Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj thotë se pushteti i Albin Kurtit “planifikon ta ngulfas” lirinë e shtypit në Kosovë.
Ai shkruan në një postim në Facebook se “një kryeministër që sulmon median, në thelb sulmon një nga shtyllat kryesore të shtetit demokratik. Ai linçon dhe tenton të drejtojë me qëllim të keq”.
“Liria e shtypit, hapësira që pushteti i Kurtit planifikon ta ngulfas. Sot, kemi shumë pak gazeta të shtypura. Koha që na mungon na shfaqet në kujtesë si respekt. Shkrimet dhe opinionet, sidoqoftë, sot janë prezente në një platformë tjetër, pra elektronike. Dhe padyshim, ne duhet ta mbrojmë si dje, sot dhe të nesërmen, si kauzë edhe më tutje. Liria e shtypit nuk është privilegj i mediave, por është themel i demokracisë. Ajo është zëri që mban përgjegjës pushtetin, pasqyra që i tregon shoqërisë të vërtetën, edhe kur ajo është e vështirë për t’u dëgjuar”, shkruan ai.
“Një shtet që respekton median, respekton qytetarin e vet. Respekti ndaj gazetarit nuk duhet të jetë selektiv, as i kushtëzuar nga pyetjet që bën apo temat që trajton. Gazetari nuk është kundërshtar, por partner në ndërtimin e një shoqërie transparente. Nga reportazhet dhe hulumtimet në terren, te dokumentarët që sjellin histori të pathëna, nga kronikat e përditshme deri te hulumtimet që kërkojnë muaj pune e përkushtim, pra secili kontribut i tyre është shërbim publik”, shton Haradinaj.
Ai kujton se “pas çdo lajmi që lexojmë apo shohim, qëndron një ekip njerëzish që shpesh punojnë në kushte të vështira, me orare të gjata dhe me përgjegjësi të madhe”.
“Një vlerësim i veçantë u takon edhe kameramanëve dhe ekipeve teknike, ata që janë gjithmonë në vijën e parë, në shi, në të ftohtë, në ngjarje të papritura, duke dokumentuar realitetin ashtu siç është. Pa ta, e vërteta shpesh do të mbetej e padukshme”, shkruan ai.
Haradinaj tha se “për fat të keq, sot kemi krijuar një klimë ku nga maja e pushtetit shpesh dëgjojmë gjuhë ofenduese ndaj mediave”. Tha se “kjo nuk i shërben as demokracisë, as besimit të qytetarëve”. Ai thotë se “kritika ndaj mediave është e drejtë, por ajo duhet të jetë argumentuese, jo denigruese”.
“Një kryeministër që sulmon median, në thelb sulmon një nga shtyllat kryesore të shtetit demokratik. Ai linçon dhe tenton të drejtojë me qëllim të keq”, shkruan ai.
“Unë besoj në një qasje tjetër. Në një raport të hapur, korrekt dhe të ndershëm me mediat. Nuk do të ketë mbyllje dyersh, nuk do të ketë shmangie nga pyetjet dhe, mbi të gjitha, nuk do të ketë gjuhë përçmuese. Sepse përgjegjësia jonë nuk është të zgjedhim pyetjet, por të japim përgjigje. Media duhet të jetë e lirë, e pavarur dhe e mbrojtur. Gazetarët duhet të ndihen të sigurt në punën e tyre, të mbështetur në misionin e tyre. Dhe ne, si përfaqësues politikë, duhet të jemi garantues të këtij mjedisi. Unë jam në krah të tyre, jo për t’i përdorur, por për t’i respektuar. Jo për t’i heshtur, por për t’i dëgjuar. Sepse një shoqëri pa media të lirë është një shoqëri pa zë. Dhe unë besoj në një Kosovë ku zëri i së vërtetës nuk ndalet kurrë”, shton Haradinaj.