Forcat amerikane kanë ndërhyrë ndaj një anijeje të sanksionuar që po transportonte naftë nga Irani, ka njoftuar departamenti i mbrojtjes i vendit në platformën X.
“Forcat amerikane kryen një ndërhyrje detare dhe një kontroll me të drejtë vizite ndaj anijes pa shtetësi M/T Majestic X, e cila po transportonte naftë nga Irani, në Oqeanin Indian”, thuhet në deklaratë.
Departamenti thekson se ushtria amerikane do të vazhdojë të ndërhyjë ndaj anijeve që dyshohen se “po ofrojnë mbështetje materiale për Iranin”.
Një ndërhyrje detare i referohet ndalimit ose inspektimit të një anijeje nga marina ndaj mjeteve detare që dyshohen si armiqësore ose në shkelje të ligjit.
SHBA ka ndaluar dhjetëra anije që nga fillimi i bllokadës së saj në Ngushticën e Hormuzit. Këto anije nuk po ndalohen pranë Iranit, por më larg, në Oqeanin Indian.