Heshtja e turpshme - Gazeta Express
string(18) "heshtja-e-turpshme"

Heshtja e turpshme

OP/ED

Gazeta Express

10/09/2021 17:01

Deputetë e zyrtarë tjerë të Vetëvendosjes nuk kanë thënë asnjë fjalë të vetme si reagim, si kritikë ndaj mënyrës se si po menaxhohet situata tragjike me pandeminë javët e fundit. Ata po heshtin turpshëm, ndërkohë që po përpiqen të gjejnë fajtorë kujdestarë për dështimet e veta.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Kryeministri Albin Kurti u përpoq të arsyetohej të premten për situatën e rëndë me pandeminë Covid-19. Nëpërmjet një videoje të publikuar në Facebook, ai tha qe qeveria e tij ka vepruar bazuar në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe se në qershor e korrik nuk kanë marrë masa, sepse numrat ishin tejet të ulët.”Rritja ishte e bafasishme, e paparashikuar”, deklaroi Kurti. Sipas tij, qeveria mori masa dhe po vepron në kohë reale.

Ky video-shfajësim i Kurtit me siguri do të duatrokitet nga militantë e përkrahës të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët tumirin çdo fjalë që del nga goja e tij. Por, situata e rëndë me pandeminë, me dhjetëra të vdekur e qindra të infektuar çdo ditë, demanton dhe demaskon të gjithë ata që jo te qeveria, por te dikush tjetër përpiqen ta gjejnë fajin për dështim në menaxhimin e pandemisë. Demanton dhe demaskon të gjithë ata që me heshtjen e vet, pavarësisht se kanë përgjegjësi publike, vihen në krah të atyre që dështuan të kontrollojnë shpërndarjen e shpejtë të variantit Delta, e që tash arsyetohen bash si Kurti, se gjithçka ishte e bafasishme dhe e paparashikuar.

Deputetët e Vetëvendosjes nuk kanë nxjerrë asnjë fjalë të vetme, si reagim, si kritikë ndaj mënyrës se si po menaxhohet situata tragjike me pandeminë javët e fundit. Ata po heshtin turpshëm, ndërkohë që në kohën e Qeverisë Hoti, kur kishte shumë më pak viktima e shumë më pak të infektuar, nuk ndaleshin së kritikuari, akuzuari e së kërkuari dorëheqje për ministrin e atëhershëm.

Deputetët e Vetëvendosjes, të cilët kan zënë karrigat në Kuvendin e Kosovës me votën e qytetarëve, pra, të atyre qytetarëve që po kalojnë kohë të rënda me pandeminë, nuk po marrin as mundin e nuk po e kanë as guximin t’i kundërvihen qeverisë – të paktën në aspektin moral e njerëzor, duke shprehur empati për qindra viktimat që mori virusi javët e fundit. Vetëm të premten tridhjetë.

Janë të njëjtët deputetë e zyrtarë qeveritarë të cilët, në kohën kur numrat e infektimeve dhe vdekjeve kishin rënë gjithandej, ngarendnin të merrnin merita për vete, për partinë e qeverinë. por, kur gjendja u përkeqësua e shifrat u rritën frikshëm, ata nuk bëzanë dhe sillen thua se nuk po ndodh asgjë, thua se jetët e humbura janë thjesht shifra e jo familjarë e bashkëqytetarë tonë.

* * *

Në përpjekje për të arsyetuar dhe mbuluar sadopak dështimin në menaxhimin e pandemisë, zyrtarë të partisë në pushtet dhe mbështetës të flaktë të tyre nuk ngurrojnë të gjejnë fajtorë kujdetarë, të cilët përpiqen t’i denigrojnë madje duke u marrë me jetën e tyre personale. E këta “fajtorë kujdestarë” nuk janë kush tjetër veçse zëra kritikë për mënyrën e qeverisjes, ata që përpiqen të kontribuojnë me ragimin e tyre publik për një qeverisje më të mirë, ata që nuk kanë ngurruar që të kritikojnë publikisht secilën qeveri deri tash, kur ka pasur pse dhe për çka.

Lideri i vërtetë merr përgjegjësi edhe për dështimet, jo veç për sukseset e pretenduara. Ata që kanë ardhur në pushtet me parullën se nuk do të qeverisin si të tjerët, është tragjike të veprojnë njësoj si ata kur bëhet fjalë për përgjegjësinë karshi qytetarëve. Gabimet në mënyrën e menaxhimit të pandemisë dhe jo vetëm nuk mund t’i faturohen tjetërkujt, paçka se militantët mund t’i besojnë ato fore. E dështimet në menaxhimin e situatës së rëndë janë të shumta – që nga mungesa e një fushate dinjitoze e profesionale për vaksinimin e qytetasrëve, deri te mungesa totale e mbikëqyrjes së masave në fuqi gjatë muajve të kaluar.

Qeveria votohet e zgjidhet për të menaxhuar dhe nuk ka asnjë arsye, asnjë arsyetim që përgjegjësinë e vet t’ua hedh të tjerëve. Qeveria është për të vepruar sipas ligjit, e kështu nuk veproi në valën më të madhe të lëvizjeve nga diaspora, në gjurulldinë e dasmave dhe mbrëmjeve nëpër diskoteka. Thjesht nuk ndërmori asgjë, mbase me idenë se varianti Delta do të shfaqej më vonë dhe mënyrën e menaxhimit do të mund të shfrytëzonte edhe për poenë politikë.

Ndërkohë, ministrin e Shëndetësisë e kryeministrin nuk i pau kush duke vizituar klinikat e mbushura plot pacientë të infektuar, të paktën sa për të dhënë mesazhe inkurajuese e për të shprehur empati me të gjithë ata që po vuajnë në këto kohë të vështira. Nuk i pau kush duke dalë e folur publikisht çdo ditë, për situatën e rëndë dhe rrugën që çon drejt zgjidhjes. Pati kryesisht heshtje, heshtje turpi që nuk arsyetohet kurrsesi – madje as nga militantët më të mëdhenj e më të besueshëm.