Jordan Henderson ka kompletuar zyrtarisht një transferim surprizë te Chelsea, pas largimit të tij nga Brentford.
Mesfushori veteran, i cili ndërpreu me marrëveshje të dyanshme kontratën me Brentfordin, i është bashkuar skuadrës nga “Stamford Bridge” për t’i sjellë ekipit eksperiencë dhe lidership, në një periudhë kur Chelsea ka investuar kryesisht te lojtarët e rinj.
36-vjeçari ka nënshkruar një kontratë që do ta mbajë në Londrën Perëndimore deri në verën e vitit 2028.
Ai u transferua si lojtar i lirë, pasi Brentford pranoi ta ndërpriste para kohe marrëveshjen dyvjeçare, duke i dhënë mundësinë ish-kapitenit të Liverpoolit të kërkonte një sfidë të re.
Pas zyrtarizimit të transferimit, Henderson foli për mediat zyrtare të Chelseat.
“Duke marrë parasysh madhësinë e klubit, trajnerin për të cilin kam admirim të madh dhe cilësinë e lojtarëve, kjo ishte një mundësi e madhe që nuk mund ta refuzoja”, deklaroi ai.
Mesfushori shtoi gjithashtu se ishte “i impresionuar” nga qasja dhe vizioni i pronarëve të Chelseat.
Vendimi i klubit londinez për të afruar Hendersonin erdhi pas largimit të Andrey Santos, i cili këtë verë u shit te Manchester United në një marrëveshje me vlerë deri në 50 milionë funte.
Me një boshllëk në mesfushë dhe një skuadër të re që kishte nevojë për një lider me përvojë, drejtuesit e Chelseat e konsideruan Hendersonin si profilin ideal për të ngritur standardet brenda ekipit.
Reprezentuesi anglez është një emër i njohur në futbollin evropian, pasi gjatë karrierës ka fituar tetë trofe madhorë.
Ish-trajneri i tij te Brentford, Keith Andrews, e kishte cilësuar më herët si: “Një nga liderët më me ndikim në historinë moderne të Premierligës”.
Edhe përzgjedhësi i Anglisë, Thomas Tuchel, i cili e përfshiu Hendersonin në listën për Kupën e Botës 2026, e ka vlerësuar lart për cilësitë e tij.
“Ai është një fitues i lindur. Sjell lidership, karakter, personalitet dhe energji në çdo dhomë zhveshjeje ku hyn”, ishte komenti i Tuchelit.
Transferimi te Chelsea përbën një tjetër kapitull interesant në karrierën e Hendersonit, e cila nisi pikërisht në “Stamford Bridge”, ku ai debutoi si profesionist me Sunderlandin në vitin 2008.
Pas një periudhe legjendare te Liverpooli, ai luajti në Arabinë Saudite me Al-Ittifaq, më pas pati një aventurë të shkurtër te Ajaxi dhe në vitin 2025 u rikthye në Premier League me Brentfordin.
Pavarësisht moshës 36-vjeçare, Henderson vazhdon të jetë pjesë e rëndësishme e kombëtares angleze dhe së fundmi arriti shifrën e 90 paraqitjeve me fanellën e Anglisë.
Vera e tij u ndërpre përkohësisht nga një dëmtim i pazakontë gjatë Kupës së Botës 2026, kur theu krahun pasi u rrëzua mbi një tabelë reklamuese në stadiumin “Estadio Azteca”, por tashmë është rikuperuar plotësisht./GazetaExpress/