Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) deklaroi se ka goditur një “bazë ajrore amerikane” si kundërpërgjigje ndaj sulmit të kryer herët në mëngjes nga forcat amerikane mbi një zonë pranë aeroportit në Bandar Abbas të Iranit.
Në një deklaratë të publikuar nga agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Tasnim, IRGC njoftoi se një bazë ajrore, të cilën e identifikoi si pikën nga ku kishte nisur “agresioni” amerikan, por pa treguar vendndodhjen e saj, u sulmua në orën 04:50 sipas kohës lokale (01:20 GMT).
Ky njoftim erdhi pasi ushtria amerikane raportohet se kishte goditur një zonë në periferi të Bandar Abbasit.
IRGC gjithashtu deklaroi se çdo “agresion nuk do të mbetet pa përgjigje”, duke shtuar se veprime të tjera ushtarake do të përballen me një reagim “edhe më vendimtar”.