Haxhiu: Kurti na ka njoftuar në vija të trasha për propozimin për Asociacionin, s'do të ketë autonomi - Gazeta Express
string(98) "haxhiu-kurti-na-ka-njoftuar-ne-vija-te-trasha-per-propozimin-per-asociacionin-sdo-te-kete-autonomi"

Haxhiu: Kurti na ka njoftuar në vija të trasha për propozimin për Asociacionin, s’do të ketë autonomi

Lajme

Gazeta Express

08/11/2023 10:56

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri Albin Kurti i ka njoftuar “në vija të trasha” mbi propozimin e ndërkombëtarëve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Haxhiu tha në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë se në Kosovë “nuk do të ketë autonomi”, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

“Nuk ka asnjë autonomi. Nuk do të ketë autonomi në Republikën e Kosovës. Kosova është shtet i pavarur dhe nuk do të lejojmë në asnjë rrethanë që të ketë një shtet tjetër brenda shtetit tonë”, tha ajo.

Ministrja nuk deshi të flasë në hollësi për draft-statutin e Asociacionit, pasi tha se “nëse unë do të hyja në detaje të tjera, mendoj se nuk është përgjegjësi e imja”.

“Kur të bëhet publik do ta shihni edhe ju”, iu tha ajo gazetarëve.

Haxhiu tha se Kurti “është partner serioz” dhe se ka konsideratë për kërkesat e ndërmjetësve të dialogut. Ministrja tha se sa për Kurtin “teksti mund të jetë publik që prej dje”, por shtoi se “kjo nuk mund të ndodh dhe për këtë arsyet i ka përmendur kryeministri”.

“Kryeministri Kurti është partner serioz që i trajton me respekt, por edhe me konsideratë kërkesat e ndërmjetësve. Ai e ka ekipin e tij për dialog, me të cilin ndan dokumente të cilat kanë nevojë të vlerësohen dhe të komentohen. Konsultohet me presidenten e Republikës së Kosovës, po ashtu me kryetarin e Kuvendit, që janë krerë të institucioneve. Kur ka nevojë për vlerësimet e mia si ministre e Drejtësisë, unë jam gjithmonë në dispozicion”, tha Haxhiu.

“Në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje na ka njoftuar në vija të trasha mbi propozimin europiano-amerikan”, theksoi ajo.

Para seancës së fundit të Kuvendit ku raportoi, Haxhiu tha se Kurti “e ka takuar po ashtu edhe grupin paralamentar të cilët i ka njoftuar për mbarëvajtjen e takimit të 21 tetorit por edhe me qëndrimin e Kosovës”.