Hamiti paraqet disa fakte për poetin anglez që vdiq para 200 vitesh: Jetoi një kohë në Tepelenë, portreti më i njohur i Bajronit është me veshje shqiptare - Gazeta Express
string(152) "hamiti-paraqet-disa-fakte-per-poetin-anglez-qe-vdiq-para-200-vitesh-jetoi-nje-kohe-ne-tepelene-portreti-me-i-njohur-i-bajronit-eshte-me-veshje-shqiptare"

Lajme

Gazeta Express

19/04/2024 12:42

Hamiti paraqet disa fakte për poetin anglez që vdiq para 200 vitesh: Jetoi një kohë në Tepelenë, portreti më i njohur i Bajronit është me veshje shqiptare

Lajme

Gazeta Express

19/04/2024 12:42

Profesori i letërsisë angleze në Universitetin e Prishtinës Muhamet Hamiti ka shkruar disa fakte rreht poetit anglez George Gordon Byron.

Në përvjetorin ë 200 të vdekjes së poetit romantik, profesori ka treguar se Byron gjatë vjeshtës së vitit 1809 e kaloi një kohë në Oborrin e Ali Pashës në Tepelenë dhe në vise të tjera shqiptare nën Perandorinë Otomane në kohën e trazimeve evropiane, të luftërave napoleonike.

Lexo Edhe:

“Grekët e çmojnë Bajronin si hero të vetin, por shqiptarët s’kanë më pak arsye ta duan e ta çmojnë si të vetin”, shkruan Hamiti.

Kjo pasi sipas Hamitit, portreti më i njohur i Bajronit  është ky me veshje shqiptare, që e sheh të botuar shpesh në literaturën e gjerë për këtë figurë të madhe letrare angleze.

“Bajroni poemën “Childe Harold” ka nisur ta shkruante në Shqipëri, siç e thotë vetë në Parathënie. Në shqip ka dalë shkurt me titullin Çajld Haroldi, përkthyer nga Skënder Luarasi, dhe botuar së pari në vitin 1956. Në shqip ka edhe një përkthim nga Napoleon Tase, që është botuar vonë, më 2004”.

Madje, Hamiti ka paraqitur edhe një pjesë të poemës që ka të bëjë me Shqipërinë.

Postomi i plotë:

Poeti romantik anglez Xhorxh Gordon Bajron (George Gordon Byron, 1788-1824) vdiq si sot, para 200 vjetësh, më 19 prill 1824, në Misolongj (Greqi), ku kishte shkuar të ndihmonte luftën e grekëve për pavarësi prej otomanëve, madje duke drejtuar një trupë ushtarake me suljotë e të tjerë, që e paguante vetë.

Poeti e politikani i ri anglez Lordi Bajron gjatë vjeshtës së vitit 1809 e kaloi një kohë në Oborrin e Ali Pashës në Tepelenë dhe në vise të tjera shqiptare nën Perandorinë Otomane në kohën e trazimeve evropiane, të luftërave napoleonike. “U zgjova një mëngjes dhe pashë se qeshë bërë i famshëm”, shkruante Bajroni 23-vjeçar mbasi kishte botuar dy këngët e para të poemës autobiografike “Childe Harold’s Pilgrimage” (Shtegtimi i Çajld Haroldit) më 1811, pas një turi të madh mediteran drejt Orientit (1809-11), që përfshinte edhe Shqipërinë.

Botimi i dy këngëve të para të “Childe Harold’s Pilgrimage” e bëri me nam brenda nate, por vepra më e madhe e Bajronit mbetet “Don Juan”, ep satirik, dikush do ta quajë roman në vargje, që nisi ta shkruante më 1819 dhe s’e kishte mbaruar kur vdiq më 1824. Bajroni është i njohur edhe për poezi të shkurtra lirike. U bë i njohur në Evropë për të gjallë të vet.

Grekët e çmojnë Bajronin si hero të vetin, por shqiptarët s’kanë më pak arsye ta duan e ta çmojnë si të vetin. Kënga II e “Çajld Haroldit”, teksti poetik dhe parateksti, shënimet për¬cjellëse për Shqipërinë, Ali Pashën, shqiptarët, i nxorën publikut britanik, tutje, përmes përkthimesh, edhe publikut lexues në vende të tjera evropiane, një pamje për këtë vend të panjohur, që ishte nën Perandorinë Otomane, pjesë e Orientit, por që kishte veçantitë gjuhësore, etnike, antropologjike e zakonore. Portreti më i njohur i Bajronit  është ky me veshje shqiptare, që e sheh të botuar shpesh në literaturën e gjerë për këtë figurë të madhe letrare angleze. Bajroni kishte pozuar për piktorin Tomas Filips (Thomas Phillips, 1770-1835) në Londër më 1813. Piktura e parë u bë më 1814. Kjo pikturë gjendet tash në Ambasadën Britanike në Athinë. Filipsi bëri vetë një replica të kësaj pikture më 1835, e cila gjendet e ekspozuar në Galerinë e Portreteve Kombëtare të Londrës.

Destinacion i Bajronit dhe mikut të tij prej kohës së studimeve dhe shoqëruesit gjatë turit mediteran, Xhon Kem Hobhausit (John Cam Hobhouse), që më vonë do të bëhej Lord, ishte Kostandinopoja (Stambolli), kryeqyteti i Perandorisë së fuqishme Otomane që kontrollonte Evropën Lindore, Afrikën Veriore dhe Lindjen e Mesme. Shtegtarët do të mbërrinin te Porta e Stambollit mbas një viti. Kur s’u bë puna të niseshin për atje, në rrethana dhe për arsye që s’janë krejt të qarta, Bajroni dhe Hobhausi udhëtuan me anije të shpejtë nga Malta për Shqipëri. U nisën prej atje më 21 shtator 1809 ndërsa mbërritën në Prevezë mbas tetë ditësh. Në letrën e gjatë që i shkroi nënës së vet nga Preveza më 12 nëntor 1809, Bajroni 21-vjeçar tregon se prej atje kishte shkuar në Tepelenë, nja 150 milje larg, te Ali Pasha, në sarajet e të cilit kishte qëndruar tri ditë. Në letrën që ia shkruante s’ëmës, Bajroni thoshte: “Më pëlqejnë shumë shqiptarët, ata nuk janë të gjithë turq [lexo: myslimanë, MH], disa fise janë të krishtera, por religjioni i tyre ka pak rëndësi në sjelljet e tyre; ata vlerësohen si trupat më të mira [ushtarake] në shërbimin turk.”

Ali Pashën e quajnë ‘Bonaparte muhamedan’, thotë më tej Bajroni për Ali Pashën, të cilin e ka takuar tri herë brenda pak ditësh në tetorin e 1809-shit.

Bajroni poemën “Childe Harold” ka nisur ta shkruante në Shqipëri, siç e thotë vetë në Parathënie. Në shqip ka dalë shkurt me titullin Çajld Haroldi, përkthyer nga Skënder Luarasi, dhe botuar së pari në vitin 1956. Në shqip ka edhe një përkthim nga Napoleon Tase, që është botuar vonë, më 2004.

Pjesa që ka të bëjë me Shqipërinë në Këngën II, nis me Strofën 38 (në përkthim të Skënder Luarasit):

O Shqipëri, ku lindi Iskanderi –

Këngë e rinis’, fanar i të urtëve! –

Dhe Iskanderi tjetër, që i dërrmoi

Përherë armiqt’ me Kordhn’e tij kreshnike:

Shqipëri, lejomë të kthej syt’ e mi

Mbi ty o nënë e rreptë burrash t’egër!

Kryqi po zbret, po ngrihen minaretë,

E zbeta hënëz ndrin nëpër lugina

Mbi pyje me selvi n’agor të çdo qyteti.

Shoqërohet prej autorit me një shënim të gjatë, nja 1500 fjalë, në të cilin e përkufizon Shqipërinë territorialisht (“përfshin pjesë të Maqedonisë, Ilirisë, Kaonisë dhe Epirit”) para se të flasë për Skënderbeun (Iscander-in).

Në Kosovë, një studim për Bajronin, si disertacion doktorate, e ka bërë në Prishtinë më 1977 Abdullah Karjagdiu (1936-2021), profesor i njohur i letërsisë angleze në Universitetin e Prishtinës. Monografia është botuar më 2021. Më 1987 Afrim Karaxhozi ka botuar në Shqipëri një monografi me titull Xhozef Bajroni, ribotuar më 2010. Prof. Karaxhozi ka qenë themelues dhe kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bajronit (1991).

Ka studiues që mendojnë se Perandoria Britanike e ka përdorur Lordin britanik Bajron në mision diplomatik për ta pajtuar Ali Pashën në kohën e luftërave napoleonike, kur francezët dhe anglezët shtyheshin për kontroll të ishujve të Jonit, në afërsi të territorit të Pashallëkut të Aliut. “Marrja e pushtetit nga britanikët në shumicën e Ishujve të Jonit nuk mund të ishte mirëpritur nga Ali Pasha”, shkruan Noel Malkolm (Malcolm) te libri i tij “Rebels, Believers, Survivors: Studies in the History of Albanians” (Oxford University Press, 2020, f. 198), sepse Pasha “do ta ketë kuptuar se kur të qenë përzënë francezët prej Lefkadës dhe Korfuzit kishte shumë më pak gjasa që ato vende t’i jepeshin atij”. Historiani britanik e quan koincidencë udhëtimin e Bajronit dhe shoqëruesit të tij Hobhaus te Ali Pasha në tetorin e vitit 1809. Këta të dy kanë mësuar për veprimin ushtarak britanik mbas mbërritjes, më 19 tetor, konstaton Malkolmi.