Gjykimi për vrasjen e para 30 vjetësh në Deçan: Vëllai i viktimës thotë se kishin konflikte me të akuzuarin - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

05/12/2019 16:33

Gjykimi për vrasjen e para 30 vjetësh në Deçan: Vëllai i viktimës thotë se kishin konflikte me të akuzuarin

Lajme

Gazeta Express

05/12/2019 16:33

Haki Ukaj, vëllai i tani të ndjerit Zekë Ukaj, ka dhënë dëshminë e tij, në gjykimin ku për vrasjen e vitit 1989 në Deçan, po akuzohet Hasan Zenelaj.

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Pejë, dëshmitari Haki Ukaj, ka treguar versionin e tij lidhur me këtë rast, që siç ka thënë ai, i kishte paraprirë vrasjes.

Dy konflikte para tridhjetë vjetësh, njëra rrahje, e tjetra therje me thikë, sipas dëshmitarit, kishte ndodhur në mes tani të akuzuarit Zenelaj dhe atij.

Ai ka thënë se me familjen e tani të akuzuarit fillimisht i kishin pasur raportet e mira, mirëpo ai ka shtuar se pas këtyre dy konflikteve raportet mes tyre ishin acaruar.

I dëmtuari ka thënë se në maj të vitit 1989, përderisa ishte duke shkuar në Bjeshkët e Strellcit, bashkë gruan e axhës së tij, tani i akuzuari i kishte dal pas shpine, duke ia lidhur duart, duke shtuar se një person me emrin Daut Rrustemaj, e kishte goditur me guri në kokë.

Dëshmitari Ukaj, ka deklaruar se për këtë rast nuk kishte dijeni pse tani i pandehuri e kishte kapur nga duart.

Lidhur me rastin e konfliktit të dytë, ai ka thënë se kishte ndodhur në korrik të vitit 1989, kur sipas tij, dëshmitari e kishte therur me thikë tani të akuzuarin Hasan Zenelaj, e kjo për shkak se sipas tij, pas rastit që kishte ndodhur në Bjeshkë të Strellcit, ai ishte përcjell vazhdimisht nga i pandehuri dhe vëllai i tij, Vllaznim Zenelaj.

Dëshmitari duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Sahide Gashi, ka thënë se ditën kritike kur vëllai i tij ishte vrarë, e kishte parë në fshatin Strellc tani të akuzuarin Zenelaj, duke u nisur në Deçan, në vendin ku kishte qenë edhe vëllai i tij, tani i ndjerë Zekë Ukaj.

“Kam qenë në Strellc kur në ora 9:30 me Hasanin dhe e disha që Hasani ishte duke shku për Deçan, me autobus dhe e disha edhe vëllau im është në Deçan, dhe kisha frikë se mos po i ndodh diçka vëllaut tim, Zekës”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka shtuar se më pas atë ditë, një orë e gjysme pasi e kishte parë të akuzuarin Zenelaj, duke hipur në autobus, ishte njoftuar nga një shok i tij, se vëllai i tij Zekë Ukaj ishte vrarë.

Ndryshe, sikurse në seancën e shqyrtimit fillestar të 24 qershorit të këtij viti, sikurse edhe në seancën e së enjtes, i akuzuari Zenelaj e ka mohuar fajësinë se në vitin 1989, në Deçan, e kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Zekë Ukaj.

Në fjalën hyrëse të thënë nga palët në procedurë, prokurorja Sahide Gashi ka thënë se aktakuza e saj do të vërtetohet nga provat materiale dhe dëshmitë e dëshmitarëve, të cilët do të sqarojnë se vrasja kishte ndodhur me motive të hakmarrjes dhe se për këtë veprim me qëllim që t’i ikë organeve të ndjekjes, i pandehuri kishte ndryshuar emrin nga Besim në Hasan Zenelaj.

Në anën tjetër, mbrojtësi i parë i të pandehurit, Hasan Zenelaj, avokati Ramiz Krasniqi, e ka konsideruar aktakuzën e Prokurorisë së Pejës të dështuar, për faktin se nuk ishte drejtuar të provojë dyshimin e bazuar mirë ndaj të mbrojturit të tij, përveç zbatimit të ligjit të favorshëm.

Sipas avokatit Krasniqi aktakuza ishte bazuar në prova të cilat sipas ligjit nuk janë prova, dhe atë në kallëzimin penal, aktvendimin për fillim të hetimeve, e as aktgjykimit.

Seanca e radhës është caktuar më 13 janar 2020, në orën 10:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 maj 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Hasan Zenelaj, i njohur më parë me emrin Besim Zenelaj, akuzohet se më 20 tetor 1989, rreth orës 9:30, në Deçan, në rrugën ish “Eduar Kardeli”, në afërsi të kanalit për ujitje, me marrëveshje me tani të dënuarin Selim Zenelaj, nga hakmarrja e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Zekë Ukaj, i moshës 25 vjeçare nga fshati Strellc i Epërm .

Sipas aktakuzës, rasti kishte pikënisjen në një rrahje që kishte ndodhur më 12 qershor 1989, në mes të pandehurit dhe vëllait të tani të ndjerit.

Bazuar në akuzë, tani i ndjeri Zekë Ukaj, ishte përcjellë për një kohë, e pastaj i afrohen nga prapa, fillimisht i dënuari Selim Zenelaj, e kapë për qafe me dorë të majtë, kurse me dorën e djathtë fillon ta godas me thikë në pjesën e përparme të regjionit të gjoksit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, kur i ndjeri në mbrojtje e sipër së bashku me të dënuarin Selim Zenelaj, bien në kanalin e ujit, i pandehuri Hasan Zenelaj, zbret në kanal dhe derisa i dënuari Selim Zenelaj, po e mbante tani të ndjerin për duarsh, e godet disa herë në shpinë e pjesë të tjera të trupit, gjithsej 16 goditje, shumicën prej tyre në organe vitale ku për pasojë edhe ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Në shkresat e lëndës, thuhet se i akuzuari Hasan Zenaj, i njohur me emrin Besim Zenelaj është arratisur menjëherë pas ngjarjes kritike dhe nuk i është ditur vendndodhja, me ç’rast ish-Gjykata e Qarkut në Pejë, më 28 tetor 1989, ka lëshuar letër-rreshtim.

Pasi që i akuzuari ishte i pakapshëm për organet e ndjekjes, thuhet se Gjykata e Pejës ka lëshuar letër-rreshtim ndërkombëtar,, më 5 dhjetor 2015, ndërsa i pandehuri është arrestuar në shtetin e Zvicrës, më 27 janar 2019, ku edhe është ekstraduar në Kosovë, më 8 maj 2019.

Kurse, i pandehuri tjetër Selim Zenelaj, i cili akuzohet se me Hasan Zenelaj ka kryer vrasjen e rëndë, ishte vazhduar procedura ndaj tij, me ç’ rast më 20 shtator 1991, ishte dënuar me 11 vjet burgim, me aktgjykim të plotfuqishëm. /BetimipërDrejtësi