Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, dhe sekretari gjeneral, Eroll Salihu, sot janë ulur bashkë në një tavolinë. Fotoja publikohet nga vet FFK-ja, ku shihet edhe përzgjedhësi e Kombëtares U21, Michael Nees.
Bëhet fjalë për një takim në mes tyre me trajnerin gjerman, i cili mbetet nën hijen e fotografisë ku Ademi e Salihu shihen bashkë në një tavolinë me gjermanin, shkruan Gazeta Express.
Kjo pasi u raportuar për një konflikt fizik që ka ndodh të enjten në mes tyre. Ndërsa, përmes një deklarate të vonuar Ademi e Salihu mohuan konfliktin fizik, por konfirmuan mospajtimet dhe debatet me tone të larta.
Në kumtesën e ilustruar me fotografinë nga takimi thuhet:
Presidenti Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu kanë zhvilluar sot takim me përzgjedhësin e Kombëtares U21, Michael Nees. Gjatë këtij takimi u bashkëbisedua rreth përgatitjeve të Kombëtares U21 për dy miqësoret e këtij muaji në Doha të Katarit.
Presidenti Ademi dhe sekretari i përgjithshëm Salihu i ofruan mbështetje maksimale përzgjedhësit Nees, që përkundër situatës së rëndë me pandeminë të realizohen këto miqësore dhe ai të ketë në dispozicion të gjithë lojtarët që synon në grumbullimin e tij të parë si përzgjedhës i Kombëtares U21. Po ashtu, u diskutua edhe për stafin teknik të Kombëtares, i cili do të kompletohet gjatë ditëve në vazhdim.
Kombëtarja U21 do të udhëtojë më 21 mars në Doha, derisa miqësoret do t’i zhvillojë më 26 dhe 29 mars. Ky grumbullim do të jetë një mundësi e mirë për përzgjedhësin Nees për ta përgatitur sa më mirë ekipin për ciklin e ri kualifikues që nis në qershor. /GazetaExpress/