Kombëtarja e Kosovës e regjistroi një fitore të madhe sonte në hendboll në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2026”.
Dardanët e mposhtën Ukrainën me rezultat të ngushtë, 31:30 në një ndeshje mjaft dramatike deri në sekondat e fundit, e cila u zhvillua në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë para një numri të konsiderueshëm të shikuesve.
Golat e Egzon Gjukës dhe Valon Dedajt ia siguruan ekipit kombëtar fitoren në xhiron e tretë të Grupit 6, shkruan “Gazeta Express”.
Kosova ishte dominuese në pjesën e parë, të cilën e mbylli me katër gola epërsi, 16:12.
Në pjesën e dytë u ngushtua rezultati, por në fund Verdheklaltrit u treguan më të vëmendshëm duke iu rritur shpresat për kualifikim në Evropian, që do të ishte një e arritur historike.
Kosova do të luajë prapë të dielën me Ukrainën, në Lituani.
Dy Kombëtaret e para të grupit kualifikohen në Kampionat Evropian, por edhe katër ekipet kombëtare më të mira të vendit të tretë prej tetë grupeve sa janë gjithsej.
Kështu, Kosova do ta kërkojë kualifikimin përmes vendit të tretë, ndërsa “Euro 2026” do të mbahet nga 14 janari deri më 1 shkurt në tri shtete: Danimarkë, Suedi e Norvegji. /Gazeta Express