Nga 1 gushti hyn në fuqi rregullorja e re që synon luftimin e ndotjes dhe përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve urbane.
Personat që hedhin mbeturina në vende të palejuara në Zvicër do të përballen me gjoba deri në 250 franga, sipas një rregulloreje të re që do të hyjë në fuqi më 1 gusht, përcjell albinfo.ch.
Këshilli Federal njoftoi se masa synon të promovojë ekonominë qarkulluese, riciklimin dhe të luftojë fenomenin e hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave në hapësira publike.
Sipas qeverisë zvicerane, rregullorja e re do të standardizojë në nivel kombëtar gjobat për ndotjen e mjedisit dhe për asgjësimin e paligjshëm të sasive të mëdha të mbetjeve urbane.
Shuma e gjobës nuk do të jetë e njëjtë për çdo rast, por do të varet nga lloji dhe sasia e mbeturinave të hedhura në mënyrë të paligjshme.
Autoritetet shpresojnë se kjo masë do të kontribuojë në mbajtjen më të pastër të hapësirave publike dhe në përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve në të gjithë vendin.