Kazuyoshi Miura, i cili njihet gjerësisht si futbollisti profesionist më i vjetër në botë, ka firmosur me një klub të ri në moshën 58-vjeçare.
Miura, i lindur në vitin 1967, bëri debutimin e tij si profesionist me Santosin e Brazilit në vitin 1986, pasi ishte transferuar në Amerikën e Jugut me ëndrrën për t’u bërë futbollist profesionist që në moshën 15-vjeçare.
Për krahasim, Sir Alex Ferguson sapo ishte emëruar trajner i Manchester United, ndërsa Liverpool i Sir Kenny Dalglish kishte fituar dopietën Divizioni i Parë dhe FA Cup në sezonin 1985/86, duke ia marrë titullin rivalëve të Evertonit dhe duke i mposhtur ata 3-1 në finalen e FA Cup. Atë vit, Topin e Artë e fitoi sulmuesi ukrainas Igor Belanov.
Miura ka luajtur gjithashtu për Palmeiras, Matsubara dhe CRB, përpara se të kishte periudha te XV de Jau dhe Coritiba, e më pas u rikthye te Santos deri sa gjeti një “shtëpi” te Verdy Kawasaki i Tokios në vitin 1990.
Sulmuesi qëndroi me klubin japonez për tetë vite, duke shënuar 110 gola në 187 paraqitje. Gjatë kësaj periudhe, ai ishte një lojtar i rregullt i kombëtares së Japonisë, duke realizuar 55 gola në 89 ndeshje.
Viti 1992 ishte veçanërisht i suksesshëm për Miurën, pasi ndihmoi Japoninë të fitonte Kupën e Azisë AFC dhe u shpall Futbollisti Aziatik i Vitit.
58-vjeçari ka përfaqësuar gjithashtu ekipin japonez Yokohama, për të cilin ka luajtur 298 herë, si dhe Vissel Kobe, Kyoto Sanga dhe Atletico Suzuka, ndërkohë që ka qenë pjesë edhe e Genoas dhe Sydney FC.
Dhe pavarësisht se debutoi 39 vite më parë, “King Kazu”, i cili sezonin e kaluar luajti në kategorinë e katërt me Atletico Suzuka, është gati të vazhdojë ende karrierën.
Sulmuesi, që së shpejti mbush 59 vjeç, pritet t’i bashkohet ekipit të kategorisë së tretë Fukushima United në formë huazimi njëvjeçar nga Suzuka, sipas “The Japan Times”.
Lëvizja nuk është bërë ende zyrtare, por shumica e transferimeve ose huazimeve të fundit të Miurës janë shpallur në orën 11:11 të datës 11 janar, si një homazh për numrin e tij të fanellës.
Sulmuesi përqendrohet shumë në përbërjen trupore, duke monitoruar rregullisht peshën dhe përqindjen e dhjamit, si dhe duke konsumuar ushqime me shumë proteina dhe pak yndyrë.
Pas stërvitjes, ai dihet se zhytet në banjë me akull dhe pi ujë të gazuar nga Italia.
Duke folur për “L’Equipe” në vitin 2024, Miura zbuloi se do të donte ende të luante edhe në moshën 80-vjeçare.
“Sekreti nuk është asgjë më shumë sesa puna e palodhur dhe pasioni,” tha ai.
“Dua të vazhdoj të luaj derisa trupi im të më thotë mjaft”, shtoi ai.
Miura tashmë ka thyer shumicën e rekordeve të lidhura me moshën, ndërsa shumica e futbollistëve profesionistë pensionohen në mesin e të tridhjetave./GazetaExpress/