitë perëndimore janë më të mbrojtura nga fashizmat e jo të mbyllura për zhvillime të tilla, ngase vetëm arsimimi i sa më shumë njëshave dhe mirëqenia (lumturia) për sa më shumë veta brenda kopésë nuk mjaftojnë për ta thyer fuqinë e fashizmit, shovinizmit dhe monizmave tjerë sa për t’i flakur nga shekujt aktual dhe ata që vijnë. Jo, ngase në esencë problemi është filozofik, programatik. Dhe për shkak se turma të pakënaqura do të ketë përherë.

III. PËR NJËSHIT KAPEN TURMAT

Të gjitha shkollat e paradigmat që merren e u angazhuan brenda debatit rreth definimit të antropocenit si Subjekt apo Cyborg alter egosh, në thelb kanë dështuar përballë mosmundjes së ofrimit të një mostre se si Njeriu të harmonizojë dy zonat mentale e vepruese të tij para se të çahet dysh. Dy zonat e paharmonizuara as teorikisht janë:

  • Parimet e njëshit që kanë të bëjnë me jetën e të gjithëve dhe
  • Synimet e veprimet e njëshit për të mbijetuar e përparuar si subjekt brenda në shoqërie.

Propozimi i Max Weber që ky harmonizim të bëhet sipas “etikës protestante” duke çarë subjektin në dysh, konform dualitetit ende aq në modë kartezian, pra në: një për zyrë (jepja Cezarit) e një për në odë (merrja zotit) nuk ndezi tek shumica absolute e kulturave të botës.

Nga ana tjetër kriminologët janë të bindur se korruptimi është pasojë pikërisht e këtij konflikti: saherë njeriut i rrezikohet komoditeti ai harron jo vetëm shoqërinë por edhe gjitha ato që i agjiton si hyjnore. Gjersa lideri qysh i gjallë sheh me pasion veten të radhitur në mes të statujave të historisë që luftuan për provincën apo perandorinë e kopésë së tij, njëshat e turmat ëndërrojnë veten si dikur ata muzhikët e St. Petersburgut, imagjinojnë veten si pasanikë, drejtor me pushtet mbi nga 20 sekretaresha dhe sekretarë, parafytyrojnë veten si ministra, shefa shërbimesh sekrete, si profesorë, heronj të gjallë edhe pasi të vdesin.

IV. Ç’U NDODH PASTAJ TURMAVE

Njohësit e literaturës leniniste e dinë origjinën e sakralizimit të turmës dhe e njohin atë saherë duket copy & paste e thënieve si «Marksist është vetëm ai që njeh luftën e klasave (ndërmjet të varfërve, të pasurve, analfabetëve, elitave) dhe diktaturën e proletariatit (Lenini). Diktatura e proletariatit realizohet duke përdorur çdo formë të dhunës (Trotzky)» dhe të llojit. Tash vetëm se duhet t’u ndërrojmë vendin kodeve si marksist, proletariat me nacionalist, gjerman, shqiptar, mysliman, italian për tu bashkuar këtyre dy emrave edhe Musolinin, Hitlerin, Chavezin, Trumpin, Erdoganin dhe gjithë diktatorët e vdekur dhe të gjallë të kësaj bote. Si ka mundësi të mundemi ta vëmë Leninin me Hitlerin bashkë? Jo ne i bëjmë bashkë por metoda që përdorën ata për të ardhur në pushtet: fashizmi!

Pikërisht ndaj kësaj orgjie demagogjike të Leninit me «diktaturën e tij të proletariatit hyjnor» protestonte marksistja gjermane Rosa Luxemburg, e cila pasi u përball me metodat turmavrasëse (të veta) të bolshevikëve rusë shkroi: «Pa liri shtypi, pa luftë për mendimin e lirë vdesin institucionet e jetës publike. Jetën e dirigjojnë dhe qeverisin një grusht partiakësh energjik dhe idealistë kundër realitetit shoqëror (…) nga kjo formë krijohet një qeveri e ekonomi klike, një diktaturë patjetër por jo e proletariatit, por e një grusht funksionaresh sot njihen si sekser, de facto një diktaturë në kuptimin borgjez të fjalës».

Historia i dha të drejtë Rosa Luxemburgut. Shqiptarët këto forma qeverisjeje nuk i kanë vetëm Déjà-vu por edhe déjà violée par ça. Si shpjegohet kjo dukuri atëherë?

V. DIKUR TURMA DERDHET NË INDIVIDË

Haraçi i mungesës së shkollave, përhapja eksesive e radikalizmit islamik, korruptimi i partive me falangat e çdo turme e individi me synime pushteti nuk i la kohën e duhur në disponim shtetit të ri që të bëjë sqarimet e nevojshme të ekzistencës së tij. Asnjë shtet nuk mundet aq shpejtë të operojë. Jo më kot thoshte politikania e CDU Rita Süssmuth se «vetëm diktatura është aq e shpejtë dhe e thjeshtë» sa për të ndryshuar kolektiva me urdhra.

Tash syhapur e të trazuar binden disa se demokracia e idiotëve qenka shumë më e rrezikshme se diktatura e të paskrupujve. Në vend të këtij sqarimi, të kësaj narrative triumfoi suksesshëm saga mbi shtetin e dështuar, të korruptuar, pra ai mbi shoqërinë në anarki vlerash që nuk i shpëton më shteti ligjor por ashtu siç i thoshte mësuesi i tij Konstantin Petrowitsch Pobedonoszew (1827 – 1907) carit rus Aleksandërit të III-të se: «nga anarkia shoqëria mund të shpëtohet vetëm me diktaturë, që do të thotë ri-instalim i vullnetit të Njëshit për një qeveri dhe pushtet unik», pra nga njëshi tek njëshi. E turmat? Fataliteti i të hipnotizuarve si ai që shkeli qenin qëndron tek fakti se nuk i bind para se t’u ndodhë. Ashtu siç është vonë për t’i bindur gjersa gjenden në kushte hipnoze e transi. U deshtë tu flitet në fillim, kur nisi rrugën ky fashizëm. Pak njerëz si duket e dinë se «çdo diktaturë dhe anarki fillojnë me heshtjen e shumicave» (Vogt). Prandaj edhe heshtën aq shumë njerëz.

Kjo turmë që sot beson se do ta përmbys sistemin ekzistues; kjo e cila ligjet nuk i përfill ngase i konsideron diktat(urë) të shumicës tjetër e jo të vetat; kjo e cila beson thellë se demokracia nuk është asgjë tjetër veçse diktaturë e 50.1% -it, shpejtë do të përballet me kthetrat e një klike si ajo e Luxemburgut, e cili (keq)përdor ideologjitë në favor të metodës së saj (fashizmit) për të ardhur në pushtet. Përndryshe si ka mundësi marksistët e Trotzkyt dhe Leninit të janë kaq erotafinë për konservatorët nacionalistë dhe islamopolitët e shkollave radikale? Metoda i bashkon, ashtu siç i bashkoi në efekt diktatorët që përmendem më lartë.

Siç shihet: edhe pse fashizmi i atribuohet si specialitet vetëm Musolinit, ai është ideologjia imanente e çdo monizmi. Asnjë diktaturë nuk ndërtohet dot pa të. Kjo ngase për nga efekti edhe kur ideologjia nuk është e izmës përkatëse (pra jo e Musolinit dhe Hitlerit si autorë me copyright të doktrinës) ai, fashizmi i shërben si metodë. Është historikisht më i suksesshmi kur një parti dinë të ndërtojë  pushtet absolut me veten lartë mbi instinktet e atyre poshtë.

VI. NË FUNDT HOMAZHI PËR QENIN

Kur shkelësi i qenit do të dal nga kjo hipnozë do të kuptoj se ka bërë krim ndaj tij. Kur shoqëria kosovare të dal si abort nga mentaliteti kolektivist i trashëguar nga sistemet e kaluara, atëherë edhe ai vrasësi i qenit do të kuptoj se kush vret qenin e lirë nuk mund të jetë i lirë as vetë. Bashkë me të do të kuptojnë edhe turmat simbolikën e dramës së qenit dhe kundër edhe një statuje për qenin nuk do të çohej askush. Një përmendoreje për qenin e panjohur që vdiq i fundit i lirë, para …».

Ndoshta edhe kjo dramë është nevojshme që Kosova të çlirohet më në fund edhe nga traumat e saj historike. Ose gjithë ky rrëfim imi del i panevojshëm pasi që Kosova megjithatë ia del të ruaj demokracinë pluraliste (ku sundojnë shumë parti e jo vetëm një) dhe formëreferendumi i përjashton elementet fashiste e religjiopate nga parlamenti i tij – me votë!