Ekspozimi i shkurtër ndaj ajrit të ndotur mund të ketë pasoja të menjëhershme në funksionimin e trurit dhe të sistemit respirator, sipas një studimi të ri.
Ndotja e ajrit, veçanërisht grimcat mikroskopike të njohura si “particulate matter” (PM), është lidhur prej kohësh me sëmundje të ndryshme, përfshirë astmën dhe disa lloje kanceri.
Ekspozimi i kontrolluar në laborator
Në këtë hulumtim, të rritur të shëndetshëm u ekspozuan për 60 minuta ndaj pesë llojeve të ndryshme ajri: ajër të pastër, përbërje limoneni (SOA – shpesh e pranishme në produkte pastrimi me aromë agrumesh), gazra nga nafta dizel, tym druri dhe emetime nga gatimi.
Pas ekspozimit, pjesëmarrësit u mbajtën katër orë larg çdo ndotjeje, para se t’u testoheshin funksionet e mushkërive dhe aftësitë njohëse, përfshirë kujtesën, vëmendjen, përpunimin e emocioneve, koordinimin psikomotor dhe aftësitë motorike.
Ndikimi në mushkëri dhe tru
Efektet më të mëdha në funksionin e mushkërive u vunë re tek ekspozimi ndaj limonenit, i ndjekur nga tymi i drurit, gazrat e naftës dizel dhe emetimet nga gatimi.
Sa i përket funksioneve njohëse, ekspozimi ndaj gazrave të dizelit rezultoi më i lidhur me dëmtime në funksionet ekzekutive të trurit – përgjegjëse për planifikimin, përqendrimin dhe rregullimin emocional.
Sipas studiuesve, kjo mund të lidhet me oksidet e azotit që ndikojnë në qarkullimin e gjakut në tru, duke penguar funksionimin normal.
Edhe pse ekspozimi zgjati vetëm një orë, ekspertët paralajmëruan se ekspozimet e përsëritura mund të çojnë në probleme afatgjata, përfshirë dëmtime të qëndrueshme njohëse dhe rritje të rrezikut për sëmundje serioze.
Si ndikon ndotja në trup
Grimcat PM përbëhen nga pjesëza shumë të imta që vijnë nga trafiku, termocentralet, zjarret dhe djegia e karburanteve. Për shkak të madhësisë së tyre, ato mund të depërtojnë thellë në mushkëri dhe të hyjnë në qarkullimin e gjakut.
Në trup, ato nxisin inflamacion, ngushtim të enëve të gjakut, rritje të tensionit dhe dëmtim qelizor, duke ndikuar në organe të ndryshme.
Studime të mëparshme kanë lidhur grimcat PM2.5 me rrezikun e demencës, përfshirë sëmundjen e Alzheimerit.
Detaje nga studimi
Studimi u realizua nga Universiteti i Birmingham-it dhe përfshiu 15 persona të shëndetshëm mbi moshën 50 vjeç, të cilët kishin histori familjare të demencës. Mosha mesatare ishte 60 vjeç dhe shumica ishin burra.
Pjesëmarrësit nuk e dinin rendin e ekspozimeve dhe pas çdo testi u pyetën për të identifikuar llojin e ajrit që mendonin se kishin thithur.
Rezultatet treguan se ekspozimi ndaj aerosolit të limonenit uli funksionin e mushkërive me 3.4%, ndërsa tymi i drurit me 2.6%. Ndikime të lehta në funksionet ekzekutive u vunë re edhe pas ekspozimit ndaj gazrave të dizelit.
Përfundime shkencore
Studiuesit theksojnë se ndotja nuk ndikon njësoj në çdo rast.
Sipas tyre, burimi dhe përbërja e ndotjes janë po aq të rëndësishme sa edhe sasia e grimcave.
Ata kërkojnë më shumë kërkime afatgjata për të kuptuar ndikimin e llojeve të ndryshme të ndotjes, me qëllim përmirësimin e politikave shëndetësore dhe mbrojtjen e grupeve më të rrezikuara. /GazetaExpress/