Gjykata vendos për ish-kryetarin e Suharekës, Sali Asllanaj - Gazeta Express
string(58) "gjykata-vendos-per-ish-kryetarin-e-suharekes-sali-asllanaj"

Gjykata vendos për ish-kryetarin e Suharekës, Sali Asllanaj

Gazeta Express

12/12/2019 11:37

Gjykata e Prizrenit e ka shpallur të pafajshëm ish-kryetarin e Suharekës Sali Asllanaj.

Nga akuzat u liruan edhe ish-drejtori i Arsimit, Sherif Berisha, dhe Milazim Hajdari, drejtor i shkollës SHFMU “Bajram Curri“.

Lexo Edhe:

Trupi gjykues ka thënë se nuk është vërtetuar se tre të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzoheshin.

Sali Asllanaj akuzohej për tejkalim të kompetencave si kryetar i Komunës. Kjo, sipas aktakuzës, për t’u siguruar të tjerëve përfitim të dobisë pasurore.

Bashkë me Asllanajn akuzohej edhe ish-drejtori i Arsimit në Suharekë, Sherif Berisha, ndërsa në të njëjtën aktakuzë ishte i përfshirë edhe Milazim Hajdari, në cilësinë e drejtorit të ShFMU “Bajram Curri” të fshatit Nishor.

Sali Asllanaj kishte mohuar akuzat e Prokurorisë, duke u deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i vihej në barrë.

Në lidhje me këtë rast, Asllanaj ishte deklaruar për KALLXO.com duke theksuar se kjo aktakuzë është e paqëndrueshme pasi, sipas tij, komuna e ka pasur për detyrë të sigurojë transportin e nxënësve të fshatit Nishor.

“Prokuroria e ka hapur këtë rast për një kontratë me një OJQ në lidhje me transportin e nxënësve të fshatit Nishor. Unë mendoj se hapja e kësaj aktakuze është e paqëndrueshme sepse ne e kemi pasur për detyrë t’i sigurojmë transportin këtyre nxënëse nga fshati”, kishte thënë ai.