Hekuran Murati dhe errësimi i mendjes - Gazeta Express
string(37) "hekuran-murati-dhe-erresimi-i-mendjes"

OP/ED

Gazeta Express

02/07/2022 16:49

Hekuran Murati dhe errësimi i mendjes

OP/ED

Gazeta Express

02/07/2022 16:49

E mira e këtij tregimi është kërkimfalja e Ministrit Murati, kurse e keqja është se Kosova nuk ka dëshmi të sakta, se sa civilë janë vrarë në luftën e fundit, sa dëshmorë kanë rënë dhe sa trupa janë vrarë nga pala Jugosllave. Murati ka falsifikuar shifrat, duke krijuar opinion kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nga Halil Matoshi

Lexo Edhe:

Manipulimi i fakteve dhe interpretimi ideologjik i tyre është mënyrë e kapjes së historiografisë dhe sigurimi nga ajo i pushtetit politik.

Gabimi i parë fatal në kalkulimet “ekonomike” të Hekuran Muratit ishte barasvlerësimi dhe krahasimi i ushtarëve të lirisë me mercenarët!?

Porse, asnjë luftë çlirimtare në botë nuk është bërë dhe as fituar me mercenarë.

Prej gjeneralit prusian Carl von Clausewitz e deri tek Frierich Nietszche (e deri në ditët e sotme) lufta shihet ni duel në një shkallë të gjërë, ku secila palë përpiqet me forcë fizike ta detyrojë tjetrin me iu nënshtru vullnetit të tij!

Porse, Murati nuk ka për të ditur  kurrë ta shpjegojë këtë vullnet. Cili është ai vullnet sipas të cilit lufton një mercenar, pos parasë, manifestimi të fuqisë dhe si mënyrë jetese.

E për një luftë çlirimtare duhet të ekzistojë vullneti i popullit, i cili me një akt dhune e detyron kundërshtarin të përmbushë vullnetin e atij populli!

Lufta pra është lojë.

Lojë, si çdo lojë tjetër, porse në të cilën investimi është total: Jeta e njeriut.

Kastile lufta e Kosovës lind nga ideja e çlirimit që strukturohet nga lëvizja çlirimtare, e cila i jep luftës shpirt;

Ashiqare që lufta është lijë që ka shpirt.

Hekuran Murati është ngritur kundra këtij shpirti, duke e fyer thymos-in, dinjitetin e luftëtarit të lirisë.

Dhe edhe më skandaloze ishte manipulimi i fakteve historike nga ai.

Dëshmia më e përafërt që merret nga çarqet ndërkombëtare është Libri i Zi i Fondit për të Drejtën Ndërkombëtare (FHP i Nataša Kandić-it.

Kurse në librat shkollorë të historisë në Kosovë, për luftën e UÇK-së, mezi i has dhjetë rreshta dhe atë duke dhënë konkluzione hamendësuese. Psh. janë vrarë rreth 15 mujë civilë, janë dhunuar rreth kaq e kaq gra… etj.

Në Beograd është prodhuar një film dokumentar “Pakao na Kosare”/Ferri në Kosharë, ku jepën të dhëna korrekte, sa u përket të vrarëve nga dyja anët, porse me një gjuhë urrejtjeje ndaj UÇK-së.

Ky film flet për një barazim të palëve ndërluftuese (ndonëse serbët edhe mund të fshehin të vrarët dhe të plagosurit e tyre?) sipas këtyre të dhënave, në Betejë të Kosharës UÇK ka pasur114 të vrarë, nga ta tre vullnetarë të huaj, nga Italia, Franca e Maroku dhe 170 të plagosur.

Në anën tjetër, ushtria jugosllave ka pasur 108 të vrarë si dhe një mercenarë rus dhe 250 të plagosur, që dmth. se numri i të plagosure është dukshëm më i madh, edhe për shkaqe të pajisjeve moderne. Poashtu Jugosllavisë i është shkatërruar një automjetit ushtarak dhe tre tankse.

Mirëpo Murti me mendje të errësueme shkon katërfish përtej shifrave zyrtare serbe!

E para, ai thoshte se UÇK ka luftuar vetëm tre muaj dhe kjo asht pasaktësia e parë.

UÇK ka dalë publikisht më 28 nëntor, 1997 kurse aksionet e para të mëdha guerile janë kryer më 1996, dmth Murati trevjetëshin e redukton në tremuajsh!?

Ai e ka zvogëluar për katër herë numrin e ushtarëve dhe policëve serbë të vrarë nga UÇK-ja, në funksion të denigrimit, nxjerrjës nga loja të UÇK-së dhe marrjes së nji grushti votash më shumë.

E dyta, sipas burimeve zyrtare serbe (ndër to edhe libri “Junaci otadzbine”/Trimat e Atdheut) në Luftën e Kosovës janë vra 1.084 ushtarë serbë prej të cilëve 275  nga NATO.

Nga trupat e UÇK-së janë vra

809 ushtarë serbë dhe 322 pjesëtarë të MUP-it serb.

Së këndejmi trupat e UÇK-së kanë vrarë 1.131 ushtarë, policë dhe mercenarë (rusë) serb e jo 300 qysh pandeh Murati.

Krijimi i një opinioni poshtërues për UÇK-në vinte nga një pjesë e klasës politike kosovare, për t’ua mohuar partive të krahut të luftës të drejtën për t’u thirrur në  trashëgiminë e UÇK-së dhe pothuajse të gjitha partitë politike ngarendnin pas emrave të ushtarëve e komandantëve të spikatur që t’i fusnin në lista zgjedhore.

Porse, ajo etapë besohet së është tejkaluar. Ishte viti 2016 dhe Murati paskësh rënë viktimë e mllefit. Ndonëse ku mllef i siguronte atij mbështetje politike.

Dhe në fund, diçka për kërkimfaljën e cila është e pranueshme, por jo edhe kur përdoret për fushata elektorale dhe nëse qasja e tillë e gënjeshtërt ka krijuar opinion tek zgjedhësit.

Falja, në konotacionin e saj të përditshëm, është një mekanizëm që riparon një marrëdhënie pas një gabimi, që është i ndreqshëm mes njerëzish, pra që nuk është një gabim fatal, nga i cili dëmtohet jeta apo shëndeti i njeriut!

Ka ndonëse injorantë që kërkimfaljen e marrin si dobësi, porse ajo e bën njeriun-njeri, të gabueshëm po t’gatshëm më e ndreq gabimin.

Kërkimfalja supozohet se bëhet para njerëzve normalë dhe në një shoqëri normale! Për të ndrequr diçka që vlerësohet se ka shkuar keq.

Filozofi hindu Sidarta Gautama e ka hulumtuar prejardhjen e urrejtjes për të cilën ai thotë: “Urrejtja kurrë nuk qetësohet me urrejtje, porse vetëm me mungesën e saj. Ky është ligj i përjetshëm.”

Kërkimfalja  është fuqi sepse e shtypë urrejtjen, duke e pakësuar atë deri në mungesën e saj të plotë!