Kupa e Botës 2026 pritet të jetë një nga edicionet më historike të futbollit botëror.
Për herë të parë turneu do të organizohet nga tre vende – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Meksika – ndërsa do të marrin pjesë 48 kombëtare, krahasuar me 32 sa ishin në edicionet e kaluara.
Turneu do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik 2026.
Sipas kuotave të kompanive kryesore të basteve, favoritja kryesore për ta fituar trofeun është Kombëtarja e Spanjës, me kuota rreth 5.50.

Pas saj renditen Kombëtarja e Francës, Kombëtarja e Brazilit, Kombëtarja e Argjentinës, Kombëtarja e Anglisë dhe Kombëtarja e Gjermanisë.
Franca mbetet një nga pretendentet më serioze për titull.
“Gjelat” vijnë me një brez të jashtëzakonshëm lojtarësh dhe përvojë të madhe në turnetë e fundit, pasi e fituan Botërorin 2018 dhe e arritën finalen e vitit 2022.
Kuotat për triumfin e tyre lëvizin nga 6.00 deri në 6.50.
Ndërkohë, edhe Anglia konsiderohet një kandidate e fortë për trofeun.
Skuadra angleze mbështetet te emra si Jude Bellingham, Harry Kane dhe Phil Foden, duke synuar t’i japë fund pritjes së gjatë për një sukses të madh ndërkombëtar.
Mes skuadrave që mund të surprizojnë përmenden edhe Kombëtarja e Portugalisë, Kombëtarja e Holandës, Kombëtarja e Uruguait dhe Kombëtarja e Kolumbisë, të cilat mund ta luajnë rolin e “befasisë” në këtë Botëror. /Gazeta Express