Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, i cili ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare.
Sipas ASHAK, lajmin për vdekjen e shkrimtarit dhe anëtarit të saj e kanë marrë gjatë një aktiviteti të përbashkët në Tiranë me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
“Sot, gjatë një aktiviteti të përbashkët të organizuar në Tiranë nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, mësuam lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të akademikut, studiuesit dhe shkrimtarit Rexhep Qosja, anëtar i ASHAK dhe anëtar nderi i ASHSH-së, një prej figurave më të shquara të mendimit shkencor, letrar dhe kombëtar shqiptar”, thuhet në njoftim.
ASHAK ka vlerësuar lart figurën e tij, duke theksuar se ai përfaqësonte një personalitet të jashtëzakonshëm të kulturës mbarëshqiptare.
“Akademik Rexhep Qosja përfaqësonte një personalitet të jashtëzakonshëm të kulturës mbarëshqiptare, studiues i përkushtuar, shkrimtar dhe intelektual me ndikim të gjerë në zhvillimet shkencore, letrare dhe shoqëror”, thuhet më tej.
Në vlerësimin e saj, ASHAK thekson se trashëgimia e Qosjes mbetet një vlerë e çmuar shkencore dhe letrare që do të shërbejë si burim frymëzimi për brezat e ardhshëm.
“Të dy akademitë tona shprehin mirënjohje dhe vlerësim të lartë për këtë kontribut të pashlyeshëm në zhvillimin e shkencës, kulturës dhe mendimit bashkëkohor shqiptar”, thuhet në deklaratë.
Në fund, ASHAK thekson se kujtimi dhe vepra e Rexhep Qosjes do të mbeten pjesë e përhershme e kulturës dhe shkencës shqiptare.