Gjykata Kushtetuese ka vendosur për 4 raste që i janë dërguar, ende s'ka gjë për dekretin e presidentit - Gazeta Express
string(101) "gjykata-kushtetuese-ka-vendosur-per-4-raste-qe-i-jane-derguar-ende-ska-gje-per-dekretin-e-presidentit"

Gazeta Express

27/05/2020 12:03

Gjykata Kushtetuese ka vendosur për 4 raste që i janë dërguar, ende s’ka gjë për dekretin e presidentit

Gazeta Express

27/05/2020 12:03

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar sot katër vendimet e marra lidhur me raste të ndryshme, megjithatë ende nuk ka asgjë rreth ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje për dekretin e presidentit Hashim Thaçi, përmes të cilit ka nominuar Avdullah Hotin për kryeministër.

Aktvendimi i parë ka të bëjë me lëndën KI 36/20 të cilën e ka parashtruar “Limak Kosovo International Airport SH.A “Adem Jashari”; vendimi i dytë ka të bëjë me lëndën KI 04/20 të cilën e ka parashtruar Lulzim Sadiku; aktvendimi i tretë ka të bëjë me lëndën 41/20 të cilën e ka parashtruar Shaqir Krasniqi; dhe aktvendimi i katërt ka të bëjë me kërkesën KI 133/19 të cilën e ka parashtruar Nysret Tafili.

Lexo Edhe:

Të gjitha këto 4 kërkesa janë refuzuar dhe janë shpallur të papranueshme.

Kushtetuesja për rastin e dekretit të presidentit Hashim Thaçi ka vendosur masën e pezullimit deri më 29 maj dhe pritet që deri të premten të dalë me një vendim për zgjedhje të reja ose për qeveri të re në legjislaturën ekzistuese.

Ndërkohë, derisa tensionet janë rritur në prag të marrjes së vendimit, ambasadorët e huaj në Kosovë bëjnë thirrje që të respektohet vendimi çfarëdo qoftë ai. /Express/

Vendimet nga seanca shqyrtuese e mbajtur më 27 maj 2020

Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 27 maj 2020, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi dhe vendosi për kërkesat: 1. KI 36/20; 2. KI 04/20; 3. KI 41/20 dhe KI 133/19. Më poshtë mund të lexoni përmbledhjet e shkurtra të vendimeve të Gjykatës (tekstet e plota të vendimeve do t’u dorëzohen palëve, do të publikohen në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim)

Aktvendim

        Lënda: KI 36/20

Parashtrues: Limak Kosovo International Airport SH.A. “Adem Jashari”    

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Rev. nr. 10/2018], të datës 16 tetor 2018, me të cilin pala parashtruese pretendonte t’i jenë shkelur të drejtat e garantuara me nenet: 24 [Barazia para ligjit], 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm], 32 [E drejta për mjete juridike] dhe 46 [Mbrojtja e pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.

Kërkesa bazohej në paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e përgjithshme] dhe paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

– Gjykata, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (2) e 59 (2) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme.

Vendim

        Lënda: KI 04/20

        Parashtrues: Lulzim Sadiku

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së “aktgjykimit të pretenduar të Gjykatës së Apelit të Kosovës [PAKR. nr. 494/16], të datës 11 nëntor  2016“, me të cilin parashtruesi i kërkesës ishte shpallur fajtor. Në kërkesën e tij, parashtruesi nuk kishte specifikuar se cilat të drejta të garantuara me Kushtetutë i janë shkelur me këtë vendim.

Kërkesa bazohej në paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenin 22 [Procedimi i kërkesës] dhe nenin 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

– Gjykata, në pajtim me nenin 113.1 të Kushtetutës, me nenet 22.4 dhe 48 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 32 (2)(h) e 35 (5) të Rregullores së punës, vendosi të refuzojë kërkesën

Aktvendim

        Lënda: KI 41/20

        Parashtrues: Shaqir Krasniqi          

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë [C.nr.865/09], të datës 16 maj 2016,  me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendonte se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe me nenin 6 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.  

Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

– Gjykata, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme.

  • Aktvendim

        Lënda: KI 133/19

        Parashtrues: Nysret Tafili    

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Rev. nr. 204/2019], të datës 25 korrik 2019, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendonte se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

– Gjykata, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (2) e 59 (2) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme.