Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, bashkë me disa të rinj nga Shoqata e të Pagjeturve “Zëri i Prindërve” kanë qëndruar sot në veri të Mitrovicës për të përkujtuar 104 qytetarë shqiptarë të pagjetur.
“104 karrige të zbrazëta, 104 emra për fatin e të cilëve akoma nuk dihet asgjë, 104 trëndafila të bardhë që simbolizojnë pafajësinë e popullit tonë, shënuam këtë datë për të mos lejuar që harresa të mbulojë dhimbjen dhe të vërtetën. Nga oborri i gjimnazit marshuam drejt lagjes së boshnjakëve, në shtëpinë ku u krye gjenocidi nga dora gjakatare serbe, e cila kreu masakrën kundër 23 qytetarëve të pafajshëm shqiptarë, ku vendosëm lule të freskëta për të mbajtur të freskët kujtimin për ta”, ka shkruar më herët Peci.
Ndaj kësaj vizite ka reaguar kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, i cili tha se aktiviteti i sotëm i organizuar nga kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut përfaqëson “një mungesë respekti të rëndë për Komunën e Mitrovicës së Veriut, si dhe një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në kompetencat komunale që janë të përcaktuara qartë me ligj”.
Sipas Radojeviq, këto veprime nuk çojnë në rrugën e “pajtimit të komuniteteve” por, përkundrazi “tregojnë abuzimin e fëmijëve për qëllime politike, gjë që është e papranueshme”.
“Në të njëjtën kohë, mbeten pyetje të shumta për të cilat publiku me të drejtë pret përgjigje: çfarë ndodh me mijëra serbë të dëbuar nga pjesa jugore e qytetit? Çfarë ndodh me varrezat ortodokse të përdhosura në pjesën jugore të qytetit? Si është e mundur të fshihet sistematikisht çdo gjurmë se mijëra serbë kanë jetuar në atë pjesë të qytetit deri në vitin 1999? Edhe pse shumë pyetje mbeten ende pa përgjigje, qëllimet pas aktiviteteve të tilla janë më se të qarta – mbyllja e Komunës së veçantë të Mitrovicës së Veriut dhe transferimi i multietnicitetit të supozuar nga jugu në veri”.
Radojeviq më pas iu drejtua me pyetje bashkësisë ndërkombëtare.
“Me anë të kësaj, ne u drejtojmë një pyetje të qartë përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare: a do të vazhdojnë ta vëzhgojnë në heshtje këtë proces dhe shkatërrimin e të vetmit mjedis urban vërtet multietnik? Ne presim një reagim urgjent dhe të qartë nga institucionet kompetente, si dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, me qëllim mbrojtjen e sundimit të ligjit, rendit institucional dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve”, përfundoi ai.